Editoriali:Luftëtarëve t'u heqim kapelën, banditët meritojnë burgun

  • 26 October 2016 - 17:10
Editoriali:Luftëtarëve t'u heqim kapelën, banditët meritojnë burgun

Dënimet e konfirmuara nga drejtësia kanë filluar të nxisin tronditjet e para politike, ashtu siç edhe është paralajmëruar. Kryetari i Drenasit, që i përket PDK-së, dhe një deputet i kësaj partie janë dënuar në rastin "Drenica II" dhe si rrjedhojë janë detyruar të japin dorëheqje. Një tjetër politikan me shumë ndikim në këtë subjekt, që dyshohet se e ka kapur shtetin prej vitesh dhe akuzohet si udhëheqës i një grupi kriminal në skandalin e pronave. Këto zhvillime po përcillen edhe me reagime emocionale, qoftë në rrafshin individual të personave të prekur, qoftë në aspektin institucional dhe partiak. Degë partish apo organizata të veteranëve të luftës po nxitojnë ta zhvendosin vëmendjen te një fushatë kundër vlerave të UÇK-së, edhe pse gjërat duhet të ndahen. Ata që luftuan për lirinë e Kosovës meritojnë çdo nderim dhe lëvdatë, çdo mbështetje shtetërore dhe konsideratë nga shoqëria. Një pjesë e tyre nuk jetojnë më, sepse ranë në fushën e betejës, ndërsa të tjerët jetojnë duke shijuar lirinë. Por, siç e pranojnë edhe vetë bashkëluftëtarët e heronjve dhe ish-miqtë e komandantëve të transformuar në deputetë dhe qeveritarë pas luftës, me emrin UÇK abuzuan më së shumti ata që folën në emrin e saj. Babëzia pas parasë e pushtetit i verboi disa nga "trimat" e UÇK-së, të cilët shkelën mbi gjakun e dëshmorëve dhe ndërtuan një rrjet klientelist korruptiv, duke futur gjithçka nën kontrollin e tyre. Sot, një grup të fortësh vendosin se kush bëhet ministër, kush drejtor, kush anëtar bordi, kush ambasador, pa përfillur aspak kriteret profesionale dhe vlerat njerëzore. Lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset, sepse ishte e drejtë, por shpërdoruesit e saj sigurisht nuk mund të amnistohen për asnjë vepër penale që mund të kenë kryer. Kjo zhurmë që çohet nga ata që po e ndiejnë se koha për drejtësi po vjen, edhe pse me vonesë, synon mjegullimin e opinionit, por askush më nuk mashtrohet sot nga mitet e rrejshme dhe heronjtë e paqenë.

(Kosova Sot)