Pas zgjedhjeve të 7 qershorit shteti ynë ka nevojë urgjente për funksionim normal të Kuvendit e të Qeverisë dhe Kosovës

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit shteti ynë ka nevojë urgjente për funksionim normal të Kuvendit e të Qeverisë dhe Kosovës
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit shteti ynë ka nevojë urgjente për funksionim normal të Kuvendit e të Qeverisë dhe Kosovës

Gani Qarri

  • 18 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, shteti ynë i brishtë ka nevojë urgjente për funksionim normal të Kuvendit e të Qeverisë dhe Kosovës i duhet bashkëpunim ndërpartiak e jo bllokada të reja politike, sepse vendi ynë i vogël, në gjendjen e përgjithshme të acaruar globale, nuk mund të përballojë më ngërçe e bllokada të përsëritura institucionale, si në vitin e kaluar!

 

-Në të kundërtën, nëse Kosova rrezikon të hyjë sërish në një cikël të pafund zgjedhjesh dhe përsëritjen e bllokadave institucionale, përgjegjësi mbajnë të gjitha partitë për mosbashkëpunim në interes të shtetit dhe të qytetarëve, si partia fituese nëse ajo insiston në qeverisje sipas kushteve të saj, ashtu edhe opozita, në qoftë se përsëri refuzon kompromiset dhe bashkëpunimin me partinë në pushtet për zgjedhjen e presidentit/es, që nënkupton edhe eliminimin e shkakut të vërtetë të shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja të parakohshme, tërësisht të panevojshme.

Ndryshe, një gjerman i shquar si Mihael Roth sapo i kërkoi falje Kosovës, andaj edhe Bodo Weber do duhej të ndiqte shembullin e tij dhe, përveç Kosovës, t’i kërkonte falje të madhe publike edhe Bosnjë-Hercegovinës për ndërhyrjet e pabalancuara politike, me të cilat para pak vitesh rrezikonte botërisht themelet e tërësisë unike të këtij shteti, duke dalë apriori në mbështetje të ligjeve të ideuara nga Serbia që edhe fizikisht çonin drejt ndarjes etnike të Bosnjës.

Bodo Weber mbahet mend për uverturën e njohur të vitit 2021, kur kërkonte publikisht nga Drejtoresha Ekzekutive e Bashkimit Evropian për Evropën, Angelina Eichhorst, që në bashkëveprim me përfaqësuesin e SHBA-ve, Matthew Palmer, t’i detyronte partitë kryesore boshnjake të pranonin një të ashtuquajtur reformë zgjedhore sipas shijeve të Dodikut, e cila do t’i përkeqësonte edhe më tepër problemet etnike dhe do të thellonte shumë më shumë ndasitë territoriale në Bosnjë e Hercegovinë, pikërisht në krizën më të rëndë që po kalonte Bosnja nën presionin e pareshtur prej më tepër se një dekade e gjysmë të tendencave separatiste, që kishte ndërmarrë me vrull të papërshkrueshëm ultranacionalisti serb i mbështetur nga Serbia, Millorad Dodik, për ndarjen e të ashtuquajturës "Republika Srpska" nga shteti unik i Bosnje-Hercegovinës.

Andaj është mjaft e habitshme kur z. Bodo Weber, përkundër faktit se ngjarjet që po ndodhin në Kosovë janë pjesë normale e zhvillimit të një demokracie të re në fillet e konsolidimit të saj, e quan edhe qeverisjen e vendit tonë si “relativisht autoritare” dhe që tenton “vendosjen e shtetit nën kontroll politik”, duke harruar (urojmë pa qëllim) se vetëm para rreth 6-7 muajsh, apo më saktësisht në fund të nëntorit të vitit të kaluar, në raportin e organizatës amerikane për "Siguri Globale", Gallup, për vitin 2025, Kosova me këtë qeverisje u rendit në krye të listave botërore për siguri publike dhe besim në institucione, duke grumbulluar 94 pikë nga 100 të mundshme dhe zënë vendin e parë në Evropë e të tretin në botë në Indeksin për Rend dhe Ligj.

Vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që nuk është shënuar asnjëherë, i cili për herë të parë e vendosi shtetin tonë të ri përkrah shteteve më të sigurta në mbarë globin, një sukses markant që nuk është arritur kurrë nga Kosova qysh nga shpallja e pavarësisë, të cilin jam i sigurt se do ta dëshironte edhe vetë Gjermania dhe shtetet tjera shumë më të fuqishme se Kosova, në rajon dhe botë!

Sa i takon ciklit të panevojshëm të përsëritjes së zgjedhjeve, edhe qytetarët tanimë dëshmuan se janë të lodhur nga proceset e shpeshta të votimeve dhe pasiguria politike, ndaj shprehja publike e gatishmërisë nga kryeministri në detyrë dhe fituesi i zgjedhjeve të radhës për bisedime me partitë opozitare, është hap i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçeve tashmë të njohura, kështu që apeloj te të gjitha partitë, pa dallim, ta pranojnë dialogun dhe të tregojnë përfundimisht maturi e qasje realiste, e cila mund të ndihmojë në formimin e shpejtë të institucioneve të reja shtetërore dhe të garantojë sigurimin e stabilitetit institucional e qeverisës në Kosovë.

