Këngëtarja shqiptare "ndan" Qipro

  • 16 March 2018 - 16:39
Këngëtarja shqiptare

Ka ndarë më dysh opinionin në Qipro. Jo aq për këngën me të cilën do të prezantohet në Eurovizion, por për origjinën e saj shqiptare. E lindur në Elbasan, por e rritur në Greqi ku krijoi një karrierë të suksesshme, Eleni Fureira, tani po ndeshet me reagimet dhe komentet deri raciste të një pjese të opinionit, që është kundër përfaqësimit të Qipros në Eurovision me një këngëtare shqiptare. Në një intervistë që do të transmetohet të dielën e ardhshme për emisionin 'Tet a tet' në televizionin Publik të Qipros, Eleni Fureira i quajti të turpshme reagimet që vënë në dukje origjinën e saj. "Është e turpshme të dëgjosh nga një i ri të thotë "a, je nga Shqipëria, atëherë me Shqipërinë të shkosh në Evrovizion". Dëshira për të përfaqësuar Greqinë në Evrovizion nuk u konkretizua, por ishin drejtuesit artistikë në Qipro që i propozuan pjesëmarrjen. Eleni nuk e ka harruar këtë pjesë të përballjes me paragjykimet edhe kur bëhet fjalë për botën e artit apo të muzikës. "Shkon në një shtëpi diskografike dhe nuk të pranojnë sepse je nga Shqipëria. Thua me veten, a është e mundur? Nuk e bëj dot ëndrrën time realitet sepse jam nga Shqipëria"?

(Kosova Sot)