Skamnorët mbushen me ndihma gjatë Ramazanit

  • 30 June 2016 - 18:43
Skamnorët mbushen me ndihma gjatë Ramazanit

Muaji i Ramazanit i ka bërë më të ndjeshëm njerëzit ndaj nevojtarëve. Në Gjilan, prej disa ditësh po shpërndahen ndihma për skamnorë. Pos Komunës e Bashkësisë Islame, pako ushqimore kanë shpërndarë edhe shoqata të ndryshme humanitare. Anëtarët e klubit "Anamorava" të Gjilanit kanë ndihmuar 55 familje skamnore në Gjilan me gjëra ushqimore. Miellin dhe pakot ushqimore, ata i kanë siguruar nga donatorët, shkruan gazeta Kosova Sot.

Aksioni u ndërmor për t`i begatuar sofrat e varfanjakëve gjatë muajit të Ramazanit. Manushaqe Latifi, udhëheqëse e këtij projekti, ka thënë se është organizuar një aktivitet në futboll të vogël, ku kanë marrë pjesë 16 ekipe dhe mjetet që janë grumbulluar nga ky turne dhe nga ato që janë siguruar nga donatorë të ndryshëm, janë shfrytëzuar për blerjen e miellit dhe gjerave ushqimore e higjienike. Që projekti të përfshijë sa më shumë skamnorë, është përkujdesur edhe Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, e cila ka ndihmuar me pako ushqimore dhe miell. "Ne kishim siguruar ndihma për rreth 30 familje, por falë edhe DSHMSsë, numri u rrit në 55 familje", ka thënë Latifi.

Prej dje ka filluar shpërndarja e ndihmave në Gjilan dhe fshatrat: Pogragjë, Livoç, Cernicë, Myqibabë, Zhegër, Lladovë, Vërbicë e Zhegocit, Vërbicë e Kmetofcit, Bresalc, Zhegoc, Përlepnicë. Kurse Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, nëpërmjet Shoqatës "Bereqeti", ka shpërndarë 150 pako ushqimore për fëmijët jetimë. Agim Hyseni, koordinator i shoqatës, ka thënë se ky aktivitet humanitar, i dyti me radhë prej fillimit të muajit të Ramazanit, realizohet enkas për fëmijët jetimë. Ai tha se donacioni ka ardhur nga Shoqata humanitare "Bejtu Zekat", e cila ka në përkujdesje afër 200 fëmijë jetimë, për të cilët siguron nga 30 euro në muaj.

Ramazani "zhduk" varfërinë 

Pako ushqimore për familjet skamnore ka shpërndarë këto ditë edhe Komuna. Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Gjilanit donacionin prej 200 pakove ushqimore, të dorëzuar nga organizata "Islamic Relief", ua ka shpërndarë familjeve në nevojë. "Ne do të vazhdojë t`i ndihmojmë këto familje, për t`ua lehtësuar sadopak kushtet e jetës dhe për të mos i lënë ato të vuajnë për ushqime dhe gjëra të tjera elementare", ka thënë Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Përndryshe, Komuna e Gjilanit është përkushtuar shumë në këto dy vite te ndërtimi i shtëpive për familjet me probleme banimi.

Gjatë këtij muaji, Komuna me donatorë ka shpërndarë edhe dhjetëra pako të tjera ushqimore për familjet me gjendje të rëndë sociale dhe gjatë ditëve të ardhshme pritet të shpërndajë edhe pako të tjera. Përndryshe, Hajrullahu ka nënvizuar se gjatë kësaj periudhe, nga fondi i solidaritetit, që është krijuar nga Komuna dhe donatorët, qiraja e banimit është kompensuar për 39 familje në nevojë, në vlerë 3.222 euro, kurse për 37 familje të tjera ka filluar meremetimi i shtëpive, në shumë prej 19.732 euro. Nga ky fond, duke llogaritur edhe vitin e kaluar, deri tani janë ndërtuar gjithsej 27 shtëpi. Qendra për Punë Sociale po vazhdon aktivitetin e saj në mbështetje të kategorisë sociale dhe aktualisht ndihmon 1148 familje. Gjatë këtij 6-mujori janë parashtruar 144 kërkesa të reja për t`u futur në skemën sociale dhe 100 prej tyre janë aprovuar, ka thënë Hajrullahu.

E la familjen në Amerikë, për t`iu shërbyer varfanjakëve

Koordinatorja e projektit Vana Jerliu -Ramadani ka thënë se 1.200 pako ushqimore i kanë shpërndarë gjatë javës vetëm në Gjilan, ku janë përfshirë të gjitha familjet në asistencë sociale. Pako ushqimore janë duke u shpërndarë edhe në Kamenicë dhe aksioni do të vazhdojë nëpër qytetet e tjera të Kosovës. Sipas Jerliut-Ramadanit, qytetarët janë shumë falënderues për këto ndihma, të cilat po shpërndahen për nder të muajit të Ramazanit dhe gjithçka deri tani ka shkuar shumë mirë.

Përfituesja Vaxhide Osmani tha se ishte shumë e kënaqur që njerëzit po mendojnë për ta. "Këtë iniciativë e kemi ndërmarrë duke pasur parasysh që shumë njerëz në Kosovë kanë nevojë për gjëra elementare", ka thënë JerliuRamadani, duke nënvizuar se shumë familje skamnore, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, nuk arrijnë t'i gëzohen sikur të tjerët festës së Bajramit dhe festave të tjera në Kosovë. "Është ndjenjë e papërshkruar ajo që përjetova gjatë takimit me këto familje të shkëlqyeshme dhe do të isha shumë e lumtur, nëse sadopak kemi arritur t`i bëjmë këta njerëz që t`i harrojnë peripecitë e jetës", thotë Vana Jerliu-Ramadani. Ajo ka lënë fëmijët dhe familjen e saj në Amerikë, për të ardhur në Kosovë që t`u shërbejë varfanjakëve, madje nuk ka mundur të marrë pjesë as në ditëlindjen e djalit të saj.  

(Kosova Sot)