Ahmeti bllokoi 2 ditë kryeqytetin dhe shtoi ndotjen (Video)

  • 02 February 2018 - 08:09
Ahmeti bllokoi 2 ditë kryeqytetin dhe shtoi ndotjen (Video)

IMPROVIZIMET E NJË QEVERIE TË DËSHTUAR NË PRISHTINË

Veprimet 'ad-hoc' që mori Komuna e Prishtinës në kryeqytet, në emër të masave mbrojtëse për ajrin e ndotur, nga analistë politikë, opozita dhe qytetarët, po shihen si një improvizim i qeverisë së Shpend Ahmetit dhe vetëm një përpjekje e kotë e tij, për të mbuluar dështimin afro pesëvjeçar dhe paralajmërim për dështime të reja gjatë këtij mandati të ri. Ata theksojnë se është një dështim i të gjitha qeverisjeve të deritanishme komunale në Prishtinë, si ndër qytetet më të ndotura edhe në botë, që asnjëherë nuk e kanë pasur diskutim serioz dhe as prioritet zvogëlimin e ndotjes kancerogjene e vdekjeprurëse. Sidoqoftë, vendimi i fundit i kryetarit Shpend Ahmeti, për mbylljen e rrugëve, po shihet nga analistët si një vendim skandaloz 'adhoc', pa bërë kurrfarë analize dhe pa nxjerrë asnjë konkluzion serioz, pra në mënyrë krejtësisht amatoreske, joprofesionale e joracionale. Situata është rënduar sidomos në periferi, në hyrje e dalje të Prishtinës, në ato lagje, ku numër i madh veturash të mërkurën u panë të jenë parkuar vend e pa vend dhe kundërligjshëm. Mirëpo, është krijuar bindje edhe nga njohësit e politikës, edhe nga opozita komunale, por edhe nga qytetarët, se realisht, kjo gjendje e krijuar, as që i bën përshtypje anarkistit, kryetar i Prishtinës, i cili po e tregon veten edhe tash, se është i pazoti dhe i padenjë e i papjekur fare që ta drejtojë seriozisht kryeqytetin. Sipas tyre, Shpend Ahmeti, bashkë me grupin e tij, duhet të japin llogari se pse nuk ishte zgjeruar me kohë rrjeti i Termokosit, siç parashihej me projektin bazë, gjë që do ta zvogëlonte ndjeshëm ngrohjen me thëngjill, që është ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes. Kryetari i Prishtinës si zakonisht nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetarit.

Image

Krerët e Prishtinës bëjnë vetëm propagandë

Asamblisti i LDK-së në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, vlerëson se përpjekjet e qeverisë të Komunës së Prishtinës dhe të kryetarit për një mobilizim të përgjithshëm institucional, për ta zbutur presionin medial dhe të shoqërisë civile dhe të subjekteve të tjera, po ashtu edhe të qytetarëve të Prishtinës lidhur me shkallën alarmante të ndotjes së ajrit ishte vetëm një shpurdhje pa efekte esenciale, sepse faktorët e ndotjes janë të dukshëm dhe shumë të qartë. "Ata janë termoelektranat, ekonomitë familjare që ngrohen me thëngjill (të cilët janë të shumtë), lokalet riparuese të automjeteve, pronarët e të cilave ngrohen me vajrat e automjeteve dhe gomat e vjetra, mungesa e gjelbërimit të mjaftueshëm, mospastrimi i qytetit në masë të mjaftueshme, rrethanat klimatike aktuale, automjetet e vjetruara në qarkullim dhe mbeturinat nga më të ndryshmet, për të cilat përgjegjëse është Komuna dhe për të cilat fare nuk e qan kokën. Në këtë fazë emergjente zyrtarët komunalë janë vonuar, sepse urgjentisht është dashur të thirret seanca e jashtëzakonshme për ta diskutuar gjendjen e krijuar dhe për të marrë masat e nevojshme preventive për mbrojtjen e jetës së qytetarëve të kryeqytetit, sepse zhdukja e faktorëve që e shkaktojnë këtë ndotje nuk mund të bëhet menjëherë, por me një program afatmesëm zhvillimor dhe duke bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës dhe me donatorët ndërkombëtarë, të cilët nuk janë të paktë dhe këto mundësi kryetari dhe qeveria e tij fare nuk i ka shfrytëzuar në mandatin e kaluar", potencoi ai. Sipas tij, kjo qeveri është marrë vetëm me propagandë se ka mbjellë 10000 fidanë, se ka rregulluar dhjetëra parqe etj., po e tërë kjo është gënjeshtër, ndërsa nuk janë marrë me çështjen e mbeturinave dhe menaxhimin e tyre, por kanë zhvilluar politika mosbashkëpunimi me kompaninë "Pastrimi" dhe fare nuk kanë investuar në këtë fushë. "Ndalimqarkullimi selektiv në qytet nuk prodhon fare efekte pozitive në uljen e ndotjes së ajrit, sepse po të njëjtat vetura kanë qarkulluar në rrugët alternative, vetëm se janë krijuar tollovi në komunikacion. Do të kishte qenë shumë i efektshëm po qe se Komuna do të këshillonte qytetarët se si duhet vepruar për të mbrojtur shëndetin, duke përdorur maskat, duke e ndërprerë procesin mësimor për pak ditë në bashkëpunim me MASHT-in, duke angazhuar Policinë e Kosovës bashkë me kompetentët për kontrollime rutinore të automjeteve në komunikacion dhe gjendjen teknike të tyre, duke mobilizuar shërbimet e inspeksionit për të penguar keqpërdoruesit që ndikojnë në ndotjen e ambientit dhe shumë e shumë masa të tjera", theksoi Gashi për "Kosova Sot". 

