Eskalon situata në Hong Kong, protestuesit ia vënë flakën një burri

  • 11 nëntor 2019 - 14:24
Eskalon situata në Hong Kong, protestuesit ia vënë flakën një burri

Një grup i protestuesve i kanë hedhur lëndë të lëngshme djegëse një burri dhe më pas ia kanë vënë flakën. Besohet që incidenti ndodhi pasi ai ishte grindur me protestuesit lidhur me identitetin kombëtar.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas skenave të dhunshme të së hënës dhe disa orë pasi një polic e qëlloi me armë zjarri një protestues.

Në pamjet e publikuara në internet shihet një burrë duke u grindur me një grup të rinjsh dhe të rejash. Fytyra e tij është e gjakosur dhe ai dëgjohet duke bërtitur: “Ju nuk jeni kinezë”, ndërsa protestuesit i kundërpërgjigjen me fjalët: “Ne jemi hongkongas”.

Përderisa grindja po vazhdonte, një person i maskuar vjen prapa grupit të protestuesve dhe e lag burrin me lëndë djegëse dhe më pas ia vë flakën. Sulmuesi më vonë shihet duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Autoritetet thanë se burri i sulmuar ndodhet në gjendje kritike në spital.

Ndryshe, ndonëse protestat në Hong Kong janë mbajtur zakonisht vetëm gjatë fundjavës, përleshjet mes policisë dhe protestuesve vazhduan këtë javë edhe të hënën.

Pikërisht sot, një polic e qëlloi me armë një protestues përderisa ai po mundonte ta tërhiqte një person që ishte kapur nga pjesëtari i forcave të sigurisë, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)