Messi udhëheq Inter Miamin drejt fitores

  • A.P /
  • 27 February 2026 - 10:30
Messi udhëheq Inter Miamin drejt fitores

Inter Miami CF mbylli turin miqësor të parasezonit me fitore 2-1 ndaj Independiente del Valle në Porto Riko, në një ndeshje ku protagonisti kryesor ishte rikthimi i Lionel Messi.

Takimi, i planifikuar fillimisht për 13 shkurt, ishte shtyrë pasi Messi kishte pësuar një tendosje muskulore në një miqësore të mëhershme në Ekuador. Klubi, në bashkëpunim me organizatorët dhe autoritetet vendase, vendosi ta riplanifikojë sfidën për 26 shkurt, pavarësisht se sezoni i rregullt në MLS kishte nisur.

Golat për Inter Miamin u realizuan nga Santiago Morales dhe Messi, i cili shënoi nga pika e bardhë në pjesën e dytë. Argjentinasi u aktivizua pas pushimit, së bashku me titullarë të rregullt si Rodrigo De Paul dhe Telasco Segovia, ndërsa trajneri Javier Mascherano u dha minuta edhe lojtarëve që kishin luajtur më pak në startin e sezonit, përfshirë Luis Suárez, Rocco Ríos Novo dhe Facundo Mura.

Messi u prit me ovacione të mëdha nga tifozët në Porto Riko dhe çdo prekje e tij e topit u shoqërua me duartrokitje. Në fundin e takimit, disa tifozë hynë në fushë, ku dy prej tyre arritën deri te kampioni i botës dhe realizuan selfie me të para se ndeshja të mbyllej.

Inter Miami e përfundon kështu fazën përgatitore me fitore dhe tashmë fokusohet te vazhdimi i sezonit në MLS, pas humbjes 3-0 në javën hapëse ndaj LAFC. 

(Kosova Sot Online)