Edhe VIP-at lidhen me mblesëri: Çiftet e famshme që s’do ishin bashkë po të mos ishte për shkesin

  • 08 June 2019 - 22:58
Edhe VIP-at lidhen me mblesëri: Çiftet e famshme që s’do ishin bashkë po të mos ishte për shkesin

Sot, Blerina Bombaj rikujtoi se Joni Peçi është arsyeja pse ajo sot ka një familje të lumtur. “Me thënë të drejtën, nëse nuk do kisha njohur Jonin, jeta ime pa diskutim që nuk do të ishte kjo! Nuk e di si do të ishte, por falenderoj Zotin që takova Jonin i cili u bë shkas që unë u njoha dhe u dashurova me atë që sot është bashkëshorti im, babai i dy fëmijëve të mi dhe mbështetja e hekurt e gjithë dëshirave të mia.

Me pak fjalë, Joni Peci ishte shkesi!” shkruajti Blerina në Instagram, krahas një fotoje ku shfaqet e qeshur bashkë me dizajnuesin e njohur.

Por, dietologia nuk është e vetmja e cila dashurinë e jetës, e ka në krah falë një shkuesi.

Aurela Gaçe nuk do ta kishte njohur menaxherin dhe bashkëshortin e saj Skerdin, po të mos kishte qenë për të ndjerin Dr. Flori dhe vëllain e tij, Albanin. Këtë, Aurela e zbuloi katër vite më parë përmes një postimi në Instagram. Në një foto të shkrepur gjatë dasmës së saj me Skerdin, sot babai i dy vajzave, Dr. Florin dhe bashkëshorten e tij Blerinën, Aurela shkruajti: “Shkak për njohen time me Skerdin, u be Dr.Flori me vëllanë e tij Albanin. Dhe ja, me krenari ka dalë edhe në foto, shyqyr tha se desh na ngele në derë. apo jo Blerina Kondi.”

Miriam Cani dhe Alban Skënderaj U martuan më në fund pas 12 vitesh bashkë vetëm muajin e kaluar. Por, ndoshta çifti më i ëmbël i shoëbiz-it shqiptar ndoshta s’do të ishin njohur aspak, po të mos kishte qenë për… prisni pak… babanë e Miriamit! Në një intervistë për Rudina Magjistarin në 2017-ën, Miriam Cani tregoi se nga dëshira e tij që e bija të ruante edhe kontaktet për një karrierë në Shqipëri, këmbënguli që ajo të komunikonte me Alban Skënderajn.

“Babi insistonte që të bëja një duet me Albanin. Më thoshte që në Shqipëri është një artist shumë i mirë dhe që do ju shkojnë zërat. E mori në telefon Albanin dhe direkt ma kaloi mua telefonin”, tha Miriami, “Më pas rastësisht unë dhe Albani u takuam në një event në Zyrih ku ishim të dy të ftuar. Aty filloi gjithçka.” Madje, asokohe Miriami jetonte ende në Gjermani dhe e mori Albanin në intervistë në emisionin që drejtonte.

Para disa muajsh, ajo shpërndau videon në Instagram duke shkruajtur: “Kur bënim sikur nuk njiheshim”. Sot, ata janë prindër të një vogëlusheje 4 vjeçe, Amelisë.

Tuna dhe Patrisi Është e pabesueshme duke patur parasysh marrëdhënien aspak të mirë mes Tunës dhe Norës, por duket se kur dy këngëtaret ruanin ende kontakt, ka qenë pikërisht Nora ajo që ia prezantoi Tunës bashkëshortin dhe babain e ardhshëm të fëmijës së saj. Edhe ka kuptim të ketë ndodhur kështu, pasi Nora e njeh Patrisin shumë më shumë kohë më parë se Tuna, duke qenë se lidhja e saj me Robertin ka nisur që 13 vite më parë.

(Kosova Sot Online)