Rey Manaj rikthehet në Turqi

  • A.P /
  • 31 January 2026 - 09:06
Rey Manaj rikthehet në Turqi

Rey Manaj, sulmuesi 28-vjeçar shqiptar, ka mbyllur kontratën me Al Sharjah në mënyrë të dyanshme, duke i dhënë fund aventurës së tij gjashtëmujore në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe. 

Gjatë kohës së tij te ky klub, ish-lojtari i Interit dhe Barcelonës zhvilloi 21 ndeshje dhe shënoi 6 gola, por nuk arriti të gjejë vazhdimësinë që kishte treguar më parë në Evropë.

Manaj u nda nga klubi i Emirateve Arabe, edhe pse fitonte 3.9 milionë euro nga kontrata e tij. 

Tani pritet një rikthim në Turqi, ku Sivasspor është i gatshëm ta mirëpresë sërish. 

Sipas “cilginlar58”, jo vetëm që 28-vjeçari ka gjetur akordin verbal me Sivasspor, por është planifikuar që ditën e nesërme në orën 17:00 (ora e Turqisë) në aeroportin e Sivas do të mbërrijë Manaj.

Manaj, i cili numëron 44 paraqitje dhe 10 gola me Kombëtaren e Shqipërisë, kishte kaluar një periudhë shumë të suksesshme më parë te klubi turk, duke realizuar 34 gola dhe dhënë 8 asistime në 63 paraqitje zyrtare, paraqitje që kishin tërhequr interesimin e disa klubeve të tjera.

Sipas “Transfermarkt”, vlera aktuale e kartonit të tij vlerësohet në 2.50 milionë euro.

Sivasspor momentalisht gjendet në pozitën e 14-të në ligën e dytë të Turqisë, me 29 pikë të tubuara nga 22 ndeshje.


(Kosova Sot Online)