Raporti: Loro Kovaçi kumarxhi, Mihal Popi lë familjen pa bukë - Dossier - Kosova Sot
Raporti: Loro Kovaçi kumarxhi, Mihal Popi lë familjen pa bukë

Raporti: Loro Kovaçi kumarxhi, Mihal Popi lë familjen pa bukë

Dashnor Kaloçi – Politika liberale që po ndiqte Nikita Hrushovi dhe mbështetësit e tij në Kremlin pas vdekjes së Stalinit në gjysmën e dytë të viteve ’50-të, në një farë mënyre rezonoi deri diku edhe në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, gjë e cila dha efektet e saj edhe në Konferencën e Tiranës në vitin 1956, ku mjaft komunistë dhe kuadro edhe nga rangjet e larta të pushtetit të asaj kohe, u ngritën dhe kritikuan hapur dhe ashpër disa nga privilegjet e udhëheqjes kryesore të PPSh-së dhe hendekun e madh që ata kishin krijuar me popullin e thjeshtë, si nga mënyra e jetesës, ashtu dhe nga gjendja ekonomike.

Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve të asaj kohe, (si në Bashkimin Sovjetik ashtu dhe në vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore), dënimi i kultit të Stalinit, hapja me perëndimin, fryma e liberalizmit që ata po ndiqnin dhe ndryshimi i kursit politik, pati një ndjeshmëri të madhe në shoqërinë shqiptare dhe kryesisht tek shkrimtarët dhe artistët, të cilët për vetë natyrën e punës së tyre, (vizitat dhe kontaktet me botën e jashtme) ishin më pranë asaj fryme çka po përpiqej të përçonte politika hrushoviane tek vendet e tjera satelite të saj. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që i përket vitit 1957, i cili është shkëputur nga një dosje voluminoze dhe që i drejtohet direkt Enver Hoxhës.

Dokumenti në fjalë, i cili titullohet “Mbi edukimin ideo-politik te shkrimtareve dhe artisteve te Tiranës”, në pamje të parë duket sikur ai ka të bëjë vetëm me format e edukimit të shkrimtarëve dhe artistëve, por aty ka denoncime të pastra për një numër të madh shkrimtarësh dhe artistësh, jo vetëm nga Tirana, por edhe nga Shkodra etj. Si p.sh. për; Kol Jakovën, Kadri Rroshin, Odhise Paskalin, Mihal Stefën, Simon Rrotën, Mentor Xhemalin, Luiza Papa, Ramadan Sokolin, Margarita Kristidhin, Hamide Stringën, Viktor Gjokën, Lluk Kaçajn, Rrok Dabërdakun, Irena Gjergon, Gaqo Zdrulin, Mihal Stefën, Gjenovefa Bimblin, Behije Çelën, Milena Asllanin, Jorgji Bitrin, Violeta Frashërin etj.

Theksuam se ndaj këtyre shkrimtarëve dhe artistëve janë denoncime dhe spiunime të pastra, pasi përveç problemeve të punës së tyre profesionale, në raport-informacionin në fjalë ka mjaft të dhëna edhe për jetën private dhe familjare të tyre, madje për gjëra tepër intime. Por kryesorja është ajo që ndaj tyre janë mbledhur informacione si për mënyrën e jetesës, ashtu dhe për ata çka ata flisnin, gjë e cila binte ndesh me frymën dhe vijën politike që po ndiqte udhëheqja komuniste e Tiranës. Dhe vetë fakti se të gjitha ato i dërgoheshin Enver Hoxhës, flet qartë mbi ndjeshmërinë e madhe që kishte regjimi komunist ndaj shkrimtarëve dhe artistëve si dhe diktatin që ushtrohej mbi ta. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të publikuar në këtë libër, edhe ky dokument publikohet i plotë dhe pa asnjë ndryshim.


MBI EDUKIMIN IDEO-POLITIK TE SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE TE TIRANES

(vijon nga numri i kaluar)

Të shumta janë mungesat në kursin e estetikës marksiste-leniniste: Arsyet e mos shkuarjes mirë të formave janë të ndryshme.
1.Interesimi i pakët i organizatës bazë të partisë për edukimin ideo-politik, interesimi i pakët edhe i vetë masës së ndëgjuesëve për ngritjen e nivelit ideo-politik, për arsye se nuk e kanë kuptuar vlerën e kësaj pune. Interesante është fakti: në seminarin e fundit të estetikës erdhën, për herë të parë që nga fillimi i këtij kursi pothuaj gjithë ata që ishin regjistruar. Kjo shpjegohet vetëm me faktin se organizata bazë duke ditur se kjo çështje do të merret në analizë nga Komiteti i Partisë i Qarkut, u vunë në lëvizje dhe u aktivizuan.

