Nga pokeri te boksi dhe filmat, jeta e Ronaldos përtej futbollit

  • 28 prill 2019 - 12:48
Nga pokeri te boksi dhe filmat, jeta e Ronaldos përtej futbollit

Që nga koha kur “fenomeni” Ronaldo vari këpucët në gozhdë, ky sport humbi disi shkëlqimin dhe pak nga klasi që dhuronte në çdo ndeshje. Por shumë sfera të tjera të jetës filluan të merrnin pak nga shkëlqimi dhe fama që ai kishte fituar në fushën e lojës. Braziliani 42-vjeçar nuk ka reshtur së eksperimentuari.

U bë lojtar profesionist pokeri dhe një herë fitoi 30 mijë paund në një event profesional në Bahamas. Por kjo nuk është gjithçka. “Fenomeni” për momentin është pronar i klubit të Vajadolidit, pasi në vitin 2018 bleu 51% të aksioneve të skuadrës spanjolle.

POKERI- Nuk është fusha e tij, por edhe aty ka arritur të kapë një vend nderi. Nëse për futbollin për shumë kohë ishte numri një në Brazil dhe në botë, në poker duhet të kënaqet me vendin e 734-t në Brazil. Ai ka arritur të fitojë në total 35 mijë paund nga eventet profesionale të pokerit.

 

“Unë e pëlqej pokerin, sepse është një kompeticion. Më pëlqen shumë ajo lojë. Që kur i dhashë fund futbollit të luajtur, më pëlqen të jem diku për të garuar dhe për të fituar. Është ndjenjë e njëjtë si një ndeshje futbolli. Është bukur të jesh sfidues gjithmonë”, tregon Ronaldo.

Ka ditur të jetë fitues edhe në këtë fushë. Në eventin e zhvilluar në Bahamas në vitin 2015, ai arriti vendin e 26-të nga 816 lojtarë pokeri dhe fitoi afro 30 mijë paund. “Kur flet me zemër, njerëzit të kuptojnë. Dhe unë jam i dashuruar kokë e këmbë me pokerin”, tha ai.

PRONAR KLUBI- Vitin e kaluar, ish-sulmuesi brazilian u rikthye në futbollin spanjoll për t’u bërë pronar i Vajadolidit. Ai pagoi 27 milionë paund drejt Karlos Suarezit për këtë privilegj. Suarez vazhdon të jetë president i skuadrës, ndërsa Ronaldo aksioneri i parë.

“Ne duam ta konsolidojmë Vajadolidin në La Liga dhe të mbajmë ndezur ëndrrat dhe shpresat për rezultate pozitive. Unë nuk do të ndalem në këtë rrugë që kam nisur sepse dua ta rris këtë skuadër”, tha Ronaldo në prezantimin e tij. Ishte i mirëpritur në Spanjë dhe ish-presidenti Suarez tha që ai do t’i japë pak nga klasi i tij kësaj skuadre.

ËNDRRA AMERIKANE– Vajadolidi nuk ishte skuadra e parë e Ronaldos, pasi provoi edhe në Amerikë të kishte sukses me Fort Lauderdjl. Bashkë me disa bashkëpunëtorë donte të ndërtonte një skuadër të suksesshme, por aventura aty nuk ishte për t’u mbajtur mend. Skuadra pati probleme të shumta financiare dhe tifozët e braktisën atë. Nga 12 mijë që shkonin në stadium, arritën deri në 455 spektatorë.

AKTOR TELENOVELASH- Në vitin 1997, Ronaldo ishte në kulmin e karrierës në futboll, por kjo nuk e ndaloi që të ishte aktor në një telenovelë “Malhaçao”. Ngjarjet e saj zhvilloheshin në një palestër dhe Ronaldo ishte trajneri i një grupi vajzash, me njërën prej të cilave u dashurua. Aktrimi nuk ishte fusha më e mirë për të dhe hoqi dorë shpejt. Nuk kishte kohë për të humbur aty, sepse ishte në momentin që duhet të shkëlqente në fushën e lojës.

A1 BRAZIL- Brazilianët kanë pasur gjithmonë dashuri për garat e ndryshme falë legjendave Emerson Fitipaldi dhe Ajrton Sena. Edhe Ronaldo donte të ishte pjesëmarrës dhe në vitin 2005 ishte pjesë e skuadrës së Fitipaldit në “Grand Prix”. “Ashtu si futbolli, A1GP është një sport skuadre. Në futboll ne sapo fituam Botërorin për herë të pestë dhe do të ishte bukur që të fitonim Botërorin e garave”, tregoi Ronaldo në atë kohë.

- Në vitin 2013 Ronaldo nisi studimet për marrëdhënie me publikun dhe marketing. Ai kërkoi ndihmën e specialistit Martin Sorell dhe për pak kohë punoi në firmën e tij në Londër.

“Kalova 18 vite në mësim dhe kam akoma për të mësuar. Kam shumë dëshirë që të jem sërish student”, thotë Ronaldo. Ai nisi punë për disa muaj në një agjenci marketingu në Sao Paolo. Fenomeni ka provuar të bëjë edhe boksierin (si pjesëtar i kësaj kompanie marketingu), por pavarësisht të gjitha këtyre aventurave, më të mirën e tij e dha vetëm në futboll.

(Kosova Sot)