U bë nënë për herë të parë, disa momente më vonë ra në gjendje kome

  • 27 May 2016 - 13:34
U bë nënë për herë të parë, disa momente më vonë ra në gjendje kome

Asaj mund të mos i kujtohet që ka sjellë në jetë fëmijën që e kishte dëshiruar me çdo kusht.
Ky është momenti prekës kur një nënë e re ka marrë afër vetes vajzën e vet të porsalindur për herë të parë - dhe me gjasë edhe për herë të fundit. Nicola Landsdown, 38- vjeçare, ishte futur në komë të induktuar vetëm disa minuta pasi ishte nxjerrë kjo fotografi, pasi kishte pësuar gjakderdhje shumë të rrezikshme në tru,transmeton gazeta Kosova Sot.

Tani, kur kanë kaluar më shumë se dy javë, doktorët po vazhdojnë të mundohen që ta këndellin nga koma dhe ta ribashkojnë me foshnjën, për të cilën kishte ëndërruar gjithmonë. Tragjikisht, ata druhen që ajo mund të ketë mbetur me dëmtime të tmerrshme në tru dhe mund të mos i kujtohet që ka sjellë në jetë fëmijën që e kishte dëshiruar me çdo kusht. Zonjusha Landsdown ka qenë në javën e 41-të të shtatzënisë kur ishte rrëzuar pasi ishte ngritur nga shtrati, dy ditë para se të vinte dita kur ajo ishte planifikuar të lindte. Doktorët ia kishin dalë ta sjellin në jetë foshnjën e shëndoshë, Lexi-n, më 7 maj megjithatë ishin detyruar që menjëherë ta vinin zonjushën Landsdown në komë të induktuar, për të bërë përpjekje që t'ia zvogëlonin ënjtjet në tru.

Dëmtimi mund të ndikojë në të folur

Përkundër faktit që ajo ia ka dalë ta takojë foshnjën e vet për disa momente, ajo, edhe nëse ia del të mbijetojë, mund të mos jetë në gjendje ta kujtojë atë rast të veçantë, pasi që dëmet që i janë shkaktuar në tru janë të panjohura. I fejuari i saj, Kevin Smeers, që ishte njoftuar me zonjushën Landsdown kur kanë qenë në shkollë bashkë, ka thënë: "Është një periudhë me të vërtetë e vështirë pasi nuk e dimë se sa rëndë është dëmtuar Nicola nga gjakderdhja. Ata mendojnë që i është dëmtuar truri, gjë që mund të ndikojë në të folur dhe në anën e djathtë të trupit të saj. Edhe më rëndë është që asaj mund të mos i kujtohen momentet që i ka pasur me Lexi-n, pasi ajo është lindur. Ajo gjithmonë ka ëndërruar të bëhet nënë. Ka qenë një ndjenjë e papërshkrueshme momenti kur ajo e ka mbajtur në duar vajzën e vogël, mirëpo çdo gjë bëhej e vështirë për shkak të pasigurisë së shëndetit të Nicola-s. Shpresojmë që gjithçka do të bëhet mirë, ndonëse asnjëherë nuk do të mund t'i zëvendësojmë javët e para të jetës së Lexi-t".

(Kosova Sot)