Dezertorët e VV-së, kundërligjshëm në delegacionin e Kosovës (Video)

  • 07 February 2019 - 11:02
Dezertorët e VV-së, kundërligjshëm në delegacionin e Kosovës (Video)

Fetahu: Deputetët që thirren si deputetë të PSD-së KQZ-ja nuk i njeh si përfaqësues të PSD-së, sepse ata i kanë marrë votat si VETËVENDOSJE! 

“Me këtë rast duhet të merret Gjykata Kushtetuese, për të përcaktuar paligjshmërinë e të arratisurve nga VV-ja në delegacionin shtetëror, e aq më tepër për të sqaruar funksionin e paligjshëm të kryetarit të Prishtinës në këtë delegacion të ashtuquajtur shtetëror të koalicionit PAN.

Përfundimisht, bazuar në Ligjin ekzistues mbi kompetencat dhe të drejtat se kush mund të jetë pjesë e ekipit negociator, "PSD"-ja nuk e plotëson kushtin themeltar për të qenë pjesë e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë, e aq më pak Shpend Ahmeti nuk mund ta lërë vakant postin e kryetarit të kryeqytetit për një post eksplicit formal në bisedimet e Brukselit, për shkak se ligjërisht nuk mund t'i mbulojë dy postet njëkohësisht një person, pavarësisht kapaciteteve intelektuale dhe përmasave trupore”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Analistët politikë, përfaqësuesit nga opozita, por edhe qytetarët, mendojnë se partnerët e koalicionit janë duke shkelur rëndë ligjin dhe Kushtetutën me mënyrën se si e kanë formuar ata ekipin shtetëror për bisedimet me Serbinë, si e kanë miratuar ligjin dhe i kanë përcaktuar kriteret për përfaqësim në këtë ekip negociator. Tanimë kjo shkelje e ligjit diktohet derisa shihet përbërja aktuale pa VV-në dhe LDK-në, por me përfaqësimin e kundërligjshëm të dezertorëve, të cilët ikën nga VV-ja dhe formuan grup të veçantë parlamentar, duke marrë në huazim ish- partinë politike, PSD-në.

Shkelja konstatohet pasi që sipas analistëve dhe njohësve të Ligjit zgjedhor, koalicioni qeverisës  ka formuar ekip për bisedime nga përfaqësues politikë me tjetër emër të subjektit politik, pa legalitet dhe legjitimitet të certifikuar ligjërisht në zgjedhje. Sipas njohësve të ligjit, Shpend Ahmeti nuk mund të jetë bashkëkryesues i delegacionit shtetëror gjatë procesit të dialogut, por as bashkëpartiakët e tij nuk mund të jenë pjesë përbërëse e këtij delegacioni, sepse pikërisht këtë ua pamundëson ligji, të cilin vetë e kanë “sponsorizuar”, e të cilin e ka miratuar Kuvendi i Kosovës më 2 dhjetor. Në ligjin përkatës, ku flitet për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë, është e përcaktuar qartë se kush mund të jetë pjesë e ekipit negociator, kusht të cilin nuk e plotësojnë anëtarët e Partisë Socialdemokrate.

Aty thuhet eksplicit se: “Nominimet për anëtarë të delegacionit shtetëror bëhen nga përfaqësues të partive parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës…”, neni 5, pika 2, e ligjit. E Partia Socialdemokrate nuk është parti parlamentare. Ajo është parti e regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por nuk është parti që ka fituar ndonjë mandat të deputetit në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Fetahu: Mandatet u njihen partive që morën pjesë në zgjedhje

Deputetët që thirren në emër të kësaj partie përfaqësojnë në Kuvend vetëm një grup parlamentar të emërtuar “PSD”, e jo ndonjë parti. Të 12 deputetët që janë pjesë e këtij grupi në KQZ figurojnë si anëtarë të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’! Këtë konstatim profesional e jep ish-anëtari i KQZ-së Ilir Fetahu, sipas të cilit me hyrjen në fuqi të ligjit, pas dekretimit, automatikisht përfaqësuesit e PSD-së që janë emëruar në këtë ekip duhet të lënë pozitat e tyre dhe të largohen nga ekipi, pasi këtë nuk e lejon ligji.“Unë mendoj që PSD-ja në këtë rast, në momentin kur hyn në fuqi Ligji për dialogun dhe derisa me atë ligj është sanksionuar që partitë politike parlamentare duhet të dërgojnë  përfaqësuesit e tyre, t’i nominojnë atë automatikisht PSD-ja  duhet të përjashtohet nga ekipi për bisedime, pra atë e përjashton vetëm ligji, sepse nuk mund të konsiderohet parti parlamentare, sepse ndonëse është e regjistruar në KQZ si e tillë, deputetët që  thirren si deputetë të PSD-së KQZ-ja nuk i njeh si përfaqësues të PSD-së, sepse ata i kanë marrë votat si VETËVENDOSJE! dhe si të tillë edhe janë certifikuar dhe kanë marrë mandatet për në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh ai.

