Opozita e sheh me mosbesim kursimin e propaganduar

  • 24 May 2016 - 15:59
 Opozita e sheh me mosbesim kursimin e propaganduar

Sa po ia del Qeveria lokale e Gjakovës të kursejë mjetet e buxhetit komunal?

Komunës së Gjakovës nuk ia lëshojnë derën përmbaruesit privatë

“Ndryshe nga ajo që propagandon Qeveria komunale, mbështetur në raportin financiar të tremujorit të parë të këtij viti, del se kemi “avancim” të shpenzimeve, ndërsa ngecje të të hyrave vetjake”, ka thënë këshilltari komunal nga radhët e AAK-së, Dervish Tahiri

“Çdo njëri që ia del të shpenzojë më pak se që fiton nuk ka gjasa që të dështojë në jetë”. Kjo është një thënie tradicionale që e thonë hebrejtë, zaten në botë të njohur si populli më ekonomik dhe ndër më të suksesshmit në biznes. Pra, atëherë kur nuk ke mjaft, je i detyruar që të kursesh, sepse vetëm ashtu mund t’ia dalësh. Është më se evidente se kjo është thënie shumë e aktuale edhe për Kosovën dhe kosovarët. Varfëria jonë tashmë është bërë kronike dhe me të ballafaqohemi thuajse çdo ditë, çdo moment, dhe ajo pengon jetësimin e shumë planeve, e shumë projekteve. Në situatë të tillë kosovarët janë të detyruar që të kursejnë sa më shumë, por vazhdon dilema se a e bëjnë këtë strukturat tona udhëheqëse si në nivel qendror ashtu edhe në atë komunal, apo më shumë flasin se që veprojnë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Borxhi i trashëguar u ka imponuar kursim më të madh

Nëse shikohet se si qëndron situata në këtë fushë në komunën e Gjakovës, menjëherë duhet thënë se, sikurse edhe për shumicën e dukurive tjera, ekzistojnë dy versione të vlerësimit, që janë diametralisht të kundërta. Në njërën anë qëndron konstatimi i pushtetarëve komunalë, sipas të cilëve qeveria aktuale ia ka dalë që të zvogëlojë dukshëm shpenzimet, duke, siç thonë ata, kursyer gati në çdo pozicion të buxhetit. Këtë e thotë edhe drejtori komunal për buxhet e financa të Gjakovës, Teki Shala. “Në momentin kur e kemi marrë pushtetin, para rreth dy vite e gjysmë, kemi gjetur një borxh enorm prej rreth 6 milionë eurosh, i cili, deshëm ne apo jo, na ka imponuar që të sillemi me shumë kujdes për çdo euro të buxhetit komunal. Vetëm në këtë mënyrë ia kemi dalë që të paguajmë shumicën e këtij borxhi, ndërsa vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti ky borxh është zvogëluar edhe për rreth 300 mijë euro. Mirëpo, në ndërkohë vazhdon tërheqja e njëanshme e mjeteve nga buxheti ynë, përmes sistemit të përmbarimit dhe atë mu për shkak të këtij borxhi”, ka thënë Shala, i cili vlerëson se ka zvogëlim të shpenzimeve në të gjitha drejtimet, e, siç thotë ai, pikë së pari në shpenzimet për dreka e darka zyrtare, për karburante, për material të zyrës etj. Ky është versioni i parë i vlerësimit të kësaj çështjeje, ai i pushtetit, ndërsa versioni i dytë, ai i opozitës, është krejt ndryshe.

“Wiber”-i nuk po i zvogëlon shpenzimet telefonike, por po i rrit!

Kështu, këshilltari komunal nga radhët e AAK-s,ë Dervish Tahiri, e sheh me mjaft mosbesim kursimin e propaganduar nga ana e qeveritarëve komunal. “Kur njeriu dëgjon konstatimet e pushtetarëve fiton përshtypjen se është duke u bë punë e madhe sa i përket kursimit të mjeteve të buxhetit. Mirëpo, kur t’i shikon faktet del ndryshe. Kështu mbështetur në raportin financiar të tremujorit të parë të këtij viti del se kemi “avancim” të shpenzimeve ndërsa ngecje të të hyrave vetjake. Fjala vjen shpenzimet për telefoni mobile për këta tre muaj janë gati 10 mijë euro, që për mua është e pakuptueshme tash kur të gjithë kemi mundësi që më shumë të komunikojmë me “wiber”. Është shënuar një rritje e madhe e shpenzimeve në pozicionin e mirëmbajtjes së rrugëve që i ka rrit shumë shpenzimet tek Drejtoria e Shërbimeve Publike. Në fakt, tek shumica e drejtorive thuajse në çdo pozicion ka rritje të shpenzimeve”, ka thënë Tahiri. Lidhur me shpenzimet e buxhetit komunal, një konstatim interesant e thotë Saranda Hyseni, po ashtu nga AAK-ja. “Mjafton të shikohet tabela e shpenzimeve dhe aty vërehet qartë se në këtë tremujor, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka pasur rritje të shpenzimeve në pozicionin pagat për gati 6%, në atë mallra e shërbime për madje 52% dhe në shpenzimet komunale për mbi 21%. E, çuditërisht zvogëlim të shpenzimeve kemi aty ku është dashur të jetë e kundërta, në subvencione, për rreth 32% dhe në shpenzimet kapitale për rreth 18%”, ka thënë Hyseni. Duke iu përgjigjur këtyre konstatimeve të opozitarëve, drejtori Teki Shehu thotë se “Tradicionalisht tremujori i parë i vitit karakterizohet me pagesën e obligimeve të mëhershme, veçanërisht të fundvitit paraprak, sepse në muajt e fundit të vitit nuk lejohet të bëhen pagesat, ndërsa në tremujorin e parë aktivitetet investuese nuk janë aq të mëdha”. 

(Kosova Sot)