Shpat Deda rikthehet me ‘KATARSIS: Sun, Moon and Stars’
Pas suksesit të madh në Tiranë, Shpat Deda rikthehet në Prishtinë me 14 qershor me ‘KATARSIS: Sun, Moon and Stars’ – një eksperiencë e veçantë artistike nën qiellin e hapur në natyrë
Pas dy netëve të suksesshme në Tiranë, ku salla e Universitetit të Arteve ishte sold out për dy koncerte me radhë, Shpat Deda sjell në Prishtinë platformën e tij të fundit artistike me një kapitull të ri: “KATARSIS: Sun, Moon and Stars”, event që do të mbahet më 14 qershor në hapësirën kulturore ‘edhe’ në Prishtinë.
Seria e koncerteve KATARSIS synon ta ndërtojë një përvojë artistike që ka për qëllim ta prekë publikun emocionalisht dhe ta shndërrojë muzikën në një moment të përbashkët çlirimi emocional, reflektimi dhe lidhjeje njerëzore. E vendosur në natyrë, në livadhin e hapërirës kulturore ‘edhe’ në Prishtinë, ngjarja premton një atmosferë magjike mes muzikës live, ndriçimit konceptual dhe bukurisë së qiellit të hapur.
KATARSIS: Sun, Moon and Stars ndërtohet mbi simbolikën e trupave qiellorë, dhe e potencon faktin se ky koncert do të fillojë me përëndimin e diellit, për të vazhduar me lindjen e hënës dhe yjeve. Përmes muzikës. ndriçimit konceptual dhe atmosferës unike, koncerti eksploron ciklet njerëzore dhe mënyrën se si emocionet, kujtimet dhe lidhjet tona e formësojnë përvojën kolektive.
Platforma KATARSIS u prezantua për herë të parë në Tiranë më 28 dhe 29 prill 2026, ku të dy koncertet në Sallën e Akademisë së Arteve u mbajtën para sallave plot. Interesimi i madh i publikut konfirmoi potencialin e projektit për të ndërtuar një identitet unik artistik - një format që e sheh koncertin jo vetëm si performancë muzikore, por si dramaturgji emocionale.
Njësoj si në Tiranë, edhe së Prishtinë Shpat Deda do ta performojë një repertoar që përfshin EP albumin e tij të fundit bashkë me bendin ‘The Private Jets’ dhe me jazz trumpetistin me renome ndërkombëtare Raynald Colom, duke sjellë një dimension të ri artistik në skenë.
E konceptuar si një ngjarje e hapur dhe e përshtatshme për familje, KATARSIS: Sun, Moon and Stars synon të jetë një nga ato mbrëmje të rralla të verës ku muzika, natyra dhe komuniteti bashkohen në të njëjtin ritëm.
Biletat Early Bird për ‘KATARSIS: Sun, Moon and Stars’ tashmë janë në shitje në platformën kookooli.al në këtë link: https://kookooli.com/event/katarsis:-sun-moon-and-stars/

(Kosova Sot Online)
