Tentimet për korrupsion përmes tenderëve

  • 26 May 2016 - 08:04
Tentimet për korrupsion përmes tenderëve

Në një mori tenderësh janë gjetur shkelje.
"Dallaveret me tenderë në sistemin shëndetësor janë një mesazh për papërgjegjësi totale deri në dyshime për korrupsion të skajshëm me primesa të krimit të organizuar ekonomik. Nga këto veprime përfituesit më të mëdhenj janë klanet politike që mbështesin këtë situatë", ka vlerësuar Talat Gjinolli, ekspert i shëndetësisë

Gjykata e tenderëve për pesë muajt e këtij viti ka kthyer në ritenderim një numër të madh të tenderëve, të cilët nuk kanë shkuar në hap me ligjin. Në këtë aspekt, me tenderë prin Ministria e Shëndetësisë. Tenderët që janë kthyer për rishqyrtim janë: Sigurimi fizik i objektit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe depos se barnave në MSH, autoriteti kontraktues MSH; furnizimi me dokumente shëndetësore, recetat (MSH), furnizim me citostatikë nga Lista esenciale Lot 10, autoriteti kontraktues MSH; furnizim me barna nga Lista esenciale Lot 9, gjithashtu MSH, furnizimi me aparatura mjekësore dhe instrumente medicinale, autoriteti kontraktues spitali regjional Ferizaj. Pjesë e kthimit të tenderëve kanë qenë edhe Furnizimi me barna nga Lista esenciale Lot 14 dhe 34 me autoritet kontraktues Shërbimin Spitalor Klinik Universitar SHSKU; furnizimi me citostatikë Qendra Klinike Universitare; furnizim me material harxhues dhe pjesë rezervë për repartin e Urologjisë, spitali Regjional i Prizrenit. Gjithë këta tenderë kanë marrë notë negative nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili njëherësh ka rekomanduar që të bëhet anulimi apo rivlerësimi i tyre. Vendimi për të anuluar këta tenderë sigurisht se ka ardhur pas ankesave të operatorëve ekonomikë dhe pas shqyrtimit të tyre nga ekspertët shqyrtues të "Gjykatës së tenderëve ", të cilat kanë dalë me një vlerësim se gjatë procedurave tenderuese janë bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik. Ndërkohë, është Ministria e Shëndetësisë ajo që ka marrë më së shumti notë negative në tenderët e shpallur nga vetë ajo.

Në anën tjetër, kërkesa për anulimin e këtij numri të tenderëve vetëm në pesëmujorin e parë të këtij viti është vlerësuar si një tendencë për korrupsion në sistemin e shëndetësisë. Shteti "gjobit" të sëmurin Talat Gjinolli, ekspert shëndetësor nga radhët e AAK-së, ka vlerësuar se vetë fakti i anulimit të këtij numri të tenderëve me autoritet kontraktues institucionet publike shëndetësore, si dhe tenderi i fundit me furnizim me ilaçe, që doli se ka fituar kompania, e cila ka ofertuar ilaçe për 8 herë më të shtrenjta se po të njëjtat të ofertuara para dy vjetësh, tregon për papërgjegjësi totale deri në dyshime për korrupsion të skajshëm me primesa të krimit të organizuar ekonomik. "Tragjedia më e madhe është se nga këto veprime përfituesi më i madh janë klanet politike që mbështesin këtë situatë", ka pohuar ai, duke shtuar se në këtë mënyrë " shteti ( qeveria ), pos që nuk ofron shërbim shëndetë- sor cilësor, ai e "gjobit " të sëmurin. Duke u ndalur te ky problem, Gjinolli ka pohuar më tej se përgjegjësia bie mbi ata që menaxhojnë me paranë publike, në ketë rast Ministria e Shëndetësisë dhe vetë ministri si udhëheqës i këtij dikasteri. Për më tepër, analisti i çështjeve shëndetë- sore, Gjinolli ka pohuar se çdokush që ka një post udhëheqës, në çfarëdo organizimi ekonomik (ndërmarrje të vogla, kompani të mëdha ) dhe organizimi shoqëror ( agjenci publike, të pavarura, ministri, Qeveri ), pos benefiteve që i jep posti duhet të ketë përgjegjësi profesionale dhe morale. "Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë aktuale, vlen rregulli se sa më i paaftë je ( por, mjaftueshëm servil ), avancohesh në poste publike dhe politike, dhe natyrisht fiton imunitet ndaj çfarëdo përgjegjësie penale. Përgjegjësia morale as që ekziston", shprehet Gjinolli. (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)