Tre milionë euro për komoditetin e komunarëve

  • 31 May 2016 - 15:25
Tre milionë euro për komoditetin e komunarëve

Në kohën kur Komuna e Gjakovës ballafaqohet me probleme të shumta financiare

Do të bëhet akomodimi i përkohshëm i komplet administratës komunale në objektin e shkollës teknike

Duke e përkrahur një projekt me të cilin Komuna e Gjakovës ka konkurruar në Konferencën e Donatorëve, BE-ja është përcaktuar që për renovimin e objektit ekzistues të administratës komunale dhe ndërtimin e aneksit të ndaj 2,4 milionë euro, ndërsa një gjysmë milioni tjetër duhet ta sigurojë Komuna

Që në muajt e parë të mandatit të vet, qeveria aktuale komunale e Gjakovës, në fillim të vitit 2014, pati organizuar një Konferencë të Donatorëve, të parën e këtij lloji në Kosovë, që u dedikohej nevojave të vetëm një komune. Me atë rast, para donatorëve të mundshëm, vendorë e ndërkombëtarë, ishin prezantuar një sërë projektesh të ndryshme, me shpresë se do të gjenden donatorë që do të mbështesin realizimin e tyre. Një nga projektet ishte edhe ai që parasheh renovimin e objektit ekzistues të administratës komunale, i cili është ngritur para rreth 4 dekadash dhe ndërtimin e aneksit të ri të këtij objekti. Dhe, mu ky projekt ka gjetur mbështetjen e Komisionit Evropian, i cili është zotuar se do të investojë në realizimin e tij.

Administrata komunale, nga 5 objekte do të tubohet në një

Sipas të dhënave që i prezantojnë zyrtarët komunalë të Gjakovës, bëhet fjalë për një projekt që do të kushtojë gati tre milionë euro (2,9 milionë), dhe, jo të gjitha këto do t’i sigurojë Komisioni Evropian, pasi një pjesë duhet ta sigurojë Komuna nga fondet e veta. “Në takimin e fundit me shefin e operacioneve të BE-së, Christof Stock, është konfirmuar se projekti total dhe i detajuar i renovimit të objektit ekzistues dhe ngritjes së aneksit të kësaj ndërtese, kap vlerën prej 2,9 milionë euro. Komisioni Evropian ka marrë vendim që në këtë projekt t’i investojë 2,4 milionë euro, ndërsa 500 mijë euro duhet të sigurohen nga buxheti komunal”, ka bërë të ditur kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për opinion. Ky projekt thuhet se do t’u mundësojë ofrimin e shërbimeve shumë më të mira dhe më efikase komunale qytetarëve dhe do të mundësojë që e tërë administrata komunale, që tash është e shpërndarë në 5 objekte, të akomodohet në një objekt. Është paralajmëruar se punimet do të fillojnë në vjeshtë dhe do të zgjasin rreth një vit e gjysmë dhe që gjatë kësaj kohe administrata komunale do të rivendoset në objektin e shkollës së mesme teknike, respektivisht të ish -gjimnazit të vjetër.

Në këtë kohë krize, investim i paqëlluar

Paralajmërimet për këtë investim tremilionësh që do të shkon në rritjen e komoditetit të administratorëve komunalë, ka nxitur shumë debate në mesin e gjakovarëve. Shumë nga ata, e këtë e thonë edhe disa nga këshilltarët komunalë, mendojnë se një investim i tillë në këtë kohë të krizës së madhe financiare nëpër të cilën po kalon komuna e Gjakovës, nuk është i qëlluar. Këtë e thotë edhe Agon Batusha nga “Vetëvendosje!”. “E kuptojmë se ky projekt është i nevojshëm, por është për disa kohë të tjera, më të mira, që kurrsesi nuk po vijnë. Në situatën aktuale nuk është i domosdoshëm për shkak të situatës shumë të rëndë ekonomike-sociale. Gati 3 milionë euro kanë mundur të shkojnë në hapjen e vendeve të reja të punës, pra për t’u investuar për hapjen e ndonjë reparti prodhues, apo në bizneset e vogla e të mesme, ku kemi prodhim dhe punësim e jo në administratë që asgjë nuk prodhon. Kujtoj se aktualisht hapësira për funksionim efikas të organeve komunale ka sa të duash, prandaj mendoj që objekti i ri është thjesht një luks i tepruar në kushtet aktuale shumë të rënda ekonomike. E di që KE-ja vetë e ka përzgjedhur mbështetjen e këtij projekti, por kujtoj se ka mundur të insistohet që të përzgjidhet ndonjë projekt tjetër”, ka thënë Batusha për “Kosova Sot”. Ndërkaq, këshilltari komunal nga PDK-ja, Artan Nimani parasheh shumë probleme shtesë në rrugën e realizimit të këtij projekti. “Parimisht, çdo investim është i mirëseardhur, posaçërisht nëse vjen nga donatorët e huaj, siç është ky që vjen nga KE-ja. Por duhet ta dimë se sot zhvillimi i Gjakovës duhet të orientohet kah hapja e vendeve të reja të punës, për çka kemi shumë nevojë. Nuk është problemi i vetëm që nga buxheti i varfër komunal do të shpenzohen një gjysmë milioni euro, por problem shumë serioz do të jetë akomodimi i përkohshëm i komplet administratës komunale në objektin e shkollës teknike”, ka thënë për gazetën Nimani.

(Kosova Sot)