Image

Edhe VV-ja e injoroi ambientin

Analisti politik Reshat Sahitaj thotë se Shpend Ahmeti është duke luajtur me qytetarët e Prishtinës në shumë aspekte nga të cilat, ai dhe një staf i tij i ngushtë përfitojnë materialisht. "Ndotja më e madhe dhe më e rrezikshme është tymi i Obiliqit me filtra false, si dhe të gjitha veturat qofshin ato me naftë apo benzinë, sepse nafta dhe benzina që vjen në Kosovë nuk janë natyrale, por të prodhuara në derivate speciale kancerogjene. Gjëja më urgjente që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës dhe Shpend Ahmeti është për kontrollimin e menjëhershëm të naftës dhe benzinës, si dhe masa urgjente që Obiliqin ta detyrojnë të përdorë filtra me standarde evropiane. Ndalimi i hyrjes në disa rrugë të Prishtinës është një lojë për të thënë se janë duke bërë diçka, e në fakt kanë shkaktuar tollovi dhe huti. Me këto ndalesa të përkohshme, Shpend Ahmeti e ka dëmtuar rëndë ekonominë lokale të bizneseve të vogla familjare në Prishtinë. Me këto ndalesa ka krijuar një tollovi të veturave, të cilat tymin e tyre e gjuajnë vetëm disa qindra metra larg, e i cili kthehet mbi Prishtinën. Çfarë pastërtie e ajrit mund të jetë kur të gjitha veturat janë në pritje të të gjitha akseve të Prishtinës, e tymi i tyre derisa ato presin është edhe më i fuqishëm sesa kur ecin shpejt", tha Sahitaj për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti Ragip Guraziu konsideron se rrëshqitja e kryeqytetit në këtë kaos nuk duhet të lërë pa ndëshkim kryetarin Ahmeti dhe ekipin e tij, që për një mandat e qeverisën Prishtinën dhe nuk ndërmorën asgjë për qytetarin."Shpend Ahmeti, bashkë me grupin e tij, duhet të japin llogari se pse nuk ishte zgjeruar me kohë rrjeti i Termokosit, siç parashihej me projektin bazë, gjë që do ta zvogëlonte ndjeshëm ngrohjen me thëngjill, që është ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes. Ndryshe, VV-ja e Shpend Ahmetit, në vend se të hidhte gaz lotsjellës në Kuvend, asnjëherë nuk ka kërkuar që të zbatoheshin ligjet dhe rregullat e të përfilleshin standardet mjedisore nga ndotësit e mëdhenj industrialë, siç është KEK-u, ku vetëm B-2-shi emeton ndotje alarmante, për shkak të mospërdorimit të filtrave që janë të obligueshëm me ligj. Me siguri se është kjo ndotje alarmante në Prishtinë përgjegjësi direkt e krerëve të Komunës, në krye me Shpend Jahtin, i cili, përveç aferave me tenderët e trafikimin me lejet e ndërtimit, licencat etj., me mafio-oligarkët e inkriminuar, që e ka dëshmuar se është i pazoti dhe i paaftë për ta adresuar me kohë këtë problematikë kaq shqetësuese, si dhe shumë të tjera problematika të qytetarëve", tha Guraziu për "Kosova Sot".

