Çka mund të presim dhe çka jo natën e ndarjes së 'Oscarëve'

  • 04 March 2018 - 23:32
Çka mund të presim dhe çka jo natën e ndarjes së 'Oscarëve'

OSKARËT E SIVJETMË JANË NJOLLOSUR DISI NGA AKUZAT E BËRA NDAJ PRODUCENTIT HARVEY WEINSTEIN

Filmat që nuk kanë marrë nominime edhe në kategorinë e regjisorit më të mirë rrallë fitojnë 'Oscarin'

SHKRUAN: CARA BUCKLEY 

Çmimet 'Oscar' mbushin 90 vjet të dielën. Pas këtij udhëtimi të gjatë e të çuditshëm, 'Oscarët' e sivjetmë janë njollosur disi nga akuzat e bëra ndaj producentit Harvey Weinstein. Këto akuza të vazhdueshme, të cilat më pas u zgjeruan edhe kundër emrave të tjerë, ndikuan në lindjen e lëvizjeve, si "#MeToo", "Time's Up" etj. Njëra ndër pyetjet e mëdha që rrethojnë ndarjen e sivjetme të 'Oscarëve' është se si ceremonia do ta adresojë lëvizjen "#MeToo", sidomos pas Globit të artë, i cili u bë ndejë e lëvizjes "Time's Up", lëvizjes e cila përfshin 300 gra të pushtetshme të Hollivudit, të cilat mblodhën me miliona dollarë për ta luftuar abuzimin seksual kudo në botë. 

METODA E KOMPLIKUAR

Një karakteristikë tjetër e këtij sezoni është se askush nuk e di kush do të fitojë në kategorinë e filmit më të mirë. Natyrisht, asnjëherë nuk mund të thuhet me siguri se cili është fituesi, pa u shpallur ai, por zakonisht ka përqindje të larta të fituesit potencial. Ata që parashikojnë këtë garë, e që quhen Oscarologë, kësaj here mund të bëjnë vetëm parashikime 'të përmbajtura'. Edhe mënyra e zgjedhjes së fituesit në këtë kategori nuk ndihmon në parashikimin e fituesit. Në secilën kategori tjetër, fiton ai që merr më së shumti vota, por në kategorinë e filmit më të mirë, votuesve iu kërkohet që të renditin filmat e tyre të preferuar në rend sipas preferencës. Nëse një film merr më shumë se 50% të votave të vendit të parë, ai fiton. Kur asnjë film nuk ia del kësaj, eliminohet filmi me numrin më të vogël të votave të vendit të parë dhe votat e atij filmi iu ndahen filmave tjerë që gjenden në vendin e dytë, gjë që vazhdon derisa të paraqitet fituesi. Nëse nuk e keni kuptuar sa duhet këtë metodë, nuk keni faj, meqë ajo është tmerrësisht e komplikuar. mIn 2015, gara ishte zhvilluar midis filmit "Boyhood" dhe fituesit eventual, "Birdman". Në vitin 2016, kur shumë ekspertë favorizonin fitoren e filmit "The Revenant" ose "The Big Short", çmimi iu nda filmit "Spotlight". Vitin e kaluar, gati të gjitha parashikimet përmendnin filmin "La La Land" dhe, për dy minuta e gjysmë, ata patën të drejtë, derisa u bë e ditur se fituesi, në fakt, ishte filmi "Moonlight". 

"THE SHAPE OF WATER" KA 13 NOMINIME, MË SHUMË SE ÇDO FILM TJETËR

Filmbërësit e parashikimeve janë të ndarë në mënyrë jo të barabartë midis filmit "Three Billboards Outside Ebbing, Missouri" dhe filmit "The Shape of Water", pa harruar këtu edhe filmin "Get Out." Por, që të gjithë këta filma kanë tipare të cilat ua zvogëlojnë gjasat për të fituar. Filmi "The Shape of Water" ka 13 nominime, më shumë se çdo film tjetër, si dhe është shpallur filmi më i mirë i vitit nga shoqatat e producentëve dhe regjisorëve. Por, ai nuk mori nominim për shpërblimin SAG dhe, asnjë film deri më tani nuk ka marrë 'Oscarin' në kategorinë e filmit më të mirë, që nga filmi "Braveheart" në vitin 1996. Sivjet, shpërblimi SAG iu dha filmit "Three Billboards", gjë që ka rëndësi, meqë aktorët përbëjnë degën më të madhe të Akademisë; ky film mori po ashtu edhe çmimin e kategorisë drama më e mirë, Globi i artë dhe Bafta, por regjisori i tij, Martin McDonagh, nuk u nominua në kategorinë e regjisorit më të mirë, ku përpos filmit "Argo", filmat që nuk kanë marrë nominime edhe në kategorinë e regjisorit më të mirë, rrallë fitojnë 'Oscarin' në kategorinë e filmit më të mirë. Në ndërkohë, shumë shikues mendojnë se filmi më i mirë i vitit është "Get Out". Edhe pse anëtarët e rinj të akademisë mund të kenë ndikuar që ky film të marrë nominim për filmin më të mirë, regjinë, aktorin dhe skenarin origjinal më të mirë, asnjë film nuk ka marrë 'Oscarin' në kategorinë e filmit më të mirë, me më pak se 5 nominime gjithsej, që nga filmi "Cavalcade", në vitin 1933. Në fund të filmave që kanë gjasa për të fituar, është ai i regjisorit Christopher Nolan, "Dunkirk", i cili përkundër kësaj, deri më tani ka sjellë fitimet më të mëdha nga shitja e biletave. Përkundër suksesit në 'Box Office', këtij filmi nuk i ka ecur mbarë sa iu përket nominimeve dhe shpërblimeve. Dhe, derisa në kategoritë e aktorëve më të mirë rëndom shohim pjesëtarët e gjeneratës "baby-boomer", kësaj here kemi aktorët e gjeneratës së re, me talentet si Daniel Kaluuya ("Get Out"), i cili më pas u paraqit edhe në filmim "Black Panther" dhe Timothée Chalamet, aktori i ri kryesor i filmit "Call My by Your Name", i cili, sipas disa vlerësimeve, solli performancën më të mirë në vitin 2017. 

(Kosova Sot)