Vinca: KRYQËZATA E KALORËSIT KALLP

  • 06 March 2026 - 15:57
Vinca: KRYQËZATA E KALORËSIT KALLP

Nga Agim Vinca

(Edhe dy fjalë për sulmin e Eshref Ymerit ndaj meje, botuar në gazetën “Bota sot” të dt. 26 shkurt 2026 dhe në “Kosova sot” të dt. 27 shkurt 2026)

As në ëndërr nuk më ka shkuar ndër mend se do të më zinte taksirati me një maniak si ky. Unë thjesht refuzova t’i bëhesha recensent librit të tij, sepse nuk mund të pajtohesha me shumë absurditete që gëlojnë në të, kurse ai më sulmoi pabesisht në “Bota sot”. (Autori i librit “Kadarea në truallin e politikës” as emrin, në të vërtetë mbiemrin e shkrimtarit, nuk e shkruan drejt, siç ia kam vënë në dukje në përgjigjen time!).

Kur mendova se e kreva “davanë” me përkthyesin e veprave të “shokut Enver”, maniaku nga Kalifornia u shfaq përsëri, me një paskuil edhe më të gjatë e më pervers.

Jetojmë në një kohë kur në botën shqiptare, brenda e jashtë, është rrënuar çdo standard moral, kurse shpifja dhe gënjeshtra janë legalizuar. Për këtë “kujdesen” një mori port(h)alesh, rrjetesh sociale, studiosh televizive dhe gazetash pesëparëshe anembanë hapësirës shqiptare, të cilat s’e kanë për gjë të shpifin, të gënjejnë e akuzojnë pa zgjedhur mjete e as mënyrë dhe pa ofruar asnjë fakt. Çka s’na kanë dëgjuar veshët dhe çka s’na kanë parë sytë në këta vjet, o Zot! Nuk e di kush i financon, kush i nxit e frymëzon, kush i paguan për të përbaltur fytyrat e më të ndritshme të historisë dhe kulturës shqiptare, të djeshme dhe të sotme, apo e bëjnë thjesht për sport, por gjithçka ndodh sipas asaj devizës famëkeqe gebelsiane: “Shpif, shpif, se diçka do të mbesë!”.

Bashkëpunëtori duket i rregullt i gazetës “Bota sot”, “akademik” Eshref Ymeri, është një nga shembujt më eklatantë të kësaj dukurie patologjike.

E ç’mund të thuhet tjetër për një njeri që një herë të drejtohet me respekt të madh dhe me lutje që t’i bëhesh recensent i librit, pastaj kur ti refuzon, qoftë edhe në mënyrën më të butë të mundshme, të sulmon pabesisht, duke ricikluar në gazetë një shpifje ordinere?! (Pse s’gërmon në internet, siç e ke zanat, për të parë se kush qëndron pas shpifjes monstruoze se: “Rexhep Qosja e Agim Vinca spiunuan për të vrarë Ukshin Hotin!”, të cilën nuk e beson askush në Kosovë dhe askund tjetër në botë, pos zombive tanë digjitalë, që fëlliqën dynjanë?!).

Po pse ky farë “studiuesi”, “intelektuali” e “patrioti” nuk e shtron pyetjen e thjeshtë, elementare, moralisht të domosdoshme: çfarë dëshmish ofroi ai që na akuzoi profesorin e nderuar Qosja dhe mua se e paskëshim “spiunuar Ukshin Hotin”?! Kur, ku, si, me çka, në ç’kohë, në ç’vend? Asgjë fare, veç një fjalë goje dhe një ngërdheshje e moderatorit, që deri vonë personazh kryesor në atë palo studion e tij e kishte një person që përfundoi në burg. (Hulumto dhe gjeje kush është ky. Hyr në You Tube!).

Ndryshe nga ç’veproi herën e parë, tani maniaku plak ka zgjedhur një titull më “të butë”: ”Letër miqësore një mikut tim në Dardani”, por brendia është e njëjtë. Eshrefi ripërtyp ato që kishte thënë më parë, por duke i ambalazhuar me dashurinë për mikun e tij “dardan”. (Ky patriot anakronik, për të bërë poena politikë, në shkrimet e tij te “Bota sot”, Republikën e Kosovës nuk e quan me emrin e saj kushtetues, por “Republika e Dardanisë”!).

Semjuel Xhonsoni (Samuel Johnson), të cilin e citon, ka thënë edhe këtë: “Patriotizmi është strehë e horrave!”. Nuk di hëpërhë tjetër njeri që t’i përgjigjet më shumë se ty kjo thënie e gjeniut anglez.

Thotë se e paskam fyer, pas sulmit të pabesë që më bëri, veç pse s’pranova të vë firmën në librin e tij, se e paskam quajtur: “i pabesë”, “i pafytyrë” etj. Ti, Eshref Ymeri, ma ke bërë mua fyerjen më të rëndë në jetë! Se cila është ajo, e di ti vetë. Kot frazat se atë farë akuze ti e paske gjetur në internet dhe se unë nuk e paskam përgënjeshtruar duke shkuar në studion e “zotërisë së nderuar Sadri Imeri“.

Nuk e thashë herën e parë, por po e them tani se kundër njeriut që e ka shqiptuar këtë shpifje ordinere kam ngritur padi. (Nuk e pashë të udhës ta përgënjeshtroja, aq më pak në atë farë studioje, sepse nuk e konsideroja të denjë as njeriun që e shqiptoi, as median që e publikoi, e aq më pak vetë akuzën, që s’është tjetër veçse një shpifje monstruoze!). Njeriu që e ka shqiptuar këtë akuzë, N. Ç., në kohën kur punonte në Sigurimin Shtetëror të Maqedonisë, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, i ka përkthyer poezitë e mia në maqedonisht. Kam dokument për këtë. Shpifjen e bëri pasi e bëra publik këtë fakt në botimin e dytë të librit “Feniksi” (2014), nga botimi i parë i të cilit qe hequr vjersha “e inkriminuar” “Letër vëllait”.

Kaq sa i përket akuzës së parë, të cilën nuk mund t’ia fali askujt në botë. Për të dytën nuk lodhem fort. Madje aspak. Vjersha “Rënia e Enver Hoxhës” nuk është “poezi elegjiake”, siç insinuon ti. Jo. Ajo është poezi moderne, kritike, ironike. Unë as e kam sharë e as e kam lavdëruar njeriun veprat e të cilit ti i ke përkthyer vite me radhë, por kam artikuluar ndjenjën e shqiptarëve këndej kufirit në një moment të caktuar historik (në shkurt të vitit 1991). Nuk jam penduar fare për këtë. Përkundrazi.

Ç’të them tjetër?

Vazhdo shtegtimin tënd, o hidalgo plak, shpirtlig e maniak, ti që tërë jetën ke përkthyer veprat e Enver Hoxhës në rusisht dhe tani vazhdon “misionin” tënd “patriotik” në Amerikë. Dhe në gazetën “Bota sot”. Bota sot, kjo botë në të cilën jetojmë, ka fytyrën tënde.

Prishtinë, 27 shkurt 2026