Flick përballë dilemës së madhe para finales

  • A.P /
  • 10 January 2026 - 17:15
Flick përballë dilemës së madhe para finales

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, vazhdon të mbajë sekret formacionin titullar para ndeshjeve vendimtare – e aq më tepër para një finaleje. As në konferencën për shtyp të mbajtur sot, gjermani nuk dha asnjë sinjal nëse do të ndryshojë sulmuesin kryesor për “El Clasicon” e nesërme ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës.

Në qendër të vëmendjes është beteja për pozitën e numrit 9, ku Ferran Torres dhe Robert Lewandowski kanë argumente të forta për të nisur nga minuta e parë.

Aktualisht, avantazhi duket se është në anën e Ferran Torres. Sulmuesi spanjoll ka fituar rolin e titullarit këtë sezon me paraqitjet e tij, duke qenë zgjedhja e parë e Flick në shumicën e ndeshjeve.

Nga 24 takime të luajtura këtë sezon, Ferran ka nisur 18 si titullar dhe është golashënuesi më i mirë i Barcelonës me 14 gola. Ai gjithashtu hapi llogarinë e tij në Superkupë me golin ndaj Athletic Clubit dhe ka kujtime të mira ndaj Real Madridit, pasi sezonin e kaluar shënoi golin e barazimit në finalen e Kupës së Mbretit.

Megjithatë, Robert Lewandowski nuk dorëzohet lehtë. Në moshën 37-vjeçare, sulmuesi polak ka pranuar menaxhimin e minutave nga Flick, por mbetet shumë konkurrues dhe dëshiron të jetë protagonist në ndeshjet më të mëdha.

Edhe pse ka munguar në disa takime për shkak të problemeve fizike, Lewandowski ka shënuar 9 gola këtë sezon, të gjithë në La Liga, me golin e fundit në derbin ndaj Espanyolit.

Për më tepër, Lewandowski ka një lidhje të veçantë me Superkupën e Spanjës, duke shënuar në të tria finalet që ka luajtur. Ai realizoi nga penalltia në fitoren 5-2 sezonin e kaluar, shënoi golin e vetëm të Barcelonës në humbjen 4-1 në vitin 2024 dhe la gjurmë edhe në finalen e vitit 2023 me golin e dytë në fitoren 3-1.

Kështu, Flick përballet me një vendim të vështirë para finales së parë të sezonit: të vazhdojë t’i besojë formës së shkëlqyer të Ferran Torres apo të mbështetet te eksperienca dhe rekordi i jashtëzakonshëm i Lewandowskit në Superkupë. Dilemë luksi për Barcelonën, në prag të një “El Clasico” që premton spektakël. 

(Kosova Sot Online)