Berisha: Ratifikimi i Demarkacionit rikthen gazin lotsjellës në Kuvend

  • 24 May 2016 - 12:56
Berisha: Ratifikimi i Demarkacionit rikthen gazin lotsjellës në Kuvend

Në pjesën e parë të qershorit pritet dërgimi në Kuvend për ratifikim i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës pritet të kthehen në Kuvendin e Kosovës për ta kundërshtuar këtë marrëveshje, e cila sipas tyre, i humb vendit mijëra hektarë tokë. E në partinë Nisma për Kosovën thonë se do ta rikthejnë në skenë gazin lotsjellës, vetëm e vetëm që ta pengojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se për kundër bojkotit çështjet që janë të rëndësishme dhe rrezikojnë sovranitetin e vendit Nismën do ta kthejnë në Kuvend.

“Do ta kundërshtojmë këtë marrëveshje tepër të dëmshme. Ne do ta kundërshtojmë në forma demokratike Demarkacionin me Malin e Zi dhe në gjuhën e argumenteve”, ka thënë deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha.

Ai tha për lajmi.net se do të punojnë që të koordinohen si opozitë në aktivitetet për kundërshtimin e Demarkacionit, si me AAK-në, ashtu edhe me Vetëvendosjen.

“Ne do ta bëjmë një kundërshtim të organizuar për mos me pas mundësi që marrëveshja të kalojë Kuvend. Nëse është e nevojshme edhe gaz do të gjuajmë vetëm e vetëm ta pengojmë ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Berisha. 

(Kosova Sot)