“Tani ata janë ndarë nga VV-ja, por ligjërisht edhe pse kanë formuar grup parlamentar nuk mund ta kenë të drejtën që si subjekt politik parlamentar i certifikuar të përfaqësohen në ekipin për dialogun me Serbinë. Pra, mandatet dhe e drejta e përfaqësimit si parti politike parlamentare, në bazë të këtij formulimi ligjor, u njihet vetëm partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe si të tilla janë certifikuar ato mandate të fituara, kështu që të gjithë këta që tani janë në PSD, janë certifikuar si deputetë të VV-së dhe këtu ka problem ligjor”, tha Ilir Fetahu për “Kosova Sot”.

Lajçi: Manipulimi me opozitën

Deputeti opozitar nga radhët e VV-së, Ali Lajçi, konsideron se duhet të bëhet dallimi mes grupit parlamentar dhe partisë parlamentare, prandaj ndeshja me ligjin është e qartë dhe shumë logjike.“Aty ka shumë telashe, sepse e kanë bërë qëllimisht, ku thuhet se pjesëmarrëse në këtë dialog është edhe opozita, që realisht nuk është ashtu, por ka mundur të thuhet se pjesëmarrëse është PSD-ja, por jo të thuhet opozita, sepse ajo nuk përfaqëson tërësinë.

Madje këta në emër të opozitës në mungesë, që janë dy parti tjera politike, VV-ja dhe LDK-ja, këta që janë nga PSD-ja shkojnë në emër të këtyre partive politike dhe e përbëjnë një numër më të madh të përfaqësimit nga ana e PSD-së e që nuk është korrekte, sepse edhe po ta kishin këtë të drejtë, vendet për pjesën tjetër të opozitës do të duhej të mbeteshin të zbrazëta në pritje, vende të hapura, por jo që t’i zëvendëson dikush. Mirëpo, kjo nuk është aspak e çuditshme kur dihet se edhe vetë ky ligj është jashtë kornizave kushtetuese, sepse marrëveshjet nuk janë çështje ligjore, por është Kushtetuta si akti më i madh mbi të gjitha ligjet, mbi bazën e të cilit akt kushtetues duhet të bëhen edhe marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Lajçi për “Kosova Sot”.

Në Parlament deputetë të PSD-së, në KQZ të VV-së

Ish-anëtari tjetër po ashtu i KQZ-së, Blerim Burjani, beson që kjo shkelje e ligjit po bëhet me paramendim të qartë, që PSD-ja edhe zyrtarisht të bëhet pjesë e koalicionit me PDK-në.“PSD-ja ka një kohë të gjatë që dialogon me PDK-në dhe mu ky subjekt politik është bërë patericë e koalicionit PAN. PSD-ja mund të pritet të jetë pjesë e koalicionit, sepse vetëm ky subjekt politik  mund të ndihmojë PAN-in që të mbijetojë.

Madje po thuhet që  PDK-ja iu ka propozuar të udhëheqin 5 ministri, që do të thotë se janë joshur mjaft shumë nga PAN-i deri më tash. E PAN-i  vetëm e ka shfrytëzuar grupin e PSD-së, por asgjë kjo parti s’ka fituar akoma për shërbimin që po i bën në formë të patericës. Kur jemi te përkrahja e dialogut apo bërja pjesë e këtij subjekti, kjo e ka humbur krejtësisht epitetin apo emërtimin opozitë, sepse ky subjekt politik më nuk ka asnjë lidhje të ngushtë me opozitën”, theksoi Burjani.

Zeqa: Shpend Ahmeti nuk mund të jetë bashkëkryesues i delegacionit shtetëror

Sipas analistit politik Florim Zeqa, duke u bazuar në ligjin e 2 dhjetorit të vitit të kaluar, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, Shpend Ahmeti nuk mund të jetë bashkëkryesues i delegacionit shtetëror gjatë procesit të dialogut, por as bashkëpartiakët e tij nuk mund të jenë pjesë përbërëse e këtij delegacioni, sepse pikërisht këtë ua pamundëson ligji, të cilin vetë e kanë “sponsoruar” në të kaluarën jo fort të largët. “Të 12-të deputetët që janë pjesë e grupit të "PSD"-së, këtij subjekti të vdekur prej vitesh, në KQZ figurojnë si anëtarë të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’.