2. Mos lidhja e problemeve teorike me çështjet praktike të punës, me gjendjen e artit te ne. Me kursin e estetikës ka pasur tema shumë të përgjithshme, si p.sh. ligjet objektive të artit. Kurse në Estradë, forma e Zija Beqirit shkon mirë se aty trajtohen probleme lidhur me gjendjen e Estradës.
3. Nuk ka një diferencim midis pjesëmarrësëve në bazë të nivelit të tyre kultural, p.sh., në kursin e estetikës bëjnë pjesë njerëz me universitet, shkollë të mesme, me unike profesionale dhe jo profesionale. Përveç faktit që forma ka 160 vetë!
Kurse shokë si Naim Frashëri e Kadri Roshi, ky edhe me shkollë të lartë, nuk ndjekin estetikën, po bazat e marksizëm- leninizmit. Në kursin e estetikës janë futur si Kostandin Trako që ka konservator, ashtu dhe koristë si p.sh. Violeta Frashëri me unike, dhe Kostandnin Trako thotë: “Përderi sa në seminar marrin pjesë dhe koristët, unë nuk do të flas, mbasi mund të them ndonjë fjalë gabim dhe pastaj koristët më shohin ndryshe”.
Kjo fjalë e tij nuk është aq e drejtë, po duhet pasur parasysh se kjo lidhet me botkuptimin e intelektualit si dhe me ambientin ku ai punon. Ka disnivel edhe në shkollën politike; me të mesme, me fillore jo të plotë.

4. Zakonisht më pak marrin pjesë në format e edukimit gratë dhe kjo ka arsyet e veta. Një nga format e Estradës zhvillohej në ora 12.30 në kohën kur gratë shkojnë në shtëpi për të rregulluar fëmijët për drekën. Po në këtë orë I bënte edhe Opera format. Tashti, si në Theatër, si në Opera, format do të bëhen në mëngjez, para fillimit të punës. Në Opera u bë dhe pat rezultate.

Në Theatrin Popullor zhvillohet kursi i mjeshtërisë së aktorit, por puna e tij nuk ka lidhje me çështjet e skenës sonë, kurse praktika e analizës llogjike bëhej me materjale jo të shëndoshë. Me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, bëhet një punë e sistemuar për edukimin profesional, aty zhvillohen tema mbi folklorin tonë popullor mbi muzikën. Në Opera zhvillohen katër kurse me instrumentistë, por aty marrin pjesë vetëm 20 veta. Koristët u muarrën në patronazh nga solistët, por kjo formë nuk u vazhdua, kurse në Kinostudio nuk bëhet asgjë. Kinostudio vetëm tani së fundi ka bërë një plan me 18 tema për ngritjen profesionale. Me kompozitorët do të zhvillohet gjatë vitit 1958 një cikël leksionesh mbi formën muzikore.

