Raportet kot të Auditorit

  • 26 June 2016 - 17:24
Raportet kot të Auditorit

Shkeljet e shumta që gjen Auditori i Përgjithshëm nëpër institucione qendrore e lokale nuk i kanë zgjuar nga gjumi Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e larta për të ndërmarrë masat e duhura kundër shkelëseve të ligjit. Rekomandimet që jep Auditori çdo vit për institucionet pak përfillen dhe për çdo vit kemi vetëm një "pranim" të zyrtarëve për shkeljet e asgjë më shumë. Ajo që me siguri konstaton Auditori nuk është as çereku i shkeljeve që ndodhin nëpër ministri, sepse kur vjen puna te letrat, zyrtarët e shtetit janë mjeshtër të fortë për t'i mbuluar. Edhe tenderët milionësh këta i arsyetojnë me letra, thuajse nuk ka ndodhur as shkelja më e vogël. Vonesat në realizimin e kontratave, cilësia e dobët e punës, do të ishin të mjaftueshme për të pasur dyshime nga ana e institucioneve të drejtësisë, por me gjasë organi i akuzës as që i lexon këto raporte. Ata presin që dikush t'ua servojë në pjatë gjithë keqpërdorimet që ndodhin nëpër tenderët publikë. Kur nuk ka ndëshkime nga ana e institucioneve të drejtësisë, e as nga Qeveria, atëherë vazhdohet avazi i vjetër. Në këtë shtet mungon llogaridhënia. Duke mos u ndëshkuar askush për gjithë ato skandale që ndodhin nëpër tenderët publikë, Kosova ka mbetur vendi më i varfër në Evropë. Kot thirremi në resurse njerëzore e natyrore nëse nuk i menaxhojmë mirë ato. Pasuria publike është shndërruar në pasuri për oligarkët politikë e ekonomikë, të cilët, përveçqë janë bërë të kamur, kanë fituar edhe imunitet ndaj ligjit. Këtë të fundit e nëpërkëmbin dhe e shkelin sa herë të duan, sepse i kanë në zotërim njerëzit e tyre nëpër gjykata e prokurori, që nuk ua prishin tymin e duhanit. Edhe Auditori i Përgjithshëm dhe Antikorrupsioni vetëm mund të konstatojnë shkeljet dhe të japin ndonjë rekomandim. Sa për rekomandime këta pushtetarë do të vazhdojnë ta zhvatin Kosovën edhe më tutje, nëse dora e fortë e ligjit nuk i godet ata. Republika jonë nuk vuan për ligje, por për njerëz që duhet t'i zbatojnë ato.

(Kosova Sot)