Lufta e Dytë Botërore/ Polonia kërkon kriminelë nazistë përmes Interpolit - Dossier - Kosova Sot
Lufta e Dytė Botėrore/ Polonia kėrkon kriminelė nazistė pėrmes Interpolit

Lufta e Dytė Botėrore/ Polonia kėrkon kriminelė nazistė pėrmes Interpolit

Me ndihmën e Interpolit Polonia po kërkon 1600 ish-oficerë SS. Ata akuzohen se kanë kryer krime lufte në kampet gjermane të përqëndrimit. Polonia e sheh këtë si shans të fundit për t’u kërkuar atyre llogari.


Kampi i përqendrimit Auschwitz

Prokurorët e Polonisë i janë futur me guxim një pune ambicioze: që të gjejnë dhe të nxjerrin para gjyqit oficerët SS që janë ende gjallë. Ndoshta kjo është një përpjekje e fundit për t’i bërë të japin llogari ata fajtorë që ende jetojnë.

“Më në fund ne duhet t’i shohim në mënyrë komplekse vrasjet masive në kampet gjermane të përqendrimit. Është detyrë e çdo prokurori që t’i gjejë dorasit dhe t’i bëjë ata që të japin llogari. Duam të dimë a është e mundur që t’i gjejmë tani kriminelët nazistë,” thotë prokurori Robert Janicki nga Instituti i Përkujtimit Kombëtar (IPN) në Varshavë, në bisedë me DW. Instituti i themeluar në vitin 1999, i cili merret në mënyrë shkencore dhe juridike me historinë e Polonisë nën sundimin gjerman dhe sovjetik, ka nisur së fundi qindra hetime për shkak të krimeve naziste. Ato kanë të bëjnë para së gjithash me pushkatime masive dhe shkatërrime të fshatrave në Poloni gjatë pushtimit gjerman (1939-1945). Ndër to ka si hetime që janë nisur zyrtarisht, ashtu edhe raste individuale, në të cilat të afërm të viktimave kanë paraqitur padi individuale.

Kërkim i personave konkretë


Kampi i përqendrimit Dachau – pas çlirimit

Nëntë hetimet më të gjera kanë të bëjnë me vrasjet në masë të shtetasve polakë në kampet gjermane të përqendrimit nga viti 1939 deri 1945, dhe pikërisht këto raste synon t’i studiojë IPN tani më intensivisht. Bëhet fjalë për kampet e përqendrimit Auschwitz-Birkenau, Ravensbrück, Majdanek-Lublin, Buchenwald, Mauthausen, Sachsenhausen, Dachau, Mittelbau-Dora dhe Groß-Rosen. “Po nuk është fjala për një kërkim të përgjithshëm për kriminelë, por për persona shumë konkretë. Ne kemi dëshmi kundër këtyre personave dhe informacione të sakta për emrat dhe funksionet, që kanë ushtruar në kampet e përqendrimit”, thekson Robert Janicki.

Një grup pune prej prokurorësh dhe historianësh ka hartuar ndërkohë një listë me emrat e 23.0000 funksionarëve SS të kampeve të përqendrimit. Prej tyre 1600 janë përzgjedhur në bazë të kritereve të rrepta: bëhet fjalë për persona, të cilët nuk janë ndëshkuar për krimet e tyre, të cilët gjatë luftës kanë qenë në të 20-at e tyre dhe profesionet e mëparshme të të cilëve dhe adresat njihen.

Image

Krimet e luftes nuk parashkruhen

Polonia ka angazhuar tani organizatën ndërkombëtare të policisë kriminale Interpol. Deri tani, te Interpoli janë paraqitur 400 lutje nga Polonia, 1200 të tjera do të pasojnë. Mbi 10 raste tashmë janë verifikuar. Përgjigjet që erdhën nga Gjermania dhe Austria ishin të gjitha negative: të kërkuarit nuk janë më gjallë ose adresa e tyre është e panjohur.

Shumica e oficerëve SS që kërkohen ndoshta jetojnë në Gjermani, supozon prokurori Janicki. Po të gjenden, Polonia do të nxirrte një Urdhër Arresti Evropian dhe do t’i drejtohej Gjermanisë për ekstradimin e tyre. Midis të akuzuarve janë jo vetëm gjermanë, por edhe austriakë, ukrainas, bjellorusë dhe letonezë.  Sipas legjislacionit polak nuk ka parashkrim për krimet e luftës, për krimet kundër njerëzimit dhe për gjenocidin.

(Kosova Sot)

20 orë e 47 minuta më parë
21/02/18