Materjale për ngritjen e tyre profesionale janë të pakta. Për kompozitorët është shkruar teksti i harmonisë. Shoqata e Miqësisë “Shqipëri-Bashkimi Sovjetik” ka përkthyer e shpërndarë materiale të ndryshme mbi artin sovjetik (si p.sh. materjalet e kongresit të kompozitorëve sovjetik). Edhe revista “Nëntori” ka botuar herë pas here, por ajo shfrytëzohet pak. Në se Theatri Popullor ka 13 abonime, Opera ka vetëm 4, mbasi ky ka qenë planifikimi i Komitetit të Partisë. Po ndjehet mungesë e madhe në këtë drejtim. Revista sovjetike mbi artin shfrytëzohet shumë pak dhe vetëm nga ata pak që dinë rusisht. Të tjerët shumë pak që dijnë se ç’bëhet në botë në fushën e artit. Prandaj krahas detyrës për të mësuar rusishten dhe përveç përkthimeve që bëjnë vetë institucionet artistike, është e domosdoshme që Shoqata e Miqësisë Shqipëri- Bashkimi Sovjetik të ndihmojë më shumë në këtë drejtim (më parë e bënte më mirë këtë) duke nxjerrë herë pas here buletine me materjal mbi artin nga revista “Inostranaja leteratyra”, “Teatër”, “Muzika” etj. Do të ndihmonte shumë në zhvillimin e kritikës, në edukimin ideo-profesional dalja e gazetës letrao-artistike. Nuk do bërë edukimi ideo-profesonal vetëm në mbledhje. Ndërmarrja e Botimeve Shtetërore duhet të botojë dramat më të mira sovjetike, (gjer tani është botuar vetëm një dramë), kurse janë të përkthyera rreth 60 pjesë. Ka libra shumë të mirë, si p.sh. “Shkrimtarët rusë mbi punën letrare”, “Ezhegognik Mhata”, etj, nga të cilat mund të përkthehen pjesë të ndryshme nëpër buletinet e Shoqatës së Miqësisë.
Përsa i përket punës shoqërore janë të gjitha mundësitë që të zgjerohet. Bëhen mbrëmje letrare e artistike, aktorët dhe artistët drejtojnë grupe amatorësh, po kjo sidomos në raste fushatash e festivalesh. Pak marrin kontakt artistët e shkrimtarët me lexuesit dhe spektatorët për punën shoqërore me shumë aktivizohen njerëzit pa parti. Në Opera është tendenca se po të merren me punë shoqërore (p.sh. po të drejtoje korin e një qendre pune një korist operas dhe dy koriste dëmtohet nga ana profesionale) dhe këtë mendim e ka edhe drejtuesi i Operas, Save Kavaja. Shpesh puna shoqërore merr karakter tjetër, ka koriste të Operas që drejtojnë 4-5 grupe koresh me lekë. Sigurisht se një korist i tillë dëmtohet nga ana profesionale. Njerëzit dhe udhëheqësit ende nuk e kanë të qartë se puna shoqërore duhet të jetë kryesisht përhapja nga ana e tyre e kulturës muzikore, letrare e artistike në masat e popullit me anë bisedash, takimesh koncertesh të vogla shoqëruar me shpjegime. P.sh. u vu opera “I. Susanin” fare mirë 2 artistë mund të tregojnë shkurt mbi këtë operë, mbi autorin e saj, të këndojnë diçka prej saj qoftë edhe përpara një auditor shumë të vogël. Po kështu mund të veprojnë kineastët tanë, shkrimtarët, kompozitorët, kjo gjë s’bëhet ose bëhet shumë pak nga shkrimtarët, kohët e fundit opera ka bërë një plan edhe në këtë drejtim.

Përsa i përket trajtimit moral e material në përgjithësi njerëzit e artit janë të kënaqur. Aktorët e artistët janë dekoruar. Tashi kanë filluar të bëhen jubiletë e tyre, gjë që është mjaft pozitive. Po nuk është vepruar njëlloj me tërë institucionet. Estrada e kinematografia kishin vjet 5-vjetorin e themelimit të tyre. U bënë përgatitjet për festimin si dhe propozime për dekorim, po nga mos interesimi i Ministrisë dhe e quajnë vehten sikur janë si të njerkës. Po megjithatë trajtohen mirë, ka edhe raste që pretendojnë më shumë dhe kjo rrjedh kryesisht, sepse shumë artistë janë shumë të shkëputur nga jeta dhe nuk i njohin vështirësitë tona ekonomike. Problem i madh është çështja e strehimit. Rreth 80 shkrimtarë e artistë kanë nevojë urgjente për strehim. Regjizori i filmit të parë artistik, Kristaq Dhamo, banon në kabinën e një kinemaje, Mihallaq Çarka regjizor për inçizim muzike, derdh lot për punën e banimit. Ka familje me 9 veta që banojnë në bodrume ku kalon kanali si Nazmi Maloku me 7 fëmijë disa prej të cilëve i ka me infiltrate në qilar si Sul Pitarka, si Qenan Toro në koridor.
Shpesh lindin pakënaqësi në çështjet e kategorizimit. Ka mjaft raste kur Ministria e Arsimit nuk ngre në kategori ata artistë që propozohen nga komisionet speciale të institucioneve, por të tjerë që nuk janë propozuar e që nuk e meritojnë. Kategorizimet nga Ministria e Arsimit, bëhen me vonesë jashtë rregullave e ligjeve që janë caktuar. U ngrit në kategori asistent operatori Pashko Çomo, tamam ditën që i thanë të kryente një punë, ai s’e kreu dhe po atë ditë kur vajti në llogari mori vesh se i qe shtuar rroga. Ka ende anomali kategorizimesh në kinostudio e sidomos në Opera. Po vihet re se drejtuesit e institucionet bëjnë vetëm ngritje kategorish, dhe jo ulje, megjithatë ka njerëz që meritojnë të ulen.