Përsëritja e zgjedhjeve nuk sjell domosdoshmërisht ndryshim të madh politik, madje ato vetëm sa rritin edhe më tepër pakënaqësinë e elektoratit dhe zgjidhja e vetme e qëndrueshme sërish mbetet kompromisi ndërpartiak për krijimin e institucioneve funksionale, ndaj duhet t’i lini anash inatet politike e personale dhe të dialogoni në mënyrë të qytetëruar për ndërtimin e bashkëpunimit të mirëfilltë ndërpartiak, në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Ndryshe, sa i takon anës ndërkombëtare, edhe ne e dimë se është praktikë qysh moti e njohur që në negociatat diplomatike të ushtrohet presion mbi palën më të dobët derisa të arrihet një marrëveshje, gjë që ka disa raste kur e ka predikuar fuqishëm edhe vetë z. Bodo Weber dhe atë konkretisht në Bosnjë e Hercegovinë.

Andaj, nëse vërtet Bodo Weber e cilëson qeverisjen e vendit tonë si “relativisht autoritare” dhe thotë se po tentohet vendosja e shtetit nën kontroll politik, duhet ta ketë parasysh se Kosova, me gjithë problemet aktuale, ende nuk është duke u përballur me krizë të demokracisë, derisa një parti si AFD në Gjermani po fiton gjithnjë e më tepër terren dhe është vlerësim mbarëevropian se një ditë jo të largët, përveç kërcënimit real për demokracinë në Gjermani, ajo mund ta vërë në sprovë të vështirë stabilitetin politik rajonal dhe ta rrezikojë seriozisht edhe rendin demokratik evropian, ndaj deklaratën e tij unë realisht e shoh si lapsus të pamatur për kamuflimin e zhvillimeve të pakëndshme në vendin e tij, mjet presioni ndaj të dobëtit dhe cilësim të pasaktë e të ekzagjeruar politik për një vend të ri si Republika e Kosovës.

Bodo Weber vetëm para rreth tre vitesh deklaronte se Bashkimi Evropian bëri gabim që ndërmjetësoi edhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra ishte pikërisht po ky Bodo Weber i cili keqpërdori edhe tërheqjen vetëvullnetare të përfaqësuesve të pakicës serbe në nëntorin e vitit 2022 nga institucionet e Republikës së Kosovës, jo nga presioni i Qeverisë dhe institucioneve të shtetit të Kosovës, por shkaku i keqpërdorimit të vazhdueshëm të komunitetit serb në Kosovë dhe detyrimit nga Serbia e Aleksandër Vuçiqi, i cili, siç dihet botërisht edhe nga z. B. Weber, që nga krijimi i dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës "Lista Serbe", Vuçiqi dikton veprimet e saj dhe ajo është e detyruar të veprojë çdo herë vetëm sipas urdhrave të Vuçiqit.

Prandaj, parë realisht, ka vite që vendi ynë kishte nevojë të madhe për një qeveri serioze dhe udhëheqje të vendosur shtetërore për të vënë rend e ligj, për të shtrirë sovranitetin shtetëror në veri dhe për të vendosur nën kontroll veprimin ligjor të çdo segmenti institucional e shtetëror në gjithë territorin e vendit tonë. Kosova nuk përbën përjashtim dhe, ashtu siç udhëheqin gjermanët me planprogramet e projektuara sipas nevojave të shoqërisë dhe prioriteteve politike vendin e tyre, edhe Qeveria e Kosovës, e zgjedhur në mënyrë demokratike, udhëheq shtetin tonë të pavarur në bazë të nevojave prioritare të qytetarëve dhe parimeve parësore politike që ka shteti ynë i ri, me ç’rast duhet t’ia kujtojmë përsëri z. Weber se me këtë formë qeverisjeje, viti 2025 shënon vitin numër një kur Kosova zuri vendin e parë në Evropë dhe të tretin në botë për rend e rregull dhe sundimin e ligjit.

Vlerësim i merituar, i bazuar në gjendjen reale dhe i vërtetuar me zbatimin praktik të rendit e të ligjit në terren, i cili nuk erdhi si dhuratë formale e ndarë apriori, as “mirënjohje” me "hatër" apo e blerë me para, nuk ishte tekst i shpikur apo i interpretuar me të njohshëm, as dekoratë rasti kurtoazie e hedhur me hamendje dhe në mënyrë kolaterale për Kosovën nga organizatat më të njohura botërore, por një verdikt real nga organizatat më prestigjioze për rend e ligj dhe siguri në botë, akt i merituar e madhështor që, përkundër vështirësive aktuale, si banorë të një shteti të ri e të vogël të Evropës Juglindore, na bën shumë krenarë me vendin tonë dhe qeverisjen, qoftë edhe episodike, por të suksesshme të tij.

Në anën tjetër, zgjedhjet e 7 qershorit vërtetuan në praktikë se asnjë ndikim real nuk mund të ketë as ftohja e raporteve mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në të ardhmen politike të Kosovës, për vetë faktin tanimë të ditur nga të gjithë se zonjën Osmani e refuzuan në mënyrë masive edhe qytetarët dhe votuesi besnik i Republikës së Kosovës, duke mos ia shprehur besimin as ofruar mbështetjen minimale, gjë që dëshmon se edhe suksesi i deridjeshëm i zonjës ish-presidente ishte produkt i veprimit në sinkron me kryeministrin Albin Kurti, megjithëse, veçanërisht dy vitet e fundit, duhet pranuar se shumë nga ne, përfshirë edhe mua personalisht, të gjitha meritat ia kemi atribuar apriori dhe pa fakte të argumentuara në mënyrë autentike vetëm asaj!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".