Partneriteti publiko-privat vihet në pikëpytje

  • 30 May 2016 - 19:17
Partneriteti publiko-privat vihet në pikëpytje

"Kompania ka përmbushur vetëm 17 për qind të marrëveshjes", thotë Xhelil Jetishi, kryesues i Komisionit të Aksionarëve, raporotn Gazeta Kosova Sot

"Ecohigjiena" nuk ka respektuar marrëveshjen 

Ishin planifikuar 1.5 milion euro investime për tre vjet, u investuan vetëm 257 mijë euro.

P artneriteti publik-privat në kompaninë "Ecohigjiena" në Gjilan, dikur shumë i lavdëruar, tani duket se nuk po i kënaq palët. Kryesuesi Komunal i Aksionarëve, Xhelal Jetishi, ka thënë se kompania nuk ka përmbushur as për së afërmi marrëveshjen e paraparë për tre vjetët e parë. "Marrëveshja për investime, deri më tani është përmbushur vetëm 17 për qind, sikur që nuk është respektuar ulja e TVSH-së, nga 16 në 8 për qind, ndërkohë që është bërë ulja e vlerës së aseteve publike nga 1.4 milion euro, sa ishin, në 707.235 euro", ka thënë Jetishi. Ai ka nënvizuar se partneri privat, sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2012, ka pasur obligim që brenda tre vjetëve të investojë 1.5 milion euro, ndërsa deri tani ka investuar mbi 257 mijë euro. Sipas Jetishit, as kjo shumë nuk është konfirmuar, përkundër insistimit të Komisionit të Aksionarëve. Për më tepër, ai ka thënë se pa u njoftuar fare Komisioni i Aksionarëve është bërë hapi tjetër, ai i zhvlerësimit të aseteve publike në këtë kompani. "Sipas kësaj, ne jemi të detyruar që si obligim t'i përmbushim edhe mbi 700 mijë euro", ka thënë Jetishi. Ai ka thënë se ky partner nuk është i vetmi me të cilin mund të bashkëpunojmë, sepse ka edhe kompani tjera rajonale, apo menaxhimin e kompanisë ta merr vetë Komuna. Përndryshe, Komisioni i Aksionarëve nuk ka vërejtje sa i përket pastërtisë. Gjilani llogaritet ndër qytetet më të pastra në Kosovë.

Suksesin nuk e shohin ata që kanë "shibla në sy"

Senad Ramaj, drejtor ekzekutiv në "Ecohigjiena", ka thënë se rrugëtimi i kompanisë 'Ecohigjiena', nga viti 2012 e këndej ka qenë i vështirë dhe me sfida të shumta. Sa u përket inves timeve që parasheh marrëveshja, thotë se austriakët startuan me investime. Në fillim të viti 2013 u sollën kamionët përkatës dhe kontejnerët nga Austria. U soll teknika e re kompjuterike dhe sistemi i IT-së, për të avancuar kontabilitetin, përllogaritjen dhe printimin e faturave. U investua në punëtori të re për servisim të automjeteve, në mobileri dhe inventar të zyrave për punë administrative, në elektrifikim, kanalizim dhe pajisje të rrjetit kompjuterik dhe të tjera. "Viti 2015 qe vit i sfidave të veçanta juridike dhe ekonomike. Kompanisë, së pari i bllokohet llogaria bankare, pa të drejtë dhe pastaj u "plaçkit" për shkak të borxheve të vjetra të KRMsë "Higjiena" ndaj furnitorëve dhe KMDK -së. Megjithatë, vitin e mbyllëm me rreth 85 për qind inkasim", thotë Ramaj. Edhe bashkëpunimin me komunat, e vlerëson të mirë. Disa prej komunave të reja kanë përzgjedhur formën e operimit sipas kushteve dhe mundësive që kanë. Ai rikujton se PPP në "Ecohigjinë" zgjat edhe 11 vjet. Por, a do të zgjatë partneriteti edhe për kaq vjet, me këtë shkallë të pakënaqësisë së njërit partner, mbetet të shihet. Ramaj e konsideron partneritetin publiko-privat në këtë ndërmarrje një tregim suksesi, por thotë se këtë sukses nuk duan ta shohin vetëm ara që kanë "shibla në sy". 

Nevzadi: Pse kjo heshtje?

Analisti Veton Nevzadi, i cili në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes për partneritet publiko-privat, ka qenë pjesë e qeverisjes dhe i kyçur në proces, thotë se deklarata e kryetarit të komisionit komunal të aksionareve të "Ecohigjienës" për nivelin e zbatimit të marrëveshjes duhet të trajtohet më seriozisht nga institucionet komunale, pozitë dhe opozitë. Ai jep edhe disa sqarime për të qartësuar gjërat. "Në nenin 5 të marrëveshjes, mes partnerëve, thuhet se realizimi i investimeve nga investitori do të bëhet sipas dinamikes së bazuar në planin e investimeve, nga 500 mijë euro për tre vjetët e parë. Nëse kjo nuk ka ndodhur ende, atëherë duhet të veprohet në përputhje me dispozitat e tjera të kësaj marrëveshjeje. I njëjti nen përcakton se "dështimi i cilësdo palë për të përmbushur zotimet teknike, ose komerciale, trajtohet si shkelje e detyrimeve", thotë Nevzadi. Po ashtu, zhvleftësimi i njëanshëm i aseteve bie në kundërshtim me nenin 6 të marrëveshjes, ku thuhet se vendimet duhet të bëhen me konsensus të dyja palëve, pa marrë parasysh numrin e aksioneve në kompani. "Marrëveshja parasheh edhe rrethanat e përfundimit të ndërmarrjes së përbashkët, kur realizimi i objektivit është i pamundur". Ai thotë se heshtja nuk e zgjidh problemin. "Përveç pushtetit, i cili ka detyrim ruajtjen dhe avancimin e interesit publik, në këtë rast, edhe opozita ka obligim që ta ngrejë zërin e saj për të vendosur në binarë këtë çështje, e veçanërisht përfaqësuesit e PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit". Marrëveshja për PPP në 'Ecohigjienë' është nënshkruar në qeverisjen e PDK-së, por është përkrahur edhe nga opozita (LDK).

(Kosova Sot)