Pra, Shpend Ahmeti dhe deputetët që thirrën në emër të partisë fantazmë, ligjërisht për KQZ-në dhe skemën parlamentare në Kuvendin e Kosovës janë deputetë të VV-së, por që paturpësisht i bartur mandatet në grupin e ashtuquajtur  parlamentar "PSD". E vërteta është se "PSD"-ja është parti e regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por nuk është parti që ka fituar ndonjë mandat të deputetit në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Andaj, në bazë të ligjit në fuqi, eksplicit se: “Nominimet për anëtarë të Delegacionit Shtetëror bëhen nga përfaqësues të partive parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës…”,  andaj "PSD"-ja nuk është parti parlamentare me mandate të fituara nga zgjedhjet e fundit, por është parti me mandate të kontrabanduara në Kuvendin e Kosovës, falë boshllëkut ligjor që e lejon transferimin e mandateve nga një subjekt në tjetrin”, vijoi më tej Zeqa për “Kosova Sot”.

Sistemi i kapur nga mafia politike

Analistit politik Ragip Guraziu është i sigurt që në këtë rast,  sipas ligjit, Shpend Ahmeti nuk mund të jetë bashkëkryesues  as  pjesë e ekipit për bisedime në delegacionin shtetëror të Kosovës, por ky dhe deputetët e tij janë aty pasi kemi një shtet të kapur.  “Jo rastësisht kemi shkruar se i gjithë sistemi politik shtetëror i kapur nga mafia dhe oligarkët e nëntokës, ku të gjitha partitë janë të përlyera me korrupsion, rasti i Shpend Ahmetit dëshmon qartë se çfarë udhëheqës shtetërorë kemi ne në Kosovë, që njëherësh e propozuan Shpend Ahmetin si bashkëbisedues i parë i delegacionit shtetëror, e tani shikojeni si qenka shkelë ligji! Pra, pa asnjë hezitim partnerët e koalicionit po i shkelin ligjin dhe Kushtetutën  me përbërjen e ekipit negociator nga përfaqësues pa legalitet dhe legjitimitet të certifikuar ligjërisht në zgjedhje.

Po e them këtë sepse sipas ligjit Shpend Ahmeti nuk mund të jetë bashkëkryesues i delegacionit shtetëror gjatë procesit të dialogut, por as bashkëpartiakët e tij nuk mund të jenë pjesë përbërëse e këtij delegacioni, sepse pikërisht këtë ua pamundëson ligji, të cilin vetë e kanë “sponsorizuar”, e të cilin e ka miratuar Kuvendi i Kosovës më 2 shkurt”, u shpreh ai.“Në ligjin përkatës, ku flitet për detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë është e përcaktuar qartë se kush mund të jetë pjesë e ekipit negociator, kusht të cilin nuk e plotësojnë anëtarët e Partisë Socialdemokrate. 

Sikur që shihet aty, qartë thuhet eksplicit se:“Nominimet për anëtarë të delegacionit shtetëror bëhen nga përfaqësues të partive parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës…”,  neni 5, pika 2 të ligjit. E Partia Socialdemokrate nuk është parti parlamentare. Tani me të drejtë mund të shtrohet pyetja pse Kuvendi ka heshtur dhe deputetët a i njohin ligjet dhe punën e tyre për çfarë janë aty? Tani thuhet se ajo është parti e regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por nuk është parti që ka fituar ndonjë mandat të deputetit në zgjedhjet e fundit parlamentare. Deputetët që thirrën në emër të kësaj partie përfaqësojnë në Kuvend vetëm një grup parlamentar të emërtuar “PSD”, e jo ndonjë parti që ka fituar vota në zgjedhje. Është e ditur qartë dhe ligjërisht se 12 deputetët që janë pjesë e këtij grupi në KQZ figurojnë si anëtarë të Lëvizjes “Vetëvendosje” por edhe në Kuvendin e Kosovës  janë regjistruar si VV, prandaj këtu gjithçka është në kundërshtim me ligjin”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Sipas Guraziut, përfaqësimi i të ashtuquajturve deputetë të PSD-së në këtë ekip për bisedime është lejuar pasi që kemi pushtetarë të inkriminuar në Kosovë, si në Qeveri, Presidencë, por edhe tek Kuvendi dhe në të gjitha nga nivelet, nga ai qendror deri tek ai komunal apo lokal.

Badallaj: Pafytyrësi e madhe

Analisti politik Reshat Badallaj tha për “Kosova Sot” se nuk mund të pritet ndonjë veprim i mirëfilltë i ligjshëm nga ata që gjithmonë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten mbi ligjin. “Bandat e partneritetit të koalicionit nuk njohin as shtet e as ligje. Kjo bandë e korruptuar me njerëz të aferave dhe skandale korruptive dhe me procedura penale për hajni, nuk meritojnë të jenë dhe të flasin në emër të popullit me Serbinë fashiste si përbërje e ekipit negociator.

