Mbi 50 për qind e Gjyqësorit dhe Prokurorisë duhet pastruar

  • 23 May 2016 - 07:48
Mbi 50 për qind e Gjyqësorit dhe Prokurorisë duhet pastruar

Shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të shantazhuar nga politika.

Ekspertët e fushës së drejtësisë dhe analistët konsiderojnë së koha e humbur në reformimin e sistemit të drejtësisë për plot 16 vjet pas luftës dhe 8 pas shpalljes së pavarësisë, duhet të kompensohet pa vonesë. Sipas njohësve të fushës, Kosova ka nevojë që në sistemin prokuorial dhe gjyqësor të ripërtërihet rreth 50 për qind të stafit me njerëz të rinj, të aftë e të guximshëm për të ndjekur shembuj të vendeve, që sot janë në BE, por që e kaluan këtë situatë sikur te ne, të një drejtësie të inkriminuar nga regjimet e kaluara dhe të kapur nga politika. Shembuj të tillë Kosova mund të marrë sa të dojë, si: Rumania, Bullgaria, Letonia dhe vendet më të afërta përreth nesh, që dolën nga sistemi i kaluar, e që kaluan në një proces reformimi të sistemit të drejtësisë, duke nxjerrë jashtë loje njerëzit e inkriminuar brenda vetë sistemit. Tani së fundi diçka të tillë po synon të bëjë edhe Shqipëria, porse ka barrikada nga të dyja kampet politike.

Në Kosovë një temë e tillë akoma nuk është hapur, por ekspertët e kësaj fushe konsiderojnë se është momenti kyç që edhe drejtësia kosovare të marrë një shembull të tillë, mbase në mënyrë krejtësisht të pavarur nga politika, sepse politika po hesht vullnetin e një reformimi të tillë të sistemit gjyqësor e prokurorial, nuk po veprohet më guximshëm e më shpejt për të ndodhur diferencimi dhe pastrimi pozitiv në drejtësi dhe në të gjitha institucionet e shtetit. Kelmendi: Për reformimin e sistemit të drejtësisë nevojitet reformimi i politikës Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, u shpreh për "Kosova Sot" se sado që Kosova ka 8 vjet nga shpallja e pavarësisë, shkëputja nga sistemi i kaluar, lirimi nga njerëzit e inkriminuar, ose që i kanë shërbyer edhe në Gjyqësor dhe Prokurori sistemit të kaluar nuk po ndodh, për shkak se të tillët tani janë kapur nga politika aktuale, që përmes shantazheve t'i shërbejnë po kësaj klase politike të inkriminuar. Për reformim në këtë sistem, sipas tij, nevojitet edhe reformim në politikë, ndryshe nuk mund të themi se kemi shtet ligjor. "Ndërtimi i shtetit ligjor nuk mund të vijë pa sistem gjyqësor dhe prokurorial funksional, të pakorruptuar. Në Kosovë kemi sistem shumë të kalbur gjyqësor dhe prokurorial. Ky sistem vjen nga ishsistemi dhe si i tillë i është nënshtruar tërësisht politikës së vendit, politikanëve, të cilët po e diktojnë atë. Shumica e personelit gjyqësor dhe prokurorial janë edhe të shantazhuar. Ata vijnë nga sistemi i vjetër serbojugosllav dhe si të tillë janë në gjendje të rëndë nga shantazhet e politikës aktuale, së cilës janë të detyruar që t'i shërbejnë për të mos iu zbardhur e kaluara e tyre.

Pra, ata në këtë gjendje nuk kanë guxim të kundërshtojnë politikën e vendit që i kontrollon, për faktin se shumica e tyre kanë të kaluar të rëndë dhe tejet të papastër. Këtë e dinë politikanët dhe për atë i kanë vendosur aty, në mënyrë që kurdo që u duhen, të kërcënohen me biografinë e tyre në kohën e pushtimit. Madje të tillët, që të jenë akoma më të shantazhuar, i kanë lënë edhe të korruptohen vetëm e vetëm për të sunduar më lehtë mbi ta", thotë Kelmendi për "Kosova Sot". Duhen masa të rrepta për ta ndryshuar kuadrin Sipas Kelmendit, është e papritshme që një reformë e tillë, një zëvendësim i këtyre njerëzve në drejtësi të ndodhë, derisa në pozitën e presidentit të jetë Hashim Thaçi, kurse të kryeministrit Isa Mustafa, e që si pjesë e dialogut me Beogradin janë në lidhje të ngushta bashkëpunimi, si me bizneset kriminale përmes lidhjeve partiake, edhe me elementet e ish-regjimit. "Tani askush nuk mund ta thotë të kundërtën lidhur me atë që e njohin të gjithë. Si Isa Mustafa, ashtu edhe Hashim Thaçi në njërën anë, dhe në anën tjetër shumë të tjerë nga subjektet politike, si dhe nga ekonomia private janë pasuruar në mënyrë shumë të paqartë. Ata kanë bashkëpunuar dhe po bashkëpunojnë me kriminelët serbë. Tërë investimet jepen edhe me përqindje. Këtë e flet popull dhe pasuria e politikanëve, por askush deri sot nuk është kapur. Pra, këndej, pa e ndryshuar sistemin gjyqësor dhe prokurorial, madje sipas mendimit tim tërësisht, me reformë të gjerë dhe me masa të rrepta të vendosjes së kuadrit të ri në ato mekanizma, nuk ka shërim kjo gjendje. Sidoqoftë, tani e tutje këtë do të na e kërkojë edhe BE-ja", thotë Kelmendi. Domosdoshmërinë e një ndryshimi rrënjësor në këtë sistem e sheh edhe eksperti tjetër i fushës, Blerim Burjani. Por, ai është i bindur se Kosova është akoma larg një procesi të tillë, pasi që politika është futur thellë në sistem, dhe është një sfidë e vështirë që Gjyqësori dhe Prokuroria të lirohen nga ndërhyrjet politike për t'u reformuar dhe ristrukturuar me njerëz të aftë, të guximshëm dhe profesionistë.

