
Pas uzurpimeve, bosat e politikës

Po dalin vetëm peshqit e vegjël, të mëdhenjtë nuk po preken
Sipas analistëve, ky është vetëm edhe një blof i kësaj garniture të pushtetarëve, sa për të thënë, dhe për t'u arsyetuar se po e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, shkruan sot Gazeta Kosova Sot
Në bazë të listave zyrtare, që u publikuan kohë më parë nga menaxhmenti i ri i AKP-së, shihet qartë se janë hiç më pak se 632 prona shoqërore prej përfundimit të luftës e deri më tash që kanë qenë të shfrytëzuara nga uzurpatorë të ndryshëm, të cilët kanë përfituar shuma të mëdha parash në emër të qirave për pronat që ua kanë lëshuar personave të tjerë, dhe të cilat arrijnë vlerën e qindra miliona eurove. Analistët e ekonomisë, deputetët nga opozita dhe njohës të kësaj fushe ngulin këmbë se përfituesit më të mëdhenj nga shfrytëzimi abuziv i pronave shoqërore që po ndodh tash e 17 vjet, kanë qenë njerëzit e partive kryesore politike. Sipas tyre, uzurpatorët e vërtetë të pronave janë “bosat” e politikës e jo peshqit e vegjël. Por, analistët po ankohen se institucionet e drejtësisë po hezitojnë që të ndëshkojnë të paprekshmit e pushtetit. Sipas tyre, ajo çfarë ka bërë AKP-ja është vetëm një mashtrim. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë së Shtetit dhe të AKP-së, se kur priten të ndërmerren hapa konkretë ndaj uzurpatorëve, nuk kemi marrë përgjigje. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, paralajmëron se aksionet e javës së fundit, por edhe ato më herët nuk do të jenë të fundit. Numri një i Prokurorisë së Shtetit paralajmëroi se Prokuroria ka në shënjestër edhe raste të tjera, të cilat kanë të bëjnë me vepra penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, kryeprokurori Lumezi, me qëllim të mbrojtjes së hetimeve, nuk ka dashur të zbulojë detaje konkrete rreth këtyre rasteve.
Fitimet e paligjshme t’i kthehen shtetit
Njohësit e kësaj fushe sugjerojnë se miliona euro që i kanë fituar uzurpatorët e ndërmarrjeve shoqërore, duhen konfiskuar dhe ato më pas t’i kthehen Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Edhe zyra e Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës ka publikuar Raportin me rekomandime lidhur me lirimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore, të shitura nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nga shfrytëzuesit e paligjshëm. Ky raport u është drejtuar më 19 prill 2016 autoriteteve përgjegjëse. Siç thuhet në raportin e Agjencisë, qëllim i tij është tërheqja e vëmendjes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Shtetërore, lidhur me uzurpimin e pronave të privatizuara nga shfrytëzuesit e paligjshëm. Deputeti i Kuvendit të Kosovës Bali Muharremaj (AAK) thotë për “Kosova Sot” se nuk ka fije dyshimi se përfituesit më të mëdhenj nga uzurpimi i pronës shoqërore, janë njerëzit e partive kryesore politike, që i shfrytëzuan me mjeshtëri lidhjet e tyre politike, duke përfituar për 17 vjet me miliona euro nga pronat e uzurpuara. Por, deputeti Muharremaj ankohet se dhe nëse gjykata fillon ndriçimin e ndonjë rasti të tillë, aty do ta pësojnë vetëm "peshqit e vegjël" që shërbenin si paravan për pushtetarët e fshehur prapa tyre, kurse “bosat” e tyre, me bekimin e të cilëve i kanë uzurpuar këto prona, do të mbesin të pandëshkuar, sepse pushteti aktual ka kapur edhe sistemin e drejtësisë. “Secila pronë e uzurpuar do të duhej trajtuar me kohë nga vetë AKP-ja, duke u liruar plotësisht, ndërsa ndaj uzurpatorëve, pavarësisht se kush kanë qenë apo janë ata, të veprohej sipas akteve ligjore. Edhe ndaj personave, që në këtë formë kanë shfrytëzuar prona dhe kanë krijuar të hyra financiare, ato do të duhej të konfiskoheshin, për çfarë mjerisht akoma si shtet nuk e kemi të kompletuar garniturën ligjore”, ka thënë deputeti Muharremaj.
Emrat e uzurpatorëve të vërtetë po mbahen sekret
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Milazim Abazi, thotë për “Kosova Sot” se kjo çfarë ka bërë AKP-ja dhe më pas reagimi i Avokatit të Popullit është vetëm një truk i garniturës së pushtetarëve aktualë sa për t'u hedhur pluhur syve të qytetarëve, se gjoja Qeveria dhe kryeprokurori i ri po e luftojnë krimin dhe korrupsionin. Abazi është i mendimit se në listat e publikuara me emrat e disave nga uzurpatorëve qëndrojnë vetëm emrat e publikuar të "peshqve të vegjël", ndërkaq emrat uzurpatorëve të vërtetë janë njerëzit e veshur me pushtet nga politika”. Sipas Abazit, ky është vetëm edhe një blof i kësaj garniture të pushtetarëve sa për të thënë dhe për t'u arsyetuar se po e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Por, jam pesimist se do të ndërmerren masat e duhura dhe do të luftohet korrupsioni”, theksoi më tej ai. Ndërsa një hulumtim të bërë nga Instituti GAP lidhur me këtë çështje, drejtori Agron Demi ka deklaruar se përveç publikimit të listës së uzurpatorëve, AKP-ja dhe ekspertët e saj ligjorë duhet t’i padisin të gjithë uzurpatorët e ndërmarrjeve shoqërore dhe njëherësh të kërkojnë edhe dëmshpërblim financiar nga ta. “Nëse prej një prone shoqërore, individë të papërgjegjshëm kanë përfituar miliona euro, AKP-ja dhe Prokuroria duhet të kërkojnë dëmshpërblim monetar apo konfiskim të pasurisë së këtyre personave”, është shprehur ai.
(Kosova Sot)