Papastërti edhe në objektin e Komunës

  • 24 May 2016 - 20:50
Papastërti edhe në objektin e Komunës

Subjekti më i madh opozitar në komunën e Ferizajt, dega e PDK-së, nuk ndalon së kritikuari komunën e Ferizajt për keqqeverisje. Kësaj radhe në fokus kanë qenë favorizimet me tender, duke përmendur tenderin për mirëmbajtjen e objektit të komunës dhe tenderët tjerë që janë dhënë me kuotim,shkruan gazeta Kosova Sot.

Përfaqësues nga opozita thonë se drejtuesit e pushtetit të Ferizajt po favorizojnë kompani që janë në lidhje me njerëzit e afërt të kryetarit, duke përmendur me këtë rast kompaninë përfituese për mirëmbajtjen e objektit të komunë dhe se këto favore, sipas tyre, po ndikojnë në nivelin e ulët të pastërtisë në objektin e Komunës. "Ky tender për mirëmbajtjen e hapësirave të Komunës iu dha një kompanie me emrin "Metro Park", që është kompani e afërt me një punëtor në kabinetin e kryetarit Sfarqa. Ky tender i dhënë si për ''hatër'' nuk ndihmoi aspak në mirëmbajtjen e Komunës. Lehtë mund ta vëresh që pastërtia nuk është në nivelin e duhur, e për më tepër mungojnë gjërat elementare në tualetet e Komunës, duke filluar nga mjetet e pastrimit e letrat higjienike. Por, kjo siç duket nuk ia prish fare rahatinë kryetarit Sfarqa, i cili, sigurisht, mund te ketë ndonjë peshqir në zyrat e tij. Janë punë- torët ata që po i vuajnë pasojat", thotë Selim Marevci, udhëheqës i Departamentit për Administratë në PDK-në e këtushme.

Komuna thotë se i zbatoi vetëm rregullat e prokurimit

Nga ana tjetër, për pushtetin lokal këto paraqitje të opozitës nuk janë asgjë tjetër vetëm riciklim i tërë asaj që opozita e ka thënë kohë më parë dhe se në rastet e përmendura nuk bëhet fjalë për favorizime, por për respektimin e procedurave të prokurimit. "Në asnjë rast ne nuk kemi favorizuar askënd, por i kemi dhënë punën atyre që kanë zbatuar rregullat dhe ligjet e prokurimit. Nuk ka pasur diskriminime ndaj askujt e as hulumtime nëse dikush ka afërsi familjare me dikë në kohën kur ka konkurruar për këtë punë", pohon Naim Ferati, zëdhënës i komunës së Ferizajt, duke shtuar se në komunë frekuentojnë gjatë ditës një numër i madh i qytetarëve dhe se niveli i pastërtisë nuk është ai për të cilën flet PDK-ja.

Shoferi i kryetarit Sfarqa "kullet" në Komunë

 Në insistimin e gazetës se për cilin person bëhet fjalë kur janë në pyetje favorizimet, zyrtarët e PDK-së kanë thënë se bëhet fjalë për ndikimin e shoferit të kryetarit, ndërsa zyrtarët komunalë kanë thënë se Komunës nuk i interesojnë afritë, ngase kjo përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Por, PDK-ja nuk ndalet me kaq, shpreh shumë pakënaqësi që edhe proceset e tjera nuk po ecin mbarë. "Sikur kjo të ishte çështja e vetme preokupuese s'ka se ku të shkonte më mirë, por në fakt kjo është njëra nga problemet e shumta që ky pushtet në ikje vetëm sa i zmadhoi në vend se të ofronte zgjidhje për qytetarët e vet, te cilët kanë tri vite që janë zhytur në një realitet të zymtë që nga ardhja në pushtet e kryetarit Sfarqa", thotë Marevci.

(Kosova Sot)