Presidenti merr ftesë të jetë mysafir nderi në Ditën e Pavarësisë së SHBA’së

  • 26 June 2016 - 15:10
Presidenti merr ftesë të jetë mysafir nderi në Ditën e Pavarësisë së SHBA’së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë ftesë të jetë pjesë si mysafir nderi në Ditën e Pavarësisë së Amerikës që mbahet më 4 korrik.
Këtë e ka bërë të ditur Presidenti Thaçi gjatë qëndrimit në Panamase ka marrë ftesën nga Ambasadori amerikan në Panama, John Feeley, të jetë mysafir nderi në pritjen e Ditës së Pavarësisë së Amerikës.

Më tej, siç bën me dije vetë Thaçi, ai është takuar edhe me zonjën Biden, bashkëshorten e zëvendëspresidentit Joe Biden, e cila i është falënderuar për emërimin e një rruge në Kosovë me emrin e të birit të tyre të ndjerë.

“Pata nderin të takohem me zonjën Biden e cila u falënderua për emërimin e një rruge kosovare me emrin e djalit të saj të ndjerë. Zëvendës Presidenti Biden dhe gruaja e tij janë miq të Kosovës dhe Kosova nuk i harron miqtë”, theksoi Thaçi.

Gjatë këtij udhëtimi, Thaçi është takuar edhe me Presidentin e Panamasë, Juan Carlos Varela, me të cilin tha se do të ketë edhe takime gjatë hapjes së kanalit të ri të Panamasë.

“Pata biseda edhe me kongresmenë amerikanë, ministra vendorë dhe pjesëtarë të korit diplomatik dhe ushtarak në Panama. E veçanta e kësaj pritjeje amerikane ishte se organizohej në port, fare pranë luftanijes amerikane, simbol i dedikimit amerikan për mbrojtjen e botës së lirë”, u shpreh presidenti Hashim Thaçi.

(Kosova Sot)