Prekëse: Berberi papritmas rruan flokët për t’u dukur si kolegu me kancer

  • A.P /
  • 14 April 2021 - 13:20
Prekëse: Berberi papritmas rruan flokët për t’u dukur si kolegu me kancer

Një berber në Spanjë ka prekur zemrat e shumë njerëzve me gjestin e tij. Përderisa po ia shkurtonte flokët kolegut të tij që është duke u trajtuar me kimioterapi për shkak të kancerit, ai papritmas i hoqi flokët e veta për t’u solidarizuar.

Në videon e publikuar në internet, berberi Joel Ortega dëgjohet duke i thënë kolegut të tij, Neftali Martin, që po trajtohet për kancer, “ti nuk je vetëm”.

Në një video tjetër të publikuar në Instagram, berberi i sëmurë tregoi se Ortega i ka thënë se do të vazhdojë që ta rruajë kokën bashkë me të derisa ta përfundojë trajtimin mjekësor.

“Për mua, Joel nuk është thjesht një koleg pune, ai është vëlla”, shkroi Martin.

Sipas pamjeve në një video tjetër të publikuar në TikTok, së paku katër berberë të tjerë i kanë rruar kokat e tyre për t’u solidarizuar me kolegun.

Shumë njerëz vendosin që t’i rruajnë flokët para se ta fillojnë trajtimin për kancer, sepse rënia e flokëve është efekt anësor i zakonshëm i kimioterapisë.

(Kosova Sot Online)