Trafikantët, 1 milion euro me autobusë e kamionë në Shqipëri

  • 30 May 2016 - 09:39
Trafikantët, 1 milion euro me autobusë e kamionë në Shqipëri

Komandanti i Karabinierisë në Milano shpjegon se si funksiononte grupi i shqiptarëve që trafikonin drogë nga Holanda në drejtim të Italisë.

Në një intervistë për televizionin “TGR”, komandanti Giuseppe La Gala u shpreh se ky grup i dërgonte në Shqipëri paratë e përfituara nga shitja e drogës. Sipas tij, një dërgesë e tillë arrinte në vlerën e afro 1 milion eurove. Rreth 300 mijë euro, të përgatitura për t’u nisur me postë në Shqipëri, u sekuestruan mbrëmjen e 24 majit, kur u zhvillua operacioni mes Shqipërisë dhe Italisë.

Komandanti La Gala shprehet se ky grup ka trafikuar tonelata droge në Itali, përgjatë 2 viteve të fundit. Sipas tij, kishin caktuar disa kode, në mënyrë që të mos zbuloheshin nga Policia, kode që për rreth 2 vite kanë funksionuar mjaft mirë, duke bërë që ata të mos zbuloheshin.

Komandanti tregon edhe se si funksiononte grupi. Sipas tij, shqiptarët kishin rolin e furnitorëve me lëndë narkotike, të llojit heroinë dhe kokainë, ndërsa si korrierë për shpërndarjen e drogës përdornin disa shtetas nga Maroku dhe Tunizia, mes të cilëve edhe një femër.

Gjithashtu, La Gala tregoi gjatë intervistës edhe mënyrën e jetesës që kishte bërë grupi i shqiptarëve, për të mos u zbuluar nga Policia, raporton Panorama.

GRUPI KRIMINAL

Tonelata drogë janë trafikuar nga grupi i shqiptarëve, që përdornin tunizianë e marokenë për ta transportuar me autobusin e linjës nga Holanda në Itali. Komandanti i Karabinierisë së Milanos, Giuseppe La Gala, tha se anëtarët e këtij grupi bënin një jetë që të mos binin në sy.

“Kishin disa kode të qarta që i përdornin për të mos u zbuluar. Secili prej atyre që ishte i përfshirë në këtë grup e kishte të ndaluar të frekuentonte lokalet e natës. Shmangnin çdo gjë të tepruar. Përdornin makina modeste dhe ishin të rregullt me pagesën e faturave. E kishin të ndaluar të shoqëroheshin me njëri-tjetrin në ambiente publike, për të shmangur çdo dyshim për bashkëpunim apo njohje mes tyre. Ishin të detyruar të sillnin në Itali familjarët e tyre, gruan dhe fëmijët, për të simuluar prezencën e një familjeje normale”, shprehet La Gala.

(Kosova Sot)