Image

Kryeqyteti në duart e bandave

Kritika të ashpra ka edhe analisti Reshat Badallaj."Shpend Jahtit i klubit të 'Vetëvendosjes' nuk i ka interesuar problemi i zhvillimit dhe infrastrukturës të Prishtinës, as zhvillimi ekonomik dhe as zhdukja e papunë- sisë, që kishin dhënë premtimet boshe në fushatën parazgjedhore, por të cilat dolën mashtrime të turpshme. Shpendit i ka interesuar lidhja me bandën serbiane të mafio-oligarkëve Devolli dhe duke mos i interesuar fare shëndeti i njerëzve", u shpreh ai. "Këtu tregohet aftësia e Shpend Jahtit, që në vend të insistojë që të ndërrohen filtrat dhe jo të thithin ajrin e ndotjes qytetarët që do të jetë fatal për shëndetin e kësaj popullate të kësaj anë, por shkon e bën sallamadi nëpër jahtet disa milionëshe të bandës serbe Devolli, dhe duke ndarë pazarin me ta", potencoi Badallaj."Për ndotjen e Prishtinës, si ndotësi më i madh në botë, turpi bie edhe mbi shpatullat e Shpend Jahtit, sepse dihet se sa vite e qeveris kryeqytetin dhe nuk ka vërë dorë në këto dikastere për të ndaluar ndotjen e ajrit për të mirën e shëndetit të qytetarëve të Prishtinës", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot". Vëllezërit Devolli sërish nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e gazetarit. Kritika ka edhe analisti Arsim Haziri."Vendimi i pardjeshëm për ndërprerjen e komunikacionit dhe lëvizjen anash nën arsyetimin e zvogëlimit të helmeve kancerogjene, as nuk i kontribuon zvogëlimit të ndotjes së ajrit as nuk e është i justifikueshëm", ka theksuar ai."Ndotjen e ajrit fatkeqësisht po e bëjnë politikanët tonë, të cilët asnjëherë nuk kanë ndërmarrë masa emergjente në termoelektranat, të cilat gjenden në Kosovë dhe kësisoj të zvogëlojnë në sasinë e helmeve të rrezikshme për shëndetin e njerëzve", tha ai për "Kosova Sot".

Image

Masa minore dhe irrituse

Analisti politik Blerim Burjani konsideron se disa masa minore janë pozitive, por shumica po reflektojnë negativisht dhe i kanë irrituar qytetarët."Disa masa janë pozitive të ndërmarra, por ajo që vështirëson dhe shkakton kaosin në transport është mbyllja e disa rrugëve anësore, siç është rruga nga 'Qafa' dhe që çon nga Mensa e studentëve, këto dy rrugë nuk mund të ndalen. E vërteta është se Prishtina s'ka shumë rrugë kryesore lidhëse dhe ky defekt është i planit urbanistik prej kohëve të kaluara. Pra, plani urbanistik është problematik, s'ka shumë rrugë", tha Burjani për "Kosova Sot", duke shtuar se në temën e ndotjes kanë dështuar edhe Qeveria, edhe Komuna e Prishtinës. Ndërsa, sipas analistit Gani Qarri, vendimi i vonuar për ndalimin e hyrjes së një numri kaq të madh automjetesh në kryeqytet, është një lloj arsyetimi. "Vendimi për ndalimin e hyrjes së automjeteve në kryeqytet, është i qëlluar, por jo edhe i mjaftueshëm, ky është vetëm një vendim 'ad-hoc' dhe i improvizuar i qeverisë komunale të Shpend Ahmetit, si përpjekje arsyetuese, për të mbuluar para opinionit dështimin afro pesëvjeçar dhe alarm për dështime të reja gjatë mandatit vijues", tha ai për "Kosova Sot". Sipas Qarrit, ndotësit kryesorë të ajrit, me gjithë numrin e madh të tyre, nuk janë vetëm veturat dhe përdorimi i thëngjillit në shtëpitë private, por vrasësit e vërtetë mbeten termocentralet me makineri e teknikë të vjetruar me të cilat ato edhe sot punojnë, duke nxjerrë sasi të mëdha tymi e pluhuri. "Përkundër të gjithave, edhe pse tanimë kryeqyteti i vendit tonë njihet si një ndër qytetet më të ndotura në botë, nga kryetari dhe udhëheqja e tij, pothuajse asnjëherë nuk pati diskutim serioz, as shqyrtua kurrë me prioritet zvogëlimi i ndotjes kancerogjene e vdekjeprurëse të ajrit në Prishtinë", u shpreh ai."Politika e kriminalizuar vendore dhe veprimet joprofesionale e amatoreske të udhëheqjes komunale, duke mos marrë parasysh asnjëherë sugjerimet e ekspertëve mjedisorë dhe parë vetëm përfitimet e veta materiale, sidomos përmes importimit të karburanteve me kualitet të dyshimtë dhe të pakontrolluara askund, u kthyen në "vrasës" të një- mendtë të ambientit dhe mjedisit në Kosovë bashkë me termocentralet e stërvjetruara, pa riparime të nevojshme e moderne dhe që mbahen në veprim kundërligjshëm, pa marrë parasysh ndotjen e mjedisit dhe dëmtimin e shëndetit të qytetarëve të Kosovës", vijoi më tutje ai. Sipas Qarrit, kjo gjendje dëshmon katërçipërisht se si i pari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ashtu edhe qeveria dhe e gjithë kasta aktuale politike, mbeten të pazot për të udhëhequr me shtetin dhe për të zgjidhur e për të adresuar me kohë problemet jetike dhe më shqetësuese për qytetarët e vendit.

