FBK-ja e dënon incidentin e ndodhur në ndeshjen Bashkimi – Peja
Federata e Basketbollit të Kosovës e ka dënuar incidentin e ndodhur mbrëmë në ndeshjen mes KB Bashkimi dhe KB Go+ Peja, që u luajt në Prizren.
Në duelin çerekfinal të Kupës së Kosovës nga tribunat u qëllua basketbollisti pejan, Dardan Berisha, me ç’rast edhe u ndërpre loja për një kohë.
Shtëpia e basketbollit kosovar e ka konsideruar këtë incident si të rrezikshëm e të turpshëm, ndërsa pati kritika edhe ndaj fyerjeve që u dëgjuan nga tifozët vendës për ekipin mysafir.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e FBK-së, e cila nuk e ka ndërmend të rrijë duarkryq, por do të intervenojë me dënime:
“Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme incidentin e rëndë të ndodhur gjatë ndeshjes ndërmjet KB Bashkimi dhe KB Go+ Peja, e zhvilluar mbrëmë në Prizren në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës.
Gjatë minutës së tretë të çerekut të dytë, lojtari i KB Go+ Peja, Dardan Berisha, është goditur nga tribuna me një shkrepëse, një akt i rrezikshëm, i turpshëm dhe absolutisht i papranueshëm në një ngjarje sportive. Po ashtu, gjatë ndeshjes janë dëgjuar fyerje dhe sharje ndaj ekipit mysafir, të cilat cenojnë rëndë imazhin e basketbollit dhe çdo normë të sportivitetit.
FBK njofton publikun dhe opinionin sportiv se ka hapur menjëherë procedurë disiplinore dhe se organizatori do të përballet me masa të rënda ndëshkuese, sipas akteve normative në fuqi. Toleranca për dhunë, sulme fizike apo sjellje fyese në palestrat tona është ZERO.
Federata kërkon nga klubet që të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë në tribunat e tyre dhe paralajmëron se çdo përsëritje e incidenteve të kësaj natyre në të ardhmen do të sjellë masa drastike, përfshirë gjoba të larta, mbyllje palestrash dhe/ose humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar.
FBK u bën thirrje të gjithë tifozëve të vërtetë të basketbollit që të mos tolerojnë individë apo grupe që e njollosin sportin tonë. Ata nuk e përfaqësojnë basketbollin kosovar dhe nuk do të lejohen ta shkatërrojnë atmosferën sportive. Me respekt, Federata e Basketbollit të Kosovës”.
(Kosova Sot Online)
