Editoriali: Drejtësi e përçudnuar

  • 04 September 2015 - 17:57
Editoriali: Drejtësi e përçudnuar

Në një shtet si ky i yni, nuk ke pse të befasohesh kur dëgjon se një kërcënim ndaj një pushtetari, trajtohet në një afat rekord, në një kohë që raste të rënda, ku e pësojnë njerëzit e thjeshtë, të varfër, pa përkrahje politike, zvarriten me vite në prokurori e gjykata.

Nuk ke pse të çuditesh me standardin e dyfishtë të zyrtarëve, që ndajnë drejtësinë në këtë vend, kur e di që në skandale korruptive po përfundojnë edhe krerët e Gjyqësorit, Task-Forcave, prokurorive, etj. Janë pikërisht personat që janë emëruar në saje të një rrjeti oligarkik, klientelist, që i është nënshtruar dhe i jep llogari vetëm politikës së inkriminuar. Me siguri, javëve e muajve të ardhshëm, do të dëgjojmë e shohim plot afera të ndryshme.

Sistemi i kalbur i drejtësisë kosovare  është ndër plagët më të thella të shoqërisë dhe shtetit tonë. Me mjaft vonesë, opinioni publik, disa opozitarë, shoqëria civile, ndonjë medie që ka mbetur ende e pavarur, po e kuptojnë se sa shumë është degraduar sundimi i ligjit në Republikën e Kosovës. Gjendja është emergjente, sepse një vend pa drejtësi është i destinuar të destabilizohet.

Nuk do të kemi asnjëherë gjykata dhe prokurori të pavarura, nëse politika i fut hundët në punët e tyre. Aktualisht, asnjë prokuror nuk mund të hetojë ndonjë zyrtar apo politikan të rëndësishëm për korrupsion apo vepra të tjera penale. Asnjë gjyqtar nuk ka guxim të dënojë figurat shtetërore të profilit të lartë, për abuzim me buxhetin dhe pushtetin.

Drejtësia është e kapur, si çdo pushtet tjetër në Republikën e Kosovës. Për sa kohë në krye të vendit janë partnerët e zhytur në korrupsionin sistematik dhe zhvatjen e shtetit, as drejtësi të mirëfilltë e objektive nuk do të ketë. Fatkeqësisht, edhe qytetarët sikur janë pajtuar me këtë situatë. Askush nuk proteston kundër padrejtësive, por thjesht mjaftohen me ndonjë shfryrje ‘Facebook’-u. Sundimi i ligjit  nuk vendoset në rrjete sociale, por duke i bërë presion pushtetit dhe duke kërkuar zbatim të rreptë të ligjshmërisë dhe trajtim të barabartë.