Ndalojeni marrëzinë e Presidentit!

  • 22 July 2018 - 15:57
Ndalojeni marrëzinë e Presidentit!
Kush i ka përcjellë me kujdes paraqitjet e presidentit të Kosovës kohëve të fundit, mund ta ketë kuptuar se rreziku për të cilin flitej prej kohësh, për pazaret në kurriz të sovranitetit të vendit dhe integritetit territorial, janë më evidente se kurrë më parë. Qartazi edhe në intervistën e radhës, Hashim Thaçi nuk ngurroi ta shpaloste atë që në fakt po e prêt vendin, nëse partitë kosovare nuk vetëdijesohen që ta ndalojnë këtë aventurë të çmendur, që mund të ketë pasoja të paparashikueshme për vitet e ardhshme. Kreu i shtetit po përpiqet të lërë në harresë historinë e negociatave vërtet të dhimbshme që u kurorëzuan me planin 'Ahtisari', prej së cilit erdhi edhe pavarësia, me kushtëzime dhe privilegje të jashtëzakonshme për pakicën serbe, e cila, edhe pse përbën vetëm pesë për qind të popullsisë, gëzon të drejta edhe më të shumta se shumica dërrmuese që është shqiptare. Ajo që tash e kërkon me ngulm presidenti i vetmuar në negociatat jotransparente, është edhe një kompromis i ri. Serbia, që me pakon 'Ahtisari', fitoi trajtimin më të mirë që mund ta ketë një pakicë diku në botë, për serbët në Kosovë, tash po përpiqet të sigurojë edhe territorin për akomodimin e mekanizmit antikushtetues "Zajednicës". Pazaret territoriale janë duke u bërë prej kohësh nga kryenegociatori kosovar, që mezi po prêt të sigurojë edhe blerjen e opozitës, për ta finalizuar marrëzinë e tij politike. Partitë kosovare, nëse kanë sadopak vetëdije kombëtare, duhet ta ndalin këtë ndërmarrje të rrezikshme presidenciale. Kosovës nuk i ngutet aspak për një marrëveshje të tillë të dëmshme, ndërsa Serbia vërtet e ka me ngut, sepse prêt benefitet nga BE-ja. Kosova nuk mund të bëjë lëshime të tjera, sepse do të vihej në pikëpyetje stabiliteti kushtetues, sovranitet dhe integriteti territorial. Nëse nuk na njeh Serbia, fundja le të presim një gjeneratë më të përgjegjshme, që dëshiron të shkëputet nga e kaluara. Përse u dashka ne të falim, pasi pësuam humbje, dëme, krime monstruoze?! Përse u dashka Kosova të bëjë sërish lëshime? Ka vetëm një arsye: Amnistimi i Thaçit nga një ndjekje eventuale prej Gjykatës Speciale!

(Kosova Sot)