Ancelotti e krahason Brazilin me Real Madridin

  • A.P /
  • 13 June 2026 - 13:30
Ancelotti e krahason Brazilin me Real Madridin

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti e ka bërë një krahasim interesant mes pritshmërive te “Seleçao” dhe periudhës së tij te Real Madridi.

Italiani e pranoi se në Brazil ekziston një etje e jashtëzakonshme për ta fituar sërish Kupën e Botës, duke e krahasuar atë me obsesionin që e kishte Real Madridi për ta fituar “La Decima”, trofeun e dhjetë të Ligës së Kampionëve.

“E kam gjetur një situatë të ngjashme me atë që e përjetova te Real Madridi. Këtu mungon titulli botëror prej shumë vitesh dhe dëshira për ta fituar është e madhe. Ta kujton obsesionin që e kishte Reali për ‘La Decima’”, ka deklaruar Ancelotti, përcjell “Gazeta Express”.

Brazili nuk e ka fituar Kupën e Botës që nga viti 2002 dhe e kërkon trofeun e gjashtë në histori, i njohur si “O Hexa”.

Pikërisht për këtë arsye, Federata Braziliane vendosi t’ia besojë bankinën njërit prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e futbollit.

Ancelotti do ta nisë aventurën e tij në Botërorin 2026 me objektivin për t’i dhënë fund pritjes 24-vjeçare të brazilianëve dhe për ta rikthyer “Seleçaon” në majën e futbollit botëror.

(Kosova Sot Online)