Për jetën shoqërore e familjare të disa artistëve dëgjohen shpesh fjalë jo të denja. Aktori Loro Kovaçi u zu duke luajtur kumar. Aktori Viktor Gjoka nuk e shpie kurrë të shoqen as në kinema, as në mbrëmje, as në teatër, megjithëse ajo ka qenë dikur e organizuar. Mihal Popi jeton shumë keq në familje megjithëse ka rrogë personale dhe dy-tre vetë në punë. Ka vetëm një karrige në shtëpi dhe nganjëherë familja i ngelet pa bukë. Po kështu prish rrogën menjëherë edhe koristi Xhemal Mustafa, po kështu anëtar partie. Në opera zihen antarët e partisë; Gjenovefa Bimbli e Milena Asllani nga një anë me Jorgji Bitrin e Violeta Frashërin nga ana tjetër dhe puna arrin sa të hedhin njëra-tjetrën në gjyq? Raste të tilla zëniesh me fjalë ka pasur edhe raste të tjera në Teatrin Popullor ku mban flamurin Behije Çela, sidomos në Opera. Lluk Kaçaj bën jetë të ç’thurur dhe veprimet e tij diskretitojnë figurën e artistit. Ai merr borxhe, madje edhe një puntori i ka marrë 3 mijë lekë dhe pastaj ia ka mohuar. Në familje hyjnë e dalin njerëz të padëshirueshëm aq sa lagjja ku ai banon kërkon që Lluk Kaçaj të largohet që andej. Këto çështje janë shtruar nëpër mbledhjet dhe këta artistët janë këshilluar por prapë se prapë gjëra të tilla ndodhin.

Edhe marrdhëniet e antarëve të Partisë me njerëzit pa parti nuk janë gjithnjë në rregull megjithëse nga institucionet të gjithë intelektualët shikohen me një sy dhe çmohen sipas zotësisë e punës. Rolet nuk ndahen sipas teserës së partisë, po sipas karaktereve të aktorëve. Me gjithë këtë dëgjohen aty këtu fjalë nga shokë partie, si p.sh. Kadri Roshi që thotë “Mendoni më parë për ne me parti dhe pastaj për ata pa parti”. Antari i partisë A. Muika u thotë Rrok Dabërdakut e Hasan Reçit të cilët bënin një glob për 1 Majin. “Po se bëtë globin do t’u ndalim rrogën”.

Antari i partisë Enver Dauti i thotë inspektorit të skenës që është pa parti, “Të më dëgjosh mua se jam antar partie”. Komunistët nuk japin shëmbullin personal dhe nga ky shkak Sul Pitarka e ndonjë tjetër thotë: “Pavarësisht se s’janë në parti, janë më të mirë se disa që kanë teserën e partisë”. Antarët e partisë nuk preokupohen shumë për punën e partisë me njerëzit pa parti. Organizatat bazë nuk janë të forta, s’kanë unitet. Kanë fërkime për gjëra të vogla e jo parimore. Shpesh antarët e partisë thonë një mendim në organizatën bazë, dhe megjithatë organizata bazë na hedh poshtë si të padrejtë ata vazhdojnë me atë mendim. Dhe kjo gjë rrjedh në radhë të parë sepse antarët e partisë nuk e kanë të qartë se ata duhet të jenë si gjithë antarët e tjerë të partisë sonë. Artistët antarë partie kujtojnë se me që ata janë artistë ata s’kanë asnjë ndryshim nga artistët pa parti. Estrada dhe opera kanë bërë nganjëherë mbjeldhje të hapura të Operas dhe Baletit ku kanë shqyrtuar probleme të ndryshme artistike. Kjo është një eksperiencë e mirë që duhet ta bëjë edhe Teatri Popullor me Kinostudion duke shtuar problematikën e mbledhjeve.

(Kosova Sot)

12 orë e 35 minuta më parë
25/06/18