Njihuni me vendin që ruan trupat e njerëzve për t’u ringjallur më vonë

  • E.K /
  • 14 October 2022 - 09:56
Njihuni me vendin që ruan trupat e njerëzve për t’u ringjallur më vonë

Koha dhe vdekja janë “në pauzë” për disa njerëz në Scottsdale, Arizona, SHBA. Brenda rezervuarëve të mbushur me azot të lëngshëm janë trupat e 199 njerëzve që zgjodhën të krioprezervoheshin me shpresën për t’u ringjallur në të ardhmen kur shkenca të ketë përparuar përtej asaj që është e aftë sot për sot.

Shumë nga “pacientët”, siç i quan Fondacioni Alcor Life Extension, ishin të sëmurë me kancer, ALS ose sëmundje të tjera pa shërim të sotëm.

Matheryn Naovaratpong, një vajzë tajlandeze me kancer në tru, është personi më i vogël që është kriopreservuar, në moshën 2-vjeçare në vitin 2015.

“Të dy prindërit e saj ishin mjekë. Vogëlushja kishte bërë shumë operacione në tru dhe asgjë nuk funksionoi, për fat të keq. Kështu ata na kontaktuan,” tha Max More, shefi ekzekutiv i Alcor, një organizatë jofitimprurëse e cila pretendon të jetë lideri botëror në krionikë.

Pionieri i Bitcoin, Hal Finney, një tjetër pacient i Alcor, trupi i tij u kriopservua pas vdekjes nga ALS në 2014.

Procesi i kriopservimit fillon pasi një person shpallet ligjërisht i vdekur. Gjaku dhe lëngjet e tjera hiqen nga trupi i pacientit dhe zëvendësohen me kimikate të krijuara për të parandaluar formimin e kristaleve të dëmshme të akullit.

Të ngrirë në temperatura jashtëzakonisht të ftohta, pacientët e Alcor vendosen më pas në kuti metalike në objektin e Arizonës “për aq kohë sa duhet që teknologjia të evoluojë,” thotë More, citon agjencia e lajmeve Reuters.

Kostoja minimale është 200,000 dollarë për trupin dhe 80,000 dollarë vetëm për trurin. Shumica e pothuajse 1,400 “anëtarëve” të gjallë të Alcor paguajnë duke e bërë kompaninë Alcor, përfituese të policave të sigurimit të jetës për të mbuluar koston, tha More.

Gruaja e More, Natasha Vita-More e krahason procesin me një udhëtim në të ardhmen.

“Sëmundja ose lëndimi shërohet ose rregullohet, dhe personi ka një trup të ri të klonuar ose një protezë të tërë trupi ose trupi i tij ringjallet dhe (mund) të takohet përsëri me miqtë e tij,” thotë ajo.

Shumë profesionistë mjekësorë nuk pajtohen, thotë Arthur Caplan, i cili drejton divizionin e etikës mjekësore në Shkollën e Mjekësisë Grossman të Universitetit të Nju Jorkut.

“Ky nocion i ngrirjes së vetes për të ardhmen është goxha fantashkencë dhe është naivitet,” thotë ai. “Të vetmit që janë optimistë për mundësinë e ringjalljes janë njerëzit që merren me studimin e të ardhmes së largët ose njerëzit që thjesht kanë dëshirën të japin disa para për të shpenzuar.”

(Kosova Sot Online)