7 mënyra natyrale për të larguar rrathët e zinj nën sy

  • 28 July 2015 - 18:47
7 mënyra natyrale për të larguar rrathët e zinj nën sy

Kremrat për eliminimin e rrathëve të zinj nën sy mund të jenë shumë të shtrenjta, por fatmirësisht ka edhe mënyra natyrale për reduktimin e tyre, të cilat kushtojnë shumë më pak. Meqenëse herët apo vonë të gjithë kanë këtë problem, është mirë të gjejmë mënyra efektive dhe të lehta për reduktimin e rrathëve të zinj. Nëse nuk mund të flini tetë orë çdo natë, nuk keni nevojë të brengoseni, pasi që ka mënyra të tjera për të larguar këtë problem.

Spinaqi

Shtimi i spinaqit në dietën tuaj është një nga mënyrat për reduktimin e rrathëve të zinj nën sy. Ato janë perime me gjethe të mëdha të gjelbra që mund të ndihmojnë nëpërmjet përbërësve si klorofili dhe magnezi, të cilat ndikojnë në reduktimin e stresit, një shkaktar i zakonshëm i rrathëve të zinj nën sy. Spinaqi përmban edhe një antioksidant të mahnitshëm, që njihet si acid lipoid. Ky acid rigjeneron vitaminën C dhe E, të cilat ndihmojnë në reduktimin e rrathëve të zinj nën sy, pasi që zbardhin lëkurën.

Bananet

Siç e dini tashmë, mungesa e gjumit shkakton shfaqjen e rrathëve të zinj. Derisa ju mund të mos jeni duke fjetur sa duhet për shkak se jeni shumë i zënë, bananet mund të ndihmojnë pasi që përmbajnë vitaminë B6 dhe magnez, që janë materie ushqyese të cilat ndikojnë në organizëm njëjtë sikur një gjumë i rehatshëm. Kur keni mundësi të flini më mirë, rrathët e zinj do të fillojnë të largohen. Bananet mund të ndihmojnë edhe nëse i vendosni ato në lëkurë, pasi që përmbajnë edhe vitaminë C. Nëse konsumoni banane çdo ditë për disa javë, rrathët e zinj mund të zhduken plotësisht.

Selino

Ky është një tjetër ushqim që mund t’ju ndihmojë të largoni ato hije nën sy. Selinoja ka nivele të balancuara të natriumit dhe kaliumit, të cilat ndihmojnë në reduktimin e ënjtjes. Reduktimi i asaj pjese të fryrë nën sy, ndihmon që edhe rrathët e zinj të reduktohen, pasi që sa më e fryrë të jetë lëkura, aq më e theksuar do të jetë edhe ngjyra e errët. Selino ka një përbërës kimik të quajtur ftalid, i cili zvogëlon aktivitetin e hormoneve të stresit, relakson arteriet që ndihmojnë lëvizjen e papenguar të gjakut.

Trangujt

Një nga ilaçet më të mira për rrathët e zinj në lëkurë është edhe ai që përdoret më së shpeshti. Lejoni disa copa të trangullit të qëndrojnë në sytë tuaj për 10 minuta dhe do të funksionojë në mënyrë të mahnitshme. Ftohtësia e trangullit e qeton lëkurën dhe përbërësit ushqyes në trangull ndihmojnë në reduktimin e rrathëve. Më saktësisht, trangujt përmbajnë vitaminë C dhe acid kafeik. Ky acid është një fitokemikal që ka efekte zbardhuese në lëkurë, prandaj kjo është arsyeja pse trangujt janë kaq efektivë në largimin e rrathëve të zinj nën sy.

Patatet

Ato mund të mos jenë aq tërheqëse për t’i provuar, sa janë copat e trangullit, por patatet e freskëta të prera në rriska janë gjithashtu shumë efektive për largimin e rrathëve të zinj. Patatet kanë një agjent natyral zbardhues që ndriçon lëkurën dhe funksionon për mrekulli në sy të lodhur. Për të pasur një rezultat më të mirë mund të grini patatet e ftohta dhe të ndani lëngun e tyre në një tjetër enë. Më pas mund të mbuloni sytë me topa pambuku të lagur në këtë ujë për 10 deri në 15 minuta. Pasi që largoni topat e pambukut ju do të vëreni një reduktim të rrathëve të zinj.

Mollat

Nëse nuk preferoni të vendosni patate të papjekura nën sy, ndoshta nuk ju pengojnë copat e mollës. Mollët kanë acid tanik, që ndriçon tenin e lëkurës suaj dhe e bëjnë atë të duket i shëndetshëm. Ato kanë gjithashtu vitaminë B, vitaminë C dhe kalium. Të gjithë këta përbërës e ushqejnë lëkurën tuaj dhe e bëjnë të duket e shëndetshme. Për të përfituar nga ky acid tanik dhe përbërësit e tjerë në mollë, vendosni copat e mollës mbi sy për 30 minuta. Kjo do të lejojë që përbërësit të ushqejnë lëkurën dhe do të shihni përfitimet pozitive të këtij procesi pas pak kohe.

Vaji i bajameve

Një nga mënyrat më të lehta për largimin e rrathëve të zinj është me përdorimin e vajit të bajameve, si një krem të syve çdo natë. Vaji i  bajameve ka përbërës që do të eliminojnë gjurmët e rrathëve të zinj shumë shpejt . Nëse jeni këmbëngulëse për përdorimin e tij çdo natë, do të shihni shenja të përmirësimit shumë shpejt.

(Kosova Sot)