Ekziston një frikë që, sipas tij, në emër të reformimit dhe ristrukturimit me figura të reja, politika të fusë "mercenarët" e saj të paditur në sistem dhe kështu dëmi mund të jetë akoma më i madh, jo reformim, por deformim akoma edhe më i rëndë. "Është dashur të ndodhte me kohë një reformë e kuadrove në drejtësi, por vazhdimisht ka pasur ndërhyrje politike. Në këto organe, një pjesë e madhe e tyre ka ardhur me ndërhyrjet direke të politikës, përderisa një pjesë të këtyre njerëzve që punojnë, u mungon guximi për t'u ballafaquar seriozisht me veprimet e kundërligjshme kriminale. Disave nga ata që e kanë këtë guxim, mund të themi lirisht që u mungon mbrojtja institucionale. Kjo është ndjenja e skepticizmit tim, se me këta njerëz mbi rendin dhe ligjin, gjasat janë kurrfarë për reformim të kuadrove. Ka prej atyre "kuadrove" të reja që së pari duhet t'i nënshtrohen edhe një herë testit të kalueshmërisë dhe vetëm pastaj të fillohet të reformohet ky sistem. E them këtë, sepse ka shumë gjyqtarë që studimet i kanë kryer me notë shumë të ulët mesatare, ka edhe prokurorë e avokatë të tillë", shprehet Burjani. Për të pasur një pastrim dhe reformim të mirë- filltë, sipas Burjanit, Kosova duhet t'i përforcojë kriteret për t'u bërë gjyqtarë a prokurorë, përndryshe tani ka mjaft njerëz të dobët që punojnë në këto organe.

Politika nuk lejon reformimin Nevojën e një ndryshimi substancial, reformim të thellë në fushën e drejtësisë, Prokurori dhe Gjyqësor, e sheh edhe politologu Arsim Haziri. Por, kjo reformë në drejtësi është e pamundur, pa reformim dhe vetëdijesim të vetë politikës qeveritare dhe asaj në opozitë. "Funksionimi i fuqishëm i qenies juridike, institucioneve të drejtësisë, si shtylla kryesore e shtetit, para së gjithash nënkupton zhvillim dhe nivel të plotë të paanshmërisë juridike, të pandikuar nga politika. Kjo përbën edhe thelbin dhe organizimin e brendshëm që një shtet qëndron. Kosova në pikëpamje të shtrirjes së reformimit gjyqësor dhe atij të brendshëm prokurorial pak ka realizuar. Çdo institucion publik është nën ndikimin e ashpër politik, dhe pretendimi se duhet organizuar reformë të thellë, duke instaluar figura të reja, është e pamundshme dhe e parealizuar nga kjo garniturë politike", u shpreh Haziri. Sipas tij, reformimi gjyqësor mund edhe duhet të bëhet sa më shpejt, aq më mirë, mirëpo pak ka shpresa se tani mund të bëhet nga njerëz të rinj dhe të guximshëm, pasi praktika e mëhershme çon në një kthim pak më mbrapa, që na bën ta presin të kundërtën. Reformimi nënkupton vetëm kur në drejtësi vijnë njerëz krejtësisht të pastër, pa të kaluar të inkriminuar, sikur që e kemi rastin konkret në Kroaci, që për shkelje të ligjit nuk u kursye askush, nën arrest përfundoi edhe ish-kryeministri, ndërsa në Kosovë një praktikë e tillë s'mund të bëhet, sepse këtu akoma politika shihet mjeti dhe qëllimi i çdo pretendimi, prandaj edhe kriminaliteti dhe lidhjet e tij me sistemin e drejtësisë janë akoma larg që të stopohen", tha politologu Haziri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)