Roderika e befason nënën e saj live në studio: Nuk ka person në botë që dua më shumë se mamin
Një moment emocionues ka pushtuar studion televizive, kur gjatë rrëfimit të saj të ndjerë, autorja dhe ish-deputetja Margarita Kadriu është befasuar live nga vajza e saj, Roderika, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Derisa ajo po tregonte me mirënjohje të thellë se si Roderika, në moshën vetëm 16-vjeçare, u bë shtylla dhe kujdestarja e saj kryesore në Amerikë pasi goditja në tru e la të pafuqishme, e bija është shfaqur në studio me një buqetë me lule në duar.
Ky takim i papritur për të ka shpërthyer në emocione të pastra, ku Roderika ndër të tjera theksoj se: "Nuk ka person në botë që dua më shumë se mamin... Definitivisht jam shumë krenare për mamin se jo veç është e fortë në punë, po natyrisht është e fortë edhe në jetën personale, në shëndet."
E pyetur për momentet më të vështira të rrugëtimit të shërimit, Roderika ka kujtuar periudhën e parë kur mjekët nuk jepnin shpresë për jetën e nënës së saj, duke u shprehur: "Mendoj që fillimisht kur e kena marrë lajmin si familje ka qenë momenti më i vështirë për shkak se është lajm i rëndë me u marrë sidomos në moshën 16-vjeçare, se mami nuk dihej a zgjohet a nuk zgjohet më... Unë veç e injoroja atë për shkak se me të vërtetë besoja që ka me ndodhur një mrekulli. Edhe e njoh mamin më shumë se gjithkënd tjetër në botë, edhe e njoh që e ka shpirtin luftarak."
Roderika ka përcjellë edhe një mesazh të fuqishëm shprese për të gjithë fëmijët dhe familjarët që përballen me situata të tilla të rënda shëndetësore: "Mesazhi im për ta është që mos të humbin kurrë shpresën... sado që mundet me qenë vështirë, gjeni dikë që mundet me ju përkrah në këto momente. E di që ndonjëherë është edhe vështirë me fol për këto gjëra, po e di që nëse kjo histori mundet me i ndihmuar dikujt, kisha pasur dëshirë të shkojë deri në fund."
Triumfi i Margarita Kadriut është një mrekulli e ushqyer nga dashuria e pakufishme dhe lidhja e shenjtë mes nënës dhe vajzës, duke u kthyer në një mesazh të pastër shprese për mbarë publikun.
(Kosova Sot Online)
