Vogëlushi i lindur me peshë 800 gramë bën mrekullinë duke mbijetuar

  • 24 June 2016 - 18:13
Vogëlushi i lindur me peshë 800 gramë bën mrekullinë duke mbijetuar

Lennox Moles ishte lindur para kohe, në javën e 25-të të shtatzënisë, dhe peshonte vetëm 800 gramë. Doktorët në Spitalin Mbretëror të Grave në Melburn të Australisë menjëherë e kishin vendosur vogëlushin në qese të plastikës për t'i ndihmuar që t'ia rregullonin temperaturën dhe t'ia parandalonin hiperterminë, para se ai të vendosej në inkubator, transmeton gazeta Kosova Sot.

Nëna e Lennox-it, Lilly Munro, e ka përshkruar 'shtëpinë' e përkohshme të foshnjës së porsalindur si një 'qeskë furre' dhe ka thënë që kjo është një praktikë e zakonshme për foshnjat që linden para kohe, para se të zhvilloheshin mjaftueshëm për ta mbajtur të ngrohtë veten e tyre. "Ai ishte vendosur në një qeskë plastike. Këtë gjë e bëjnë me foshnjat e lindura para kohës, pasi që foshnjat e lindura në këtë periudhë nuk janë në gjendje ta rregullojnë temperaturën", ka thënë zonjusha Munro. Pasi që ishte lindur, Lennox kishte qëndruar për 111 ditë në spital, para se të lëshohej për të shkuar në shtëpi.

Prindërit ishin detyruar që ta linin punën për t'u përkujdesur për fëmijët

Foshnjat të cilët linden në këtë periudhë të shtatzënisë kanë vetëm 50 për qind gjasë për të mbijetuar. E, ka qenë lufta e pashoq e të birit të saj për mbijetesë ajo që ka bërë që zonjusha Munro ta konsiderojë fëmijën e saj të katërt si një 'foshnje të mrekullisë'. Zonjusha Munro ka thënë që kishte pasur një ndjesi të çuditshme kur kishte qenë në javën e 24-të të shtatzënisë. Ajo ishte dërguar në spital dhe i ishte nënshtruar ultrazërit ku doktori ia kishte kumtuar lajmin tronditës. "Doktori pati shikuar në ekran dhe më pati thënë që mitra ishte hapur", ka thënë ajo. Ajo menjëherë ishte shtrirë në spital për trajtim dhe një javë më vonë kishte sjellë në jetë të birin e saj, në procedurën që kishte zgjatur shtatë orë. Ai është lindur me një vrimë në zemër dhe mund të ketë nevojë për operacion me laser, pasi që sytë nuk i ishin zhvilluar ende. Lennox, i cili tani peshon 3.5 kilogramë, ka pasur probleme edhe me frymëmarrje dhe ka pasur një sërë transfuzionesh të gjakut. Zonjusha Munro dhe i fejuari i saj ishin detyruar që ta linin punën për t'u përkujdesur për fëmijët. Foshnja e lindur në shkurt të këtij viti tashmë është duke e marrë veten, megjithatë ka nevojë për trajtim.

(Kosova Sot)