Image

Qytetarët e revoltuar 

Qytetarë prishtinas, të goditur nga ky plan dhe vendim i paanalizuar mirë i Komunës dhe kryetarit Shpend Ahmeti, shprehen shumë kritikë për veprimin e tij 'ad-hok' me tentativë që t'i mbulojë dështimet e tij të mandatit të kaluar, e që nuk besojnë se do të riparohen as në këtë mandat të ri. Qerim Selimi thotë se sado që po improvizohet një vendim i tillë, dështimi do të mbetet ai që shihet dhe pasojat po i bart gjithë kryeqyteti, madje edhe qytetarët e vendeve periferike. "Dështimin nuk mund ta mbulojë Komuna, kjo është dashur të bëhet qysh më herët, para nja 5 apo 6 vjetësh, kurse tani këta po duan të shohin që t'i ndalin nxehjet me qymyr edhe nëpër shtëpia, por ishte dashur më herët që të bëjë Komuna diçka më mirë për këtë popullatë, që t'ia sigurojë disi nxehjen, sepse mua po ma merr mendja që kjo nuk është kurrgjë. Sa u përket veturave, nuk besoj që është aq problem, nuk sjellin aq shumë ndotje, problemi është te KEK-u dhe te ne popullata që po ngrohemi me qymyr, sepse nuk po kemi tjetër mundësi", u shpreh ai për "Kosova Sot". Gjykim kritik dhe vlerësim negativ ka edhe Mehmet Neziri. "Deputetët janë vetë ata që e kanë nxjerrë ligjin dhe atë ligj as ata vetë nuk e zbatojnë, vetë e shkelin ligjin dhe kështu nuk ka asgjë. Tash e kanë pru këtë vendim për ndërprerjen e qarkullimit të automjeteve dhe as kjo nuk është e drejtë, për arsye se njerëzit kanë punë dhe ata duhet t'i kryejnë disi punët e veta, prandaj kjo lloj ndërprerjeje e qarkullimit të automjeteve për mua është e pajustifikueshme", tha Neziri për "Kosova Sot". Me këto masa 'ad-hok' nuk pajtohet as qytetari Murat Sadiku. "Nuk është vepruar aq mirë, por në një mënyrë duhet gjetur zgjidhjen, ndoshta nëpërmjet ndonjë takse për zvogëlimin e këtyre automjeteve, sepse edhe këto automjete janë ndotës. Makinat e vjetra, qymyri është ndotës, por qymyri ka zgjidhje", ka theksuar ai. Sipas Sadikut, ka mundësi me nxehje të tjera, për të sjellë gazin, ose nga Obiliqi të sillet nxehja nëpërmes të Termokosit.

(Kosova Sot)