Editoriali: Prangat e shtetit

  • 28 September 2018 - 17:07
Editoriali: Prangat e shtetit

Retorika e ashpër ndaj Prokurorisë së Shtetit u ka kushtuar me arrestim dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Njëri do të mbahet në paraburgim një muaj, ndërsa për tjetrin do të vendosë gjykata. Politikanët janë mësuar të ndihen të paprekshëm, ndërsa kësaj here duket se organi i akuzës ka guxuar të shfrytëzojë mjetet ligjore për të ndëshkuar deputetët. Por, a është kaq e "guximshme" prokuroria, dhe drejtësia në përgjithësi, kur dikush kërcënohet, shantazhohet, pavarësisht pozitës që e mban? Natyrisht që përgjigjja është e qartë. Qytetarët kosovarë sot janë më të pambrojtur se kurrë, sepse organet e zbatimit të ligjit nuk e kryejnë punën e tyre. Në fakt, është pikërisht politika e mbrapshtë që e dirigjon drejtësinë, ndërsa kjo e fundit ndërmerr veprime sporadike e kurrë nuk arrin të adresojë me profesionalizëm dhe kurajë çështjet e ndryshme. Edhe burgosja e deputetëve mund të shihet si një lloj "vendosje e nderit në vend", nga prokuroria e kërcënuar. Megjithatë, pa justifikuar aspak gjuhën e ulët parlamentare, duhet t'i përkujtohet secilit zyrtar të drejtësisë, prokuror apo gjyqtar, se ligji vlen njëjtë për secilin dhe nuk mund të përdoret në raste të veçanta. Ta zëmë, pse nuk arrestohet asnjëherë një politikan kur kërcënon një gazetar, një media, një biznes?! Ose pse nuk arrestohet një individ i papërgjegjshëm kur kërcënon e dhunon anëtarët e familjes apo persona të tjerë?! Ka shumë shembuj që mund t'i shtrojmë për diskutim, kur prokuroria nuk bën asnjë kërkesë që dikush të arrestohet, edhe pse argumentet ligjore gjithmonë ekzistojnë. Pra, është mirë që më në fund edhe prokurorët apo gjyqtarët ta kuptojnë se nuk mund të veprojnë vetëm kur personalisht ndihen të kërcënuar, apo të shantazhuar, por në secilin rast kur një qytetari, personi fizik apo juridik, biznesi etj., i bëhet presion, shantazh, kërcënim, dhunë sistematike. Para ligjit jemi të gjithë të barabartë, sipas Kushtetutës, megjithatë realiteti i hidhur juridik dhe maifo-politik na bind çdo ditë e më shumë se disa janë më të barabartë se të tjerët!

 

(Kosova Sot)