Si mund të flasë në emër të popullit ta zëmë Shpend hajni apo Shpend jahti kur ka një bjeshkë akuzash për katrahurën në Prishtine, për hajni dhe si u kap me pelë përdore me bandën famëkeqe serbiane Devolli tinëzisht në jahtin disa milionësh, si mund të flasë ky dilenxhi në emër të popullit kur i ka dhënë leje ndërtimi sallamadi dhe toka në zemër të Prishtinës pikërisht kësaj bande shkatërruese të buxhetit të shtetit, si mund të flasë Fatmiri i Malishevës, ku vite të tëra është hallakatur nëpër procese për hajni për punën e “petull asfaltit” me miliona e miliona. A janë në terezi kjo kope banditësh e hajnash”, theksoi ai. Kulmin e këtij turpi sipas Badallajt e bën grupi i Shpend Ahmetit që dezertoi nga VV-ja dhe hyri nën strehë të një partie politike joparlamentare.

 “Pra, si mund të flasë dezertori në emër të popullit. Po kjo është pafytyrësi dhe tradhti e këtyre hajnave shkuar hajnave”, tha Reshat Badallaj.

Qytetarët të pakënaqur me ekipin negociator

Shkelje serioze ligjore e konsiderojnë tani këtë mënyrë kamuflimi të ekipit për bisedime, duke i dhënë hapësirën më të madhe përfaqësuese PSD-së që nuk është subjekt politik i dalë dhe i certifikuar nga zgjedhjet, edhe qytetarët e anketuar nga gazeta, prandaj ata kërkojnë  shpërbërjen dhe rikompozimin e këtij ekipi. Këtë e mendon kështu qytetari Selver Lenjani.

“Në këtë rast veç po dëshmohet dhe po shihet që është shkelur ligji me të dyja këmbët, madje ligji i cili është sponsorizuar, siç po thuhet, nga vetë grupi që mban emrin PSD, sepse në grupin negociator, në të cilin ka marrë pjesë tani edhe Shpend Ahmeti, kinse si PSD, e cila nuk është parti që ka ardhur në Kuvend nga zgjedhjet dhe e certifikuar si parti politike me vende të fituara në zgjedhje, kjo është shkelje serioze ligjore me të dyja këmbët, si e themi ne qytetarët dhe e themi ashtu popullorçe. Këtu, në këtë grup negociator, shumicën e përfaqësimit është dashur ta kenë partitë politike në koalicionin qeverisës, siç janë PDK-AAK-NISMA dhe AKR, vetëm këto janë parti politike që kanë legjitimitet përfaqësimi, sikurse që këtë legjitimitet e kanë edhe LDK-ja dhe VV-ja, sepse janë dy parti politike pjesëmarrëse në zgjedhje, të certifikuara dhe me vende të fituara, por këta nuk kanë dashur të marrin pjesë”, u shpreh ai.

“Kjo përbërje me këto parti politike në pozitë dhe opozitë do të ishte përbërje legjitime sikur ta kishte votuar parlamenti përbërjen e ekipit për bisedime, mirëpo në këtë rast shkelja e ligjit është bërë pa asnjë dyshim, sepse një eksperiment të tillë nuk e lejon as Kushtetuta e Kosovës dhe as ligjet që rrjedhin nga Kushtetuta. Mendoj që  derisa gjithçka është në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën, në momentin kur të hyn ligji në fuqi kjo përbërje e grupit negociator duhet të bjerë poshtë, pasi me ligj nuk e ka legjitimitetin, sepse këta të PSD-së nuk janë subjekt politik i dalë nga zgjedhjet, i kanë mandatet e VV-së dhe vetëm se janë shkëputur nga VV-ja dhe tani si subjekt politik eksperimental është jolegjitim që të përfaqësohet në këtë ekip të bisedimeve Shpend Ahmeti komplet me ata deputetët e vet që i ka aty”, theksoi Lenjani për “Kosova Sot”.

Këtë mendim e ka edhe qytetari tjetër, Xhevat Syla.“Sigurisht që këta nuk mund të kenë legalitet dhe legjitimitet ligjor të përfaqësimit, sepse votat i kanë fituar si VV, kurse kanë dalë nga ky subjekt politik dhe kanë kaluar në një subjekt tjetër politik joparlamentar, që nuk ka rezultat zgjedhor të fituar e të certifikuar. Unë mendoj që duhet të rishqyrtohet përsëri mandati i tyre në ekipin negociator, në delegacionin shtetëror për bisedime”, vlerësoi Xhevat Syla.

(Kosova Sot)