Real Madridi kërkon dënimin e Barcelonës

  • A.P /
  • 18 June 2026 - 13:30
Real Madridi kërkon dënimin e Barcelonës

Real Madridi ka njoftuar se i është drejtuar UEFA-s me kërkesë zyrtare për hapjen e procedurave disiplinore ndaj Barcelonës, në lidhje me të ashtuquajturin “Rasti Negreira”.

Klubi madrilen e bëri publik lajmin përmes një komunikate në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale, duke kërkuar nga organet disiplinore të UEFA-s që të ndërmarrin masa ndaj rivalit katalanas.

Ky veprim vjen pas njoftimit të Barcelonës se po përgatit veprime ligjore kundër Real Madridit, për shkak të deklaratave të Florentino Perezit në një konferencë për media para zgjedhjeve presidenciale të klubit.

Presidenti i Real Madridit kishte pretenduar se Barcelona kishte “vjedhur” shtatë tituj të La Ligas gjatë kohës së tij në krye të klubit, duke iu referuar hetimeve të vazhdueshme për “Rastin Negreira”.

Në letrën drejtuar UEFA-s, Real Madridi pretendon se pagesat e bëra nga Barcelona ndaj ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, José María Enríquez Negreira, përbëjnë “rrezik sistematik të shkallës më të lartë për integritetin e garave”.

(Kosova Sot Online)