Editoriali:Vrasja e një 14-vjeçari në Republikën e anarkisë

  • 25 May 2018 - 16:54
Editoriali:Vrasja e një 14-vjeçari në Republikën e anarkisë

Asgjë nuk mund ta justifikojë një krim si ai që ndodhi në fshatin Karaçevë e Poshtme të Kamenicës, ku një baba, sipas prokurorisë, e rrahu djalin e tij për vdekje, për një mijë euro që dyshohet se ia kishte marrë pa e pyetur. Kjo ngjarje tronditëse, që e ka shokuar opinionin, do të duhej të analizohej në detaje, nëse është një rast i izoluar në shoqërinë tonë, apo në fakt dhuna ka mbërritur në nivele alarmante dhe tash po shfaqen pasojat tragjike të saj. Edhe pse ky lajm i kobshëm do të duhej të merrte vëmendjen jo vetëm publike, por shtetërore në radhë të parë, mediale, etj., kjo nuk ndodh. Nëse shikojmë programet televizive, debatet e panumërta, dominon politika, fytyrat e stërkonsumuara, kurse krimi makabër pasqyrohet në disa edicione lajmesh, pastaj vjen dita tjetër e gjithçka fashitet. Por, ky akt kriminal nuk duhet të heshtet, sepse sa më tepër që tregohemi indiferentë ndaj ngjarjeve të tilla, aq më të rënda do të jenë pasojat nesër, pasnesër… Si pasojë e një sundimi politik jodemokratik, keqbërës, që shkel rregullisht të drejtat e njeriut, shoqëria kosovare ndihet e shtypur dhe e shkelur, e nëpërkëmbur dhe e lënë pas dore. Për fëmijët as që mendon kush. Fare pak diskutohet për dhunën në familje, në shkollë apo në ambiente të tjera. Diskutimi dhe trajtimi i problemeve të ndryshme, me të cilat përballen fëmijët, të rinjtë, mund të parandalojë aktet e dhunshme, rrahjet vdekjeprurëse si ajo e Karaçevës ose rekrutimet e organizatave ekstremiste. Ky popull kaq shumë është i apasionuar pas politikës sa ka harruar të merret me veten, ndërsa është pikërisht politika që mashtron, zhvat, abuzon. Kur dëgjon për krime të tillë monstruoze, mendja të shkon te dënimi me vdekje që nuk është në Republikën tonë. Ndoshta është koha të rishikohet kjo çështje.

 

(Kosova Sot)