Dyshime se trafikonte armë, anija e nisur nga Durrësi ndalohet në Greqi

  • 29 May 2016 - 16:23
Dyshime se trafikonte armë, anija e nisur nga Durrësi ndalohet në Greqi

Një anije mallrash, e nisur nga porti i Durrësit, është ndaluar nga autoritetet greke në Katakolo. Anija që mbante flamurin e Sierra Leones dhe transportonte çimento nga Shqipëria për në Libi, u ankorua në portin e Katakolos, pasi autoritetet greke kishin marrë informacione nga shërbimet sekrete se, anija me çimento shqiptare transportonte armë apo edhe drogë.

Pas një ndjekjeje nga rojet bregdetare të Greqisë, anija u ankorua në portin e Katakolo, ku iu nënshtrua kontrolleve. Anija ishte nisur nga porti i Durrësit me 2700 ton çimento për ta transportuar në Tobruk të Libisë. Sinjalizimi është dhënë nga shërbimi sekret francez, se në anije dyshohet se kishte armë të fshehura.

Forcat Speciale të Greqisë dhe qentë gjurmues rrethuan anijen dhe kontrolluan të gjithë mjetin. Nga autoritetet greke nuk ka ende njoftim në lidhje me ndonjë ngarkesë të dyshimtë të gjetur në anije.

(Kosova Sot)