Dominimi i spanjollëve

  • 30 April 2016 - 10:48
Dominimi i spanjollëve

Skuadrat spanjolle, shumë të suksesshme në garat evropiane

Mund të përballen në dy finale këtë edicion

Spanja është shumë pranë një fundi historik për të bërë që kupat evropiane të flasin spanjisht. Pas ndeshjeve të para gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, mundësia që të shohim dy finale spanjolle tashmë është më konkrete se kurrë. Nga njëra anë Atletico Madrid dhe Real Madrid mund të vendosen sërish përballë njëra-tjetrës, këtë herë në “San Siro” vetëm dy vjet pas finales të zhvilluar në Lisbonë, nga ana tjetër Villarreal dhe Sevilla që qëndrojnë në avantazh, respektivisht ndaj Liverpool-it dhe Shakhtar-it kanë mundësinë për të fluturuar të dyja më 18 maj në “St. Jakob Park” të Bazelit.

Në epërsi pas takimeve të para  

Sigurisht që asgjë nuk është vendosur ende, por gjithsesi këto ndeshje të para të gjysmëfinaleve të këtyre dy kompeticioneve duket se e konfirmojnë faktin se këtë vit kupat evropiane janë të një trend spanjoll, duke sjellë mundësinë për dy derbi spanjollë. Atletico qëndron në avantazh ndaj Bayern-it pas rezultatit 1:0 të marrë në “Calderon”, edhe pse sigurisht që ndeshja e kthimit në “Allianz Arena” mund të përmbysë çdo parashikim.

Ndërkohë, Real Madrid-it i nevojitet një fitore ndaj Manchester City-t në “Bernabeu”, aspak një mision i pamundur për madrilenët edhe pse do të ndikojë shumë gjendja e Cristiano Ronaldo-s, i cili me gjasë mund të mungojë në këtë përballje. Në Ligën e Evropës, Villarreal-it do t’i duhet të ruajë rezultatin 1:0 të marrë në “Anfield”, ndërsa Sevilla që tashmë duket se është mësuar me finalet e Ligës së Evropës, ka barazuar 2:2 në Donetsk.

Andaluzianët mund të sigurojnë kështu finalen e tyre të tretë radhazi, duke provuar të shpallen kampion për herë të tretë radhazi. Kjo skuadër e ka ngritur lart plot katër herë këtë kupë në edicionet 2006 dhe 2007, si dhe në dy të fundit 2014, 2015.

Barcelona kërkon titullin në Spanjë  

Ndërkohë, Barcelona që është eliminuar nga garat evropiane, kërkon të fitojë titullin në Spanjë. Barça sonte ndeshet me Betis-in, derisa ‘Mbretërit’ ballafaqohen me Real Sociedad-in. Sipas medieve spanjolle, lojtarët e Betis-it dhe Sociedad-it dëshirojnë që madrilenët të shpallen kampionë. “Unë nuk kam asnjë dëshmi të tillë, por e kuptoj se lojtarët e të dy skuadrave në fjalë kanë zemrat e tyre dhe mund të duan që ta fitojë kampionatin njëri apo tjetri.

Të tria ndeshjet e mbetura në La Liga kanë vështirësinë e tyre. Të tria janë të komplikuara. Shumëçka varet nga ne, por edhe mënyra e reagimit të kundërshtarit. Ne kemi filluar edicionin duke luftuar për ‘tripletën’, por tani kanë mbetur në lojë vetëm dy trofe. Ne e dimë se çfarë do të thotë të eliminohesh nga Liga e Kampioneve, por s’duhet të mbetemi peng i asaj që ka ikur.

Këto janë ndeshjet e fundit dhe normalisht që mbartin një presion të caktuar, i cili kërkon dinjitet ta përballosh”, deklaroi Luis Enrique, trajner i Barcelona-s.

Pesë nga dhjetë edicionet e fundit të Ligës së Kampionëve janë fituar nga skuadrat spanjolle, katër nga Barcelona dhe një nga Real Madrid

Në dhjetë edicionet e fundit të Ligës së Evropës, gjashtë kupa kanë shkuar për skuadrat spanjolle, katër për Sevilla-n dhe dy për Atletico Madrid-in

(Kosova Sot)