Dua Lipa me verë, cigare e buzëqeshje

  • A.P /
  • 23 July 2025 - 07:33
Dua Lipa me verë, cigare e buzëqeshje

Një video e rastësishme në TikTok mjaftoi që rrjetet sociale të shpërthenin: Dua Lipa, ylli i pop-it ndërkombëtar, u shfaq ulur në një trotuar të ngushtë në Palermo, me një gotë verë në dorë, një cigare në tjetrën dhe diellin italian mbi supe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këngëtarja 29-vjeçare ndodhet në një pauzë të shkurtër nga turneu “Radical Optimism”. Në video ajo shihet e qetë, pa truproja dhe pa etiketa luksi, duke qeshur me të fejuarin e saj, aktorin britanik Callum Turner.

 

Në ditët që pasuan, çifti u pa duke shëtitur në rrugët me kalldrëm të qytetit, ku Dua shfaqet me veshje të thjeshta dhe larg reflektorëve.

Reagimet në rrjete sociale ishin të shumta. Shumë fansa u magjepsën nga ky moment “normaliteti”, duke komentuar: “Dhe ajo thjesht RRI NË TROTUAR me një gotë verë! Pa ndonjë tavolinë luksoze në ndonjë restorant me pesë yje… e dua se sa e thjeshtë duket, ndryshe nga shumë të famshëm të tjerë në nivelin e saj.”.

Të tjerë thanë se ajo përfaqëson famën ideale:“Pasuri ekstreme, fytyra e shumë markave miliona dollarëshe, koncerte në stadiume dhe sërish pa histeri rreth saj në rrugë.”.

Megjithatë, disa përdorues kritikuan faktin që ajo po pinte cigare: “Pse këngëtarët pijnë duhan?” – shkroi një komentues, ndërsa një tjetër shtoi: “Duhani i shkatërron zërin, por ndoshta ajo thjesht po e shijon momentin.”.

Turneu i saj “Radical Optimism” ka përfshirë tashmë Australinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë dy netë në Wembley Stadium.

Pas pushimit në Itali, ajo pritet të performojë më 1 gusht në Prishtinë, për të vazhduar më tej në SHBA, Amerikën Latine dhe për ta përmbyllur më 5 dhjetor në Mexico City.

Image


(Kosova Sot Online)