Menopauza rrezikon të shkaktojë “katastrofën e shëndetit mendor” gjatë pandemisë. Gratë po përballen me… Ja çfarë thonë ekspertët
Miliona gra po luftojnë me ankthin dhe netët pa gjumë ndërsa kalojnë menopauzën gjatë pandemisë së Covid-19, kanë treguar hulumtimet.
Ekspertët kanë paralajmëruar se ankthi tek gratë gjatë menopauzës është një “katastrofë e shëndetit mendor që pritet të ndodhë”, raporton “The Sun”.
Studimi i ri thotë se 7 në 10 gra mbi moshën 40 vjeç besojnë se bllokimet e koronavirusit kanë rritur ankthin tek ato që kalojnë menopauzën.
Rreth 13 milion gra janë aktualisht në periudhën e menopauzës në Mbretërinë e Bashkuar, që është e barabartë me një të tretën e popullsisë femërore.
Pothuajse një e treta e grave mbi 40 vjeç raportuan se bënin mesatarisht vetëm gjashtë orë gjumë natën.
Sondazhi i 2,000 njerëzve zbuloi se 73 për qind e grave 45-54 vjeç thanë se menopauza kishte pasur një ndikim në modelin e tyre të gjumit.
Një ekspert i përshkroi gjetjet si “një katastrofë e shëndetit mendor që pritet të ndodhë”.
Elizabeth Carr-Ellis, blogere dhe bashkëthemeluese e fushatës “Paustivity #KnowYourMenopause” tha:
“Mungesa e gjumit që disa gra raportojnë është një aspekt veçanërisht shqetësues. Askush nuk funksionon mirë pa gjumë.
Por tani gratë përveç menopauzës, duhet të menaxhojnë edhe punën nga shtëpia, shkollimin në shtëpi, stresin e të pasurit fëmijë në universitet dhe të mos qenit në gjendje të shohin prindërit dhe të afërmit e moshuar, si dhe të gjitha shqetësimet rreth koronavirusit”.
Simptomat përfshijnë pagjumësi kronike, djersitje natën, ankth, gjumë të shqetësuar dhe të ndërprerë disa herë, për shkak të rënies së estrogjenit dhe progesteronit, sipas ekspertëve.
Edhe gratë pas menopauzës, në grupmoshën 65 vjeç, ende vuajnë nga këto simptoma, ku 71 për qind e tyre thonë se nuk mund të flenë.
Më shumë se 70 për qind e atyre nën 40 vjeç pranuan që mendimi rreth menopauzës i bën të ndihen të stresuar.
(Kosova Sot Online)