Juniku, 104 vjet pa gjakmarrje

  • 30 May 2016 - 19:10
Juniku, 104 vjet pa gjakmarrje

Rrustem Bajraktari: Partizanët, parinë e Junikut e ekzekutuan me çekiç e kazmë.

"Mbaj mend të kenë qenë tri vrasje, por jo për gjakmarrje, dy prej të cilave i kemi pajtuar dhe një jemi afër pajtimit", thotë Avdyl Hoxha, magjistër i Historisë dhe ish-drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore në Pejë, raporton Gazeta Kosova Sot

Zeqë Shehu, njëri ndër intelektualët e orëve të para të pasluftës së Dytë Botërore, thotë se të gjithë në Junik janë krenarë se për 104 vjet nuk ka pasur asnjë vrasje për gjakmarrje. Ndërsa Avdyl Hoxha, magjistër i Historisë dhe ish-drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore në Pejë thotë se "mbaj mend të kenë qenë tri vrasje, por jo për gjakmarrje, dy prej të cilave i kemi pajtuar dhe një jemi afër pajtimit."Hoxha edhe sot e kësaj dite e bën interpretimin e drejtësisë sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili është edhe person i licensuar në Komisionin për ndërmjetësim të drejtësisë në Pejë. Kuvendi i Junikut, ku u ndez flakadani i lirisë që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ka homogjenizuar popullatën e kësaj treve. Interpretimi i së drejtës kanunore, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, për shumë e shumë dekada është bërë nga burrat me nam të Odës se Junikut. "Zgjedhja e 'Parisë" së Junikut prej 12 pleqve bëhej një nga secili fis, sepse atëherë kanë jetuar në këtë fshat 12 fise, ka pasur për autoriteti të pakontestuar Bajraktarët e Junikut, që kanë qenë faktorët vendimtarë që Juniku të jetë shembull i tolerancës ndërnjerëzore dhe ndërfisnore", thotë Zeqë Shehu për gazetën.

Banorët e këtij fshati kanë pasur martesa në mes vete

Smajl Xh. Kuqi ka kaluar të 84-at dhe thotë se as ai nuk mban mend të ketë pasur ndonjë gjakmarrje në këtë vend. "Këtu hon e don ka mbretëruar paqja, rregulli dhe qetësia. Këtu e ka mbajtur rendin Oda e Junikut. Janë bërë ligje të obligueshme për zbatim. Ata që nuk janë sjellë konform tyre janë leqitur, janë dëbuar nga fshati, dhe toka e tyre ka mbetur utrinë e fshatit", pohon Kuqi. "Lekë Dukagjini ka thënë se nuk ka pushkë për vëllain, përveç për ata që e ndihmojnë armikun", thotë Smajl Kuqi dhe shton se këtë e ka përcjellë me vendosmëri te gjeneratat e reja. "Të gjitha këto janë reflektuar në mesin e banorëve të kësaj treve dhe ka rezultuar që Juniku, dikur fshati më i madh i Kosovës, tani njëra nder komunat më të reja, të mos ketë vrasje për hakmarrje që më se 104 vjet", është shprehur ai. Në Junik dikur jetonin 12 fise, ndërsa tani jetojnë nëntë sosh dhe sot ndahet në 12 lagje. "Banorët e këtij fshati kanë pasur martesa në mes vete, ngase kanë qenë të fiseve të ndryshme dhe ata ose janë nip e dajë, ose janë tezakë, ose janë kushërinj dhe e tëra kjo lidhje miqësie, lidhje fisnore dhe lidhje të tjera miqësie kanë bërë që këtu të mos ketë vrasje dhe gjakmarrje", pohon Avdyl Hoxha, i cili thotë se Juniku ka qenë shembulli më i mirë në periudhën e pajtimit të gjaqeve në vitet e 90-ta të prirë nga Anton Çetta. Ai shton se autoritetet e këtij fshati atëbotë ishin pjesë e pandarë e karvanit të pajtimit të gjaqeve.

Junikasit respektuan ndër shekuj Kanunin e Lek Dukagjinit Agron Kuqi, kryetar i kësaj Komune, shprehet për këtë fenomen të ruajtjes se paqes dhe të tolerancës ndërnjerë- zore të bashkëvendësve të tij dhe nuk fsheh krenarinë e tij, duke thënë se i bën nder të jetë i pari i pushtetit lokal të kësaj qyteze. "Gjatë historisë, Juniku ka pasur një rregullim të veçantë shoqëror, ekonomik, politik, civil dhe ushtarak. Qytetarët e Junikut e kanë respektuar ndër shekuj Kanunin e Lekë Dukagjinit, ashtu sikurse tani që i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës", ka thënë Kuqi. Rrustem Bajraktari, i biri i Ali Bajraktarit, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, thotë se familja e tij ka prejardhje nga Bardhajt e Junikut dhe se Bajrakun ia besoi populli i asaj treve. "Babai im Ali Bajraktari ishte autoritet i pakontestuar si bajraktar që nga viti 1931 deri në vitin 1945, kur së bashku më tërë parinë e Junikut u burgosën nga partizanët dhe u dërguan në rrugën e "shkive" në Gjakovë, në një burg të improvizuar", është shprehur ai, duke shtuar se ata janë dënuar me vdekje. "Ekzekutimi i tyre nuk është bërë me plumba, por me çekiç në kokë dhe me kazmë", thotë Avdyl Hoxha. Shton se nga ata ka shpëtuar vetëm biri i Avdyl Hoxhës, Imer Hoxha, i cili ka shpjeguar për ketë masakrim të parisë se Junikut dhe junikasve të tjerë të burgosur në atë periudhë. 

(Kosova Sot)