Rebelimi i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, si u shtyp ‘grushti i shtetit’ në 1991 - Dossier - Kosova Sot
Rebelimi i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, si u shtyp ‘grushti i shtetit’ në 1991

Rebelimi i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, si u shtyp ‘grushti i shtetit’ në 1991

Rebelimi i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve

Kur ushtria del nga binarët e merret me punët e politikës, ky veprim quhet grusht shteti. Edhe në të shkollën që përgatiste oficerë, në shkurtin e vitit 1991 u demonstrua një veprim i afërt me grushtin e shtetit, por që nga presioni i qytetarëve të Tiranës nuk e kapërceu dot murin e rrethimit të kësaj shkolle. Kryeqyteti në atë kohë ishte në shumicë antikomunist.

Pas rrëzimit të shtatores së diktatorit, shkolla kaloi në gatishmëri nr.1. Të nesërmen, shefi i Shtabit të Ushtrisë i kërkoi mendim trupës pedagogjike dhe komanduese nëse ishin për mbrojtjen e shtatores së shkollës që mendohej të vendosej në sheshin e kryeqytetit.
Ngjarjet në këtë shkollë, si kërcënim ndaj demokracisë së re u zhvilluan më 21-23 shkurt 1991. Këto ngjarje hapën ciklin e shpërthimit enverist të fundit të shkurtit të zhvilluar në disa provinca të vendit. Kishte mbi 1 muaj që Ministria e Mbrojtjes, aparati ushtarak i Komitetit Qendror dhe krejt Dega e Sigurimit të Ushtrisë e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit ishin vendosur në shkollë.

Në mëngjes të datës 22 shkurt krijohet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm komisioni për vendosjen e shtatores në qendër me ultimatume drejtuar forcave politike qeverise etj. Në orën 15.30 të kësaj dite nëpërmjet një mitingu të madh, nën vringëllimën e armëve e thirrjet “Shqipëri-Enver, jemi gati kurdoherë” e duke kënduar këngën “Enver Hoxha tungjatjeta”, u kërcënua në mbrojtje të emrit të diktatorit. Të gjithë folësit kërkuan rivendosjen e shtatores së diktatorit në shesh. Pas mitingut grupi u shtua edhe me ushtarakë nga shkollat e tjera ushtarake. Komisioni enverist kërkoi nëpërmjet një peticioni që “figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli”.

Kundra grupit enverist kanë qenë pedagogët e shkollës që vlejnë të përmenden: Bujar Nishani, Hysen Arapi, Andrea Çupa, Bajram Hysa, Teuta Bubsi, Halil Hyseni dhe disa studentë, një grup i specifikuar si kundërshtarë edhe nga vetë autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë.

Në përfundim të këtyre ngjarjeve, u vranë një polic ushtar dhe 2 persona jashtë rrethimit të shkollës. U plagosën me armë zjarri 15 persona, një polic shërbimi në krye të detyrës, 10 persona jashtë rrethimit, 3 persona në banesat e tyre e 1 kalimtar. Të plagosur rëndë ishin 4 veta. Organet e punëve të brendshme ndaluan e kallëzuan në hetuesi 92 persona

Në foto mitingu i datës 22 shkurt 1991 në mbrojtje të figurës së diktatorit.

(Kosova Sot)

17 orë e 19 minuta më parë
19/09/18