Editoriali:Dy dekada të keqarsimuar

  • 04 September 2018 - 17:24
Editoriali:Dy dekada të keqarsimuar

Duke u marrë me fatin e bisedimeve me Serbinë, që kanë hyrë në fazën më të ndjeshme, thuajse u harrua fillimi i vitit të ri shkollor. Arsimi do të duhej të ishte shtylla e shtetit, por edhe në këtë qeverisje ka mbetur diku në periferi të angazhimeve shtetërore. Këtë e dëshmon edhe miratimi i Projektligjit për Pagat e sektorit publik, që nuk u mbështet nga ministri i Arsimit, sepse, sipas tij, koeficientet e përcaktuara për këtë sektor janë më të vegjël sesa për sferat e tjera. Shkolla kosovare vazhdon të vuajë pasojat e një qeverisjeje të dobët, menaxhimi joefikas dhe investimi të pakët. Thuajse në shumicën e shkollave nuk ka sistem mësimi gjithëditor dhe një gjë e tillë, me gjasë, do të jetë e pamundur edhe për shumë vjet. Buxheti qindra milionësh, që nevojitet për ta mundësuar modernizimin e procesit mësimor, as që duket në horizont. Qeveria nuk përton të ndajë ta zëmë 53 milionë euro për një kompani që shtron asfalt të shtrenjtë me buxhetin e shtetit, por shtrëngohet shumë, kur është fjala për të ndarë disa euro më tepër për arsimin. Pa e shndërruar arsimin në prioritet nacional, është e kotë që të bëhet propagandë. Vitin e ardhshëm bëhen 20 vjet që nga përfundimi i luftës dhe të gjithë janë të bindur tashmë se pasojat e një arsimimi të keq do të ndihen gjatë në shtetndërtim dhe në çdo proces. Po të kishim një arsim më të fortë e cilësor, gjeneratat që kanë dalë do të ishin më serioze dhe më të përgjegjshme. Janë shumë kuadro, të kësaj periudhe, që kanë marrë në duart e tyre fatet e institucioneve me rëndësi, të kompanive të mëdha publike, të përfaqësimit shtetëror, por me ndonjë përjashtim të rrallë, po dështojnë. Një fjalë e urtë thotë "Ç'të mbjellësh, do të korrësh" dhe më së miri kjo thënie vlen për arsimin e një vendi. Është moment vendimtar, për të reflektuar që arsimit t'i kthehet vëmendja, buxheti dhe mbështetja e merituar.

 

(Kosova Sot)