Editoriali: Republika dhe sovrani, të nëpërkëmbur

  • 14 February 2016 - 17:26
Editoriali: Republika dhe sovrani, të nëpërkëmbur

Po i afrohemi festës së Pavarësisë së Kosovës, por Republika jonë ndodhet në pozitën më të rëndë ndonjëherë pas lufte. Zënkat politike për shkak të marrëveshjeve antikushtetuese dhe jo vetëm e kanë paralizuar vendin, kurse pushtetarët e papërgjegjshëm janë barrikaduar dhe nuk lëshojnë pe, thuajse shteti është në normalitet. Megjithatë, as edhe një shenjë i vetëm i normalitetit nuk duket gjëkundi. Parlamenti nuk mund të funksionojë për arsyet e ditura, institucionet e shtetit me plot të inkriminuar  bëhen kinse punojnë, e varfëria vazhdon të thellohet për qytetarët, por jo edhe për pushtetarët.

Këta të fundit vazhdojnë kamjen me paratë që i vjedhin e rrëmbejnë kundërligjshëm nga taksapaguesit e sinqertë që duan që ky shtet të zhvillohet. Imazhi i vendit vazhdon të bjerë përditë në sytë të botës së qytetëruar, kurse pushtetarët e korruptuar tej mase vazhdojnë të zhvatin të mirat publike pa u hyrë ferrë në këmbë. Ata që duhet ta luftojnë korrupsionin dhe paguhen po ashtu me paratë e taksapaguesve rrinë dhe kryesisht bëjnë sehir gjersa pushtetarëve, familjarëve të tyre dhe klaneve, vazhdojnë t’u trashen xhepat. Republika jonë ndodhet në udhëkryq. Tetë vjet pas themelimit të shtetit të pavarur, nuk kemi drejtësi për qytetarët, sepse prokurorët dhe gjyqtarët heshtin pa guxuar të prekin e prangosin të fortët e politikës. Shëndetësia vazhdon të lëngojë, ashtu sikurse edhe arsimi, kurse ekonomia shkon në theqafje për shkak se është e përqendruar vetëm te një grusht oligarkësh të tejinkriminuar të pushtetit e të biznesit që veprojnë në akord e sintoni.

Protesta e paralajmëruar e opozitës së bashkuar, me mbështetje të fuqishme edhe të shoqërisë civile, më 17 shkurt nuk duhet të jenë vetëm të atyre, por e të gjithë qytetarëve që nuk pajtohen me të zezat që ua bëjnë përditë këta pushtetarë oligarkë e te tejinkriminuar. Këta pushtetarë mund edhe të mos e dëgjojnë zërin e qytetarëve, sepse pushteti dhe paraja ua kanë verbuar sytë. Por, ata duhet ta dinë se mllefi i këtyre qytetarëve të pashpresë po vjen duke u rritur përditë. Ata kolltukë që i kanë fituar në saje të matematikave zgjedhore, përmes blerjes, vjedhjes e mashtrimeve, sikur edhe interesave klanore e klienteliste, nuk kanë se çka u duhen, përderisa qytetarët i shikojnë me përbuzje. Republika duhet shpëtuar nga ky soj i politikanëve që nuk dinë se çka është llogaridhënia dhe përgjegjësia para ligjit dhe sovranit.