VIT ME SHUMË REPRIZA BAJATE

  • 31 December 2017 - 09:13
VIT ME SHUMË REPRIZA BAJATE

Kinematografia kosovare ka bërë edhe një hap përpara gjatë vitit 2017. Ka qenë filmi "Martesa" i regjisores Blerta Zeqiri, i cili ka marrë vëmendjen e botës kinematografinë, duke i krijuar një imazh domethënës Kosovës. Filmi "Martesa" fitoi dy çmime: "Fipresci Prize" dhe "First Feature Competition" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Talin të Estonisë, në fund të nëntorit. Suksesi i këtij filmi i dha një infuzion zhvillimeve kulturore kosovare, të cilat vazhdojnë të ecin me mjaft vështirësi. Duke përmendur edhe ndonjë aktivitet të suksesshëm, kryesisht individual të artistëve tanë, kultura kosovare edhe gjatë 2017-s nuk shënoi ndonjë progres. Bile, sipas njohësve të zhvillimeve në vend, më shumë kishte repriza nga vitet e kaluar sesa ndonjë aktivitet apo moment të rëndësishëm për kulturën në vend.

Manipulime e padrejtësi

Krijuesi gjilanas Zeqir Fazliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënën se kultura e një kombi është si gjethet e një peme. Nëse gjethet bien e thahen, shton ai, edhe kombi asimilohet, sepse humb identitetin e tij. Pra, ka vazhduar më tej Fazliu, kultura është shumë e rëndësishme dhe duhet ta kultivojmë mirë e drejt. Sipas tij, ka disa manifestime letrare që organizohen çdo vit anembanë Kosovës: si "Flaka e Janarit" në Gjilan,"Mitingu i Poezisë" në Gjakovë,"Drini poetik" në Prishtinë, në Prizren, në Kukës, "Sofra poetike" në Drenas," Ora letrare "Kadri Kadriu" në Besianë etj., por në këto manifestime kulturore bëhen manipulime e padrejtësi sa i përket dhënies së çmimeve. "Në Gjakovë punët qëndrojnë më mirë. "Mitingu i poezisë"është madhështor dhe ka një traditë mbi 50-vjeçare. Këtu edhe vlerësimet bëhen më drejt, ku merren parasysh vlerat letrare, e jo si në disa qendra të tjera, e veçanërisht në Gjilan ka malverzime të tmerrshme", ka thënë shkrimtari Fazliu, për gazetën "Kosova Sot".

Ambienti politik

Edhe regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se viti 2017 nuk shquhet për ndonjë sukses të veçantë në kulturë. "Së paku kureshtja ime nuk ka regjistruar diçka të tillë që ia vlen të përmendet. Mendoj që kultura duhet respektuar dhe të jetë meritore në vend, pastaj duhet kërkuar tregje më të gjera. E kjo që sa e sa vite nuk ndodh ndër ne. Jemi shoqëri akulturale, libri pak lexohet, shkuarja në kinema e teatër është e pakët, kurse arsimin e kemi të dërmuar dhe me gjenerata jocilësore", ka pohuar Musliu, duke vazhduar se arsimi është shtylla e një shoqërie, aty përgatiten gjenerata, të cilat i japin jetë dhe kuptim kulturës. Pra, shton regjisori Musliu, vendi ynë është bërë tërësisht ambient politikë, ku mediumet televizive kanë karakter informativ dhe kjo ka prodhuar njeriun politik e jokulturor. "Kjo është e rrezikshme dhe poshtëruese për një vend, i cili synon Evropën, kur dihet se në cilin stad të zhvillimit kulturorë janë vendet atje", ka thënë kineasti Mahir Musliu për "Kosova Sot".

Kryeziu: Arti dhe kultura duhet të jenë në piedestalin kombëtar

Ndërsa, Dilaver Kryeziu ka thënë për gazetën "Kosova Sot", se gjatë vitit 2017 nuk është vërejtur ndonjë ngjarje që duhet veçuar, përveç, siç ka thënë ai, 45-vjetorit të Baletit Kombëtar që për çdo vit po tregon rritje dhe profesionalizëm, Festivalit të Prizrenit, me paraqitjen e një numri të madh role artistësh dhe festivali i parë Ballkanik i Folklorit në Fushë- Kosovë. "Por, kjo është shumë e pakët për një shtet me 2 milionë banorë dhe mbi 60% të rinj, ku arti dhe kultura duhet të jenë në piedestalin kombëtar", ka thënë Kryeziu, për "Kosova Sot'. Kurse shkrimtari Dan Ibrahimi është shprehur se vitit 2017 i kanë munguar sukseset që është dashur t'i kishte dhe nuk është shënuar progres në zhvillimet kulturore në vend. " S' ka suksese në fushën e kulturës në Kosovë. Ka regres të jashtëzakonshëm, madje", ka thënë